Pioli: Leao-s i them një gjë

Futboll

Pioli: Leao-s i them një gjë

Më: 6 mars 2024 Në ora: 17:05
Pioli

Stefano Pioli këmbëngul se Milani nuk ka nevojë të mbrojë Christian Pulisic dhe i kërkon Rafael Leaos të mendojë se ai mund të ‘bëjë diferencën’ në çdo ndeshje.

Pioli ka folur në konferencë për shtyp të mërkurën, në prag të ndeshjes së parë të fazës së 1/8-ave të Europa League kundër Slavia Pragas.

Kuqezinjtë siguruan një fitore 1-0 ndaj Lazios të premten. Sulmuesi i tyre Pulisic mori kërcënime me vdekje në rrjetet sociale pas ndeshjes pas një incidenti që çoi në kartonin e kuq të Luca Pellegrinit.

“Nuk ishte ndeshja jonë më e mirë teknikisht, por ne treguam qëndrimin e duhur. Skuadra ndihet mirë. Pjesa vendimtare e sezonit po vjen dhe ne jemi gati ta përballojmë”, tha Pioli për Milannews.

“Pulisic nuk ka nevojë të mbrohet. Historia e tij flet vetë. Rrjetet sociale janë bërë një vend për fyerje dhe vrazhdësi dhe Pulisic ka gjithë mbështetjen tonë”, vazhdoi trajneri.

Të dy Pulisic dhe Leao pritet të jenë titullar nesër. Sulmuesi portugez është i skualifikuar për ndeshjen e radhës në Serie A, por Pioli ka pritshmëri të mëdha përpara ndeshjes së nesërme.

“Rafa ka cilësinë për të bërë diferencën në çdo ndeshje”, tha trajneri i kuqezinjve. “Ndonjëherë nuk ka shënuar, por ka ndihmuar të tjerët ta bënin atë.

“Ai ka qenë gjithmonë një kërcënim për kundërshtarët dhe një pikë referimi për ne. Duhet të vazhdojë të besojë në vetvete dhe të mendojë se ai mund të jetë vendimtar në çdo ndeshje”.

Sa shanse ka Milani për të fituar Europa League?

“Ne duhet të mendojmë se mund ta fitojmë, por duhet të kualifikohemi në çerekfinale së pari. Nuk është e drejtë të shikojmë shumë përpara”, argumentoi Pioli.

“Çdo kundërshtar është i vështirë në Europë. Ndihemi mirë dhe duhet të jemi të bindur se ne mund të shkojmë deri në fund. Lojtarët e mi kanë dëshmuar se kanë bërë hapa gjigantë në krahasim me katër vjet më parë. Jemi përmirësuar”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat