Me disa trajnerë nuk rritet cilësia e hendbollit femëror në Kosovë! 

Hendboll

Me disa trajnerë nuk rritet cilësia e hendbollit femëror në Kosovë! 

Nga: Kemajl Goca Më: 6 shtator 2022 Në ora: 19:29
Ilustrim

Prishtinës po i mungon një trajner si prof. Beqir Hasangjekaj e Sebahate Neziri, Vushtrrisë një si Tefik Mikushnica, Kastriotit një si Valbona Zeqa dhe prof. Ismet Jupa, Trepçës një si Ahmet Baliqi, Gjakovës një si Ismajl Berisha, Gjilanit një si Agim Shkodra (i ndjerë), po ashtu edhe si Rifat Shabani etj.

Këta të lartpërmendurit nuk e kishin zbuluar ujin e nxehtë por dinamika e punës së tyre dallon me kohën e sotme!

Të lartpërmendurit shquheshin me punën e tyre dhe liga vërtet ka qenë jashtëzakonisht më cilësore se sot, ka pasur hendbolliste shumë më të mira, me një disiplinë dhe me një inati më të madh se sot!

Disa të lartpërmendur kanë punuar edhe në konkurrencën e meshkujve.

Prishtina, Ferizaj, Mitrovica, Gjakova, Gjilani, sot po vuajnë për trajnerë vendorë, ndërsa Faruk Shala trajner i Istogut, tani vlerësohet si trajner interesant dhe vet rezultatet e bëjnë faktorin numër një në Kosovë!

Ferizajt është tempull i hendbollit por vuan për një kalibër të trajnerëve si prof. Jupa dhe Valbona Zeqa apo Prishtina që nuk e ka një model si Hasanxhekaj ose Mitrovica si Baliqi dhe Gjakova si Berishën!

A duhet një strategji kombëtare në bashkëpunim me Federatën e Hendbollit të Kosovës dhe me qendrat e mëdha, për të nxjerrë nga balta këtë sport? 

A duhet kryesitë e klubeve që të kërkojnë llogari – raport të punës për çdo stërvitje nga ana e trajnerëve dhe trajnereve? 

Nëse vazhdon kjo situatë, ecuri e punës nëpër shumë klube, hendbolli një ditë do të mbetet edhe pa hendbolliste cilësore!

Trajneri apo trajnerja e mirë zbulon dhe formon lojtare!

Ecuria e ligës është e frikshme, Istogu fiton me sa të dojë diferencë për dallim që KHF Ferizajn e ka si konkurrent!

Dy- tre ekipet e para dallojnë shumë më ekipet tjera, kjo nuk i bën mirë lojës me traditë në vendin tonë. Lulzim Abazi, kur ka qenë kryetar të femrat e Kastriotit, qoftë fitore apo humbje, apo barazim kërkonte llogari nga trajneret dhe ndonjëherë as fitorja nuk e kënaqte, por kërkonte më shumë.

Disa trajnerë apo trajnere duhet të janë me të përgjegjshëm me punën që bëjnë dhe që paguhen ose të largohen vet, mos ta dëmtojnë hendbollin, sepse ky sport ka traditë në vendin tonë! Mospuna apo mos serioziteti nga disa trajnerë, është edhe krim ndaj një sporti sepse po e ndal rriten e saj në cilësi, me apo pa dije e tyre!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat