Për kë vlejnë rregullat e futbollit?

Futboll

Për kë vlejnë rregullat e futbollit?

Nga: Nexhmedin Bunjaku Më: 29 maj 2017 Në ora: 16:55
Nexhmedin Bunjaku

Debate

Titulli i kampionit në Superligën e Kosovës në futboll, me plotë meritë shkoi në Mitrovicë përkatësisht për Trepça ’89 nga Mitrovica.
Në stadiumin ‘Riza Lushta’, ku edhe duhej të zhvillohej ndeshja e fundit e këtij kampionati që nuk rrezikonte Trepçën ‘89 fare titullin, çdo gjë ishte përgatitur për festë pas kësaj ndeshje, por si duket nga euforia dhe gëzimi, harruan t’i respektojnë rregullat e përcaktuara me rregullore.
Dihet mirë se brenda rrethojave të stadiumit në çfarëdo ndeshje, zyrtare (kampionale, miqësore, revyale apo edhe humanitare) mund të qëndrojnë vetëm personat zyrtar si, delegati i ndeshjes, në bankën Shtabi Teknik, mjeku, fizioterapeuti, futbollistët rezervë, pastaj gjyqtari i katërt, ndihma e shpejtë, zjarrfikëset, mbledhësit e topave (të rinj në moshë), trupat e sigurisë që dallojnë me uniformën e tyre dhe policia.
Në ndeshjen e djeshme në stadiumin ‘Riza Lushta’, edhe pse ishte ndeshje kampionale, u thyen rregullat për atë se brenda rrethojave kishte shumë shikues që nuk kishin të drejtën të qëndronin aty, sidomos pas portës ku vërehej një masë më e madhe dhe tek dalja nga përgatitoret.
Ndoshta të gjithë ata kanë qenë mysafir të ftuar në festën që do të pasonte, por rregullat janë rregulla dhe për të gjithë njësoj dhe të njëjtat duhet respektuar, si dhe për mos respektimin e këtyre rregullave, organizimi i kësaj ndeshje mund të gjykohet si i dobët, dhe për këtë duhet të pasojnë gjobat nga organet kompetente brenda federatës, aq më tepër kur këto rregulla shkelen para prijësve të këtyre organeve. Prandaj, rregullat janë rregulla, duhet të përfillen, të krijojmë një rend në përgjithësi dhe jo si ndodhi në ballafaqimin e javës së fundit, ndërmjet Trepçës ’89 dhe Feronikelit. Sepse kështu nuk na ka hije, as nuk i bëjmë nder as vetes dhe askujt tjetër dhe krijojmë një huti në përgjithësi ose edhe një skenë qesharake. Kur e ke shikuesin brenda rrethojave nuk ka fare rëndësi se sa janë në numër aty, mund të vijmë lehtë deri të incidenti, të ndonjë skenë e pahijshme, për shkak se tifozi shumë herë di të bëjë edhe gjëra të pazakonshëm,  jo për ndonjë qëllim, por kur e kaplon euforia apo emocionet, patjetër se gjithçka brenda tij bëhet e pakontrollueshme.    

Autori është ish-futbollist i Dritës nga Gjilani dhe ish-gjyqtar i mirënjohur i futbollit

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat