Osmani e Gjikokaj në elitën e Norvegjisë

Hendboll

Osmani e Gjikokaj në elitën e Norvegjisë

Më: 7 qershor 2019 Në ora: 13:15
Osmani e Gjikokaj në elitën e Norvegjisë

Hendbollistet e Kombëtares së Kosovës po vazhdojnë të rrisin nivelin në prag të fillimit të ciklit të ri eliminator. Kështu dy prej lojtareve kryesore, portierja Dorentina Osmani dhe beku Mirela Gjikokaj, në edicionin e ri do të luajnë në ligën elitare të Norvegjisë, vend ky që hendbollin e femrave e ka shumë të zhvilluar. Skuadra e Dorentinës dhe Mirelës, Follo HK Damer, ka përfunduar në vend të tretë në Divizionin 1 të Norvegjisë. Kështu luajti ndeshjet shtesë për inkuadrim në elitë. Nuk ia doli, por një skuadër elitare nuk u licencua për edicionin e ri dhe kështu në elitë kaloi Follo HK Damer. 
Dorentina e Mirela tashmë kanë nisur përgatitje për edicionin 2019-20, ndërsa pritjet janë që të jenë prej lojtareve kryesore të skuadrës. Me lojëra të mira ato janë shquar edhe në edicionin e kryer tashmë.
Kalimit në elitë të dy lojtareve i është gëzuar edhe përzgjedhësi i Kosovës, Agron Shabani.
“Dorentina dhe Mirela do të luajnë në elitën norvegjeze, që është një lajm i mirë për kombëtaren dhe hendbollin kosovar. Kapitenja Leonora Demaj nuk do të luajë në elitën daneze, ndonëse ishte shumë afër dhe u paraqit shumë mirë. Por në kualifikimet shtesë skuadra e Leonorës nuk ia ka dalur. Albana Arifi ka mbetur në elitën suedeze, ndërsa në elitën e Kroacisë luan lojtarja jonë e re, Marijeta Lekaj. Është me shumë rëndësi që vajzat tona janë duke përparuar në hendbollin evropian. Kështu rritet edhe kombëtarja jonë, pasi ato marrin përvojë për ndeshjet dhe garat që na presin. Poashtu edhe Superliga e Kosovës po bëhet më interesante, ndërsa klubet janë në drejtimin e duhur besoj. Kam biseda të vazhdueshme me trajnerët e ekipeve në Kosovë, ndërsa bashkëpunimin do ta rrisim edhe më tej, në të mirë të hendbollit”, ka theksuar selektori Shabani.
Kombëtarja e Kosovës i luan në shtator ndeshjet e para të eliminatoreve për “Euro 2020”. Për herë të parë fillon nga faza e dytë kualifikuese. Dorentina e Mirela do të kenë punë me lojtare elitare të Norvegjisë dhe pritet që kontributi i tyre te Kosova të jetë edhe më i madh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat