Fernandes gati për “luftë”: Japim gjithçka për ta bërë Kupën “pronën” tonë

Futboll

Fernandes gati për “luftë”: Japim gjithçka për ta bërë Kupën “pronën” tonë

Më: 19 mars 2024 Në ora: 07:57
Bruno Fernandes

Është padyshim rivaliteti më i madh në ishull. Edhe nëse Manchester Citydominon sot futbollin anglez dhe Champions League, sërish asgjë nuk mund të krahasohet me një Manchester United-Liverpool, me dy skuadrat me më shumë tituj e më shumë histori në atdheun e shpikësve të futbollit që patën një tjetër episod në serinë e gjatë të sfidave mes tyre.

Këtë herë fituan “Djajtë e Kuq” që u kualifikuan në gjysmëfinale të Kupës së Anglisë. Në “Old Trafford” u mbyll 4-3, në një shfaqje të lojës më popullore të botës. Tejet i lumtur për triumfin në “Teatrin e Ëndrrave” u duk të ishte edhe “fantazisti” i mesfushës, Bruno Fernandes, i cili vlerësoi paraqitjen e talenteve, por vuri në dukje “thembrën e Akilit” që i ka penguar “Djajtë” të jenë mes më të mirëve në kompeticionet kryesore:

“Ne kemi një skuadër të re në moshë, e ku mbizotërojnë talente të ndërthurur me eksperiencën. Ata kanë nevojë t’i jepet mbështetje dhe besim. Të luash në nivele kaq të larta është sfiduese, ama talentet tanë i dhanë provat se janë gati të djersisin denjësisht fanellën e United. Besimin e kemi pasur në sezonin ekzistues, megjithëse mungesa e konsistencës na ka rrëzuar nga pretendimet fillestare.

Kritikat janë me vend dhe vetëm kështu mund të përmirësohemi. Shumë gjëra kanë devijuar nga nisja e sezonit deri në pikën ku ndodhemi. Qëllimi ynë është të përfshihemi në katërshen e parë të Premier League dhe të japim gjithçka për të bërë Kupën pronën tonë. Të gjithë e dimë se sa rëndësi ka ky turne në palmaresin e United. Asgjë nuk është e pamundur”,- u shpreh “lideri” i sulmit të skuadrës së Ten Hag. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat