Edi Kolgeci me objektiva të qarta

Hendboll

Edi Kolgeci me objektiva të qarta

Nga: Kemajl Goca Më: 19 janar 2021 Në ora: 18:34
Edi Kolgeci me objektiva të qarta

Edhe pak ditë kanë mbetur (6 shkurt) dhe do të fillojë pjesa e dytë e Kampionatit të Kosovës në hendboll, në konkurrencën e meshkujve.

Si shumica e klubeve, edhe Prishtina synon që të organizohet sa më mirë dhe me ambicie të qarta: të luftojnë për të gjitha trofetë. Klubi kryeqytetas është nënkampion vjeshtor me 23 pikë, ka pesë me pak se lideri Besa Famgas dhe gjashtë më shumë se Trepça, që renditet në pozitën e tretë  

Image

Presidenti i klubit të Prishtinës, Edi Kolgeci, në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot”, flet për vështirësitë që ka sjellë pandemia, për shkollën e hendbollit, se a do të përforcohen dhe çfarë nuk do të tolerohet më.

 “Bota sot”: Si çdo sport edhe hendbolli po ballafaqohet me probleme dhe vështirësi të shumta, shkak pandemia. A ka ndikuar edhe në KH Prishtina? 
Edi Kolgeci:
Është evidente që pandemia ka ndikuar në të gjitha lëmitë dhe në jetën e çdo qytetari.

Duke u nisur nga fakti se edhe sporti edhe shëndetësia kanë qenë të anashkaluara në të kaluarën nga institucionet problemet dhe vështirësitë për të punuar me sukses vetëm se janë shtuar. Vitin 2020 mund të them se e kemi kaluar suksesshëm edhe pse me peripeci por deri më tani jemi stabil.

Mendoj se kemi menaxhuar mirë me ato mjete që i kemi pasur nga komuna dhe shumë pak sponzor por edhe me përkrahjen e miqve që kanë ofruar shërbime për klubin pa pagesë.

Kështu që sezonin 2019/20 ishim kampion me kadetë, finalist të kupës dhe nënkampion me seniorë.

Po ashtu arritëm në xhiron e 3 në kupat europiane por nuk patëm fat me një kundërshtarë tepër të fortë.
Sezonin 2020/2021 e filluam me shumë vështirësi dhe me shumë pak përgatitje si dhe me disa lojë shumë të dobëta por besoj që në pjesën pranverore do të jemi të gatshëm të luftojmë për titull dhe kupën e Kosovës.

Do të mundohem ti ofroj kushtet sa më të mira për të gjithë sipas mundësive por nuk do të tolerohet asnjë "kiks" nga askush.

Në kuvendin që do të mbahet këto ditë do të tentoj që të ftoj sa ma shumë njerëz dhe miq që dëshirojnë të ndihmojnë dhe nuk do të bazohem në kuantitet por në kualitet e besoj që të arrijmë synimet.

“Bota sot”: Si e sheh Prishtinën në pjesën e dytë të kampionatit, më të organizuar dhe çfarë i duhet më shumë?
 

Edi Kolgeci: E dini se deri më tani luajmë vetëm me lojtarë vendor dhe puna kryesore orientohet te moshat e reja dhe jam shumë i gëzuar që çdo ditë numri i fëmijëve po rritet.

Se kemi "prodhim vendor" tregon fakti se qysh sivjet kemi 3 deri 4 lojtarë të rinj që do ti bashkohen ekipit të parë.

E nëse do të kemi zbutje të masave pandemike garantoj se sivjet shkolla e hendbollit do të bëhet edhe më profesionale dhe me kushte për më shumë të rinj dhe më shumë trajnerë.

Në bashkëpunim me federatën e hendbollit besoj se sivjet do ta realizojmë plotësisht këtë projekt të nisur.

Po ashtu është e ditur se kemi numër të madh të lojtarëve prej U-18 deri të seniorët që janë në Kombëtaren e Kosovës.

Sa i përket organizimit di të ishim edhe më mirë po të mos ndodhte kjo pandemi por prapë besoj se me pak më shumë ndihmë dhe angazhim do ti ja dalim që deri në shtator ti kryejmë disa punë të mëdha.

“Bota sot”: Prishtina gjithmonë lufton për trofe dhe për dalje në Evropë, por kësaj radhe a mendoni se do të fitoni njërën nga trofetë?
Edi Kolgeci:
Sikurse e thashë edhe më lartë me kapacitetet vendore që i kemi jemi mjaft të fortë vetëm duhet më shumë angazhim, disiplinë dhe seriozitet. 

Kushtet duhet ti ngrisim edhe më shumë gjithsesi sepse asnjë sportist nuk mund të jetë në maksimumin e tij me 90 minuta stërvitje dhe atë pas punës apo fakultetit.

Kështu që duhet të gjejmë mundësitë që të ju ofrojmë kushte që sa do pak mos të kenë nevojë për punë dytësore por të orientohen në karrierë sportive.

Nuk e flas këtë vetëm për lojtarët tonë por mendoj se duhet punuar për kushte sa më të mira për të gjithë sportistët e Kosovës.

“Bota sot”: A mendoni që të përforcoheni?
Edi Kolgeci:
Unë preferoj që  KHF Prishtina  të vazhdoj të mbetet me lojtarë vendor dhe të rinjtë nga klubi jonë.

Do të kemi rikthimin në Prishtinë të disa lojtarëve besoj.

E di që dallimin në finale e bëjnë lojtarët e huaj që ka konkurrenti ynë në këto vitet e fundit por do e shohim sezonin e ardhshëm.

Në të ardhmen nëse arrijmë të konsolidohemi dhe të kemi një buxhet më të konsoliduar do të hulumtojmë edhe për lojtarë të huaj të cilët do të sjellin eksperiencë edhe te lojtarët tonë të rinj.
Ju faleminderit për përkrahjen juve dhe mediumit tuaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat