Të ardhurat në futboll janë rritur ndjeshëm - Bota Sot
Të ardhurat në futboll janë rritur ndjeshëm

Futboll

Të ardhurat në futboll janë rritur ndjeshëm

Më: 8 nëntor 2018 Në ora: 14:50
Ilustrim

Të ardhurat në futboll janë rritur ndjeshëm në dekadën e fundit falë zhvillimit të marketingut në tregje të paeksploruara më parë, sikurse është ai kinez.

Për rrjedhojë janë shumëfishuar edhe vlerat e “yjeve” të futbollit, që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në imazhin e klubeve. Por jo vetëm. Brenda 5 viteve të fundit janë dyfishuar edhe kontratat e shitjes së të drejtave të emrit të stadiumeve.

Nëse Manchester United do të vendoste të shiste “naming rights” (të drejtat e emrit) të “Old Trafford”, klubi mund të fitonte mbi 26 milionë sterlina në sezon (29.5 milionë euro).

Këto janë rezultatet e një studimi të publikuara nga kompania e shërbimeve financiare “Duff & Phelps” mbi vlerën e “naming rights” të stadiumeve të Premier League në fillim të vitit 2018. Një treg, që sipas analizave, është rritur me 80% midis viteve 2013-2017.

“Naming rights”, janë të drejtat që lidhen me emërtimin e një pasurie të paluajtshme (stadiumi në rastin konkret) nga një kompani. Sipas raportit të fundit të Club Licensing Benchmarking Report, i publikuar nga UEFA në janar, një në katër stadiume në Europë ka shitur të drejtat e emrit të stadiumit (duke marrë në konsideratë 16 kampionatet kryesore).

Bundesliga është shembulli më i mirë me 14 stadiume, e ndjekur nga Holanda (Eredivisie) me 9 dhe Anglia (Premier League) me 8. Italia (Serie A), Spanja (La Liga), Zvicra (Super League) dhe Skocia (Scottish Premier League) ndajnë të gjitha vendin e 9-të.

Sipas studimit të “Duff & Phelps”, të cilët analizuan vlerat potenciale të “naming rights” në sezon për stadiumet e Premier League, në Angli, gjashtë klubet e para ndajnë rreth 77% të tortës. Nga 26.2 milionë stërlina që fiton “Old Trafford” në 11.1 milionë për “Anfield Road”, duke kaluar në 19.1 milionë sterlina në “Etihad Stadium” (të drejtat e emrit iu shitën për 40 milionë sterlina në sezon për 10 vite, në vitin 2011).

Në total, vlera e “naming rights” për gjithë 20 klubet e Premier League shkon në 135.6 milionë sterlina, e cila është thuajse dyfishuar krahasuar me 74.6 milionë sterlina në vitin 2013.

Stadiumi i Chelsea, “Stamford Bridge” sjell të ardhura prej 17.7 milionë sterlina, 15.5 milionë stadiumi i Tottenhamit, “White Hart Lane” dhe 15.3 milionë sterlina “Emirates Stadium” i Arsenal. Është e lehtë të nxjerrësh në pah stadiumet e tre qyteteve që kanë të ardhurat më të mëdha në Angli .

Në Londër, Manchester dhe Liverpool gjenden 10 nga 20 stadiumet e Premier League-s, vlerave e të cilave arrin 84% të totalit. Në pjesën e mbetur kryeson Stoke City me 16%, në të cilin “bet365 Stadium” vlen 6.3 milionë sterlina.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...