Mbijetesa, Play-Out dhe Final Four, në Tiranë dhe Korçë priten shumë përgjigje

Futboll

Mbijetesa, Play-Out dhe Final Four, në Tiranë dhe Korçë priten shumë përgjigje

Më: 11 shkurt 2024 Në ora: 12:15
Foto ilustrim

Kategoria Superiore vijon ditën e sotme me dy ndeshjet e fundit të javës së 23-të. Do të luhet paralelisht në orën 17:00, dy sfida që kanë disa përgjigje për të nxjerrë.

Në ‘Air Albania’ Tirana pret Erzenin në një sfidë delikate. Bardheblutë nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër veç fitores në çdo ndeshje duke parë edhe renditjen aktuale. Vllaznia është 4 pikë përpara aq sa edhe Partizani me të cilin do të përballen javën tjetër. Dinamo bën me ‘drita’ nga pas teksa forma e mirë në ndeshjet e fundit i kanë sjellë shumë pranë Final Four.

Nga ana tjetër edhe shijakasit janë të etur për pikë. Fitorja e fundit daton në dhjetor, ndërsa në 3 ndeshjet e fundit s’kanë marrë asnjë pikë. Në stol ka ardhur Skerdi Bejzade dhe synohet një debutim pozitiv për t’ju larguar gjithashtu edhe zonës së ftohtë.

Në Korçë luhet ndeshja tjetër, Skënderbeu – Kukësi. Një sfidë që vë përballë dy ekipe me formë të dobët. Vendasit s’kanë justifikim për një tjetër dështim dhe 3 pikët janë rrugëdalja e vetme për të ulur alarmin.

Për velindorët e vendit të fundit s’ka nevojë për shpjegim, pikët janë jetike për të shmangur rënien nga Kategoria.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat