Istogu fiton derbin me Vushtrrinë

Hendboll

Istogu fiton derbin me Vushtrrinë

Më: 26 shkurt 2023 Në ora: 11:26
Pamje nga ndeshja

Hendbollistet e Istogut e kanë fituar derbin me Vushtrrinë.

Të shtunën mbrëma në palestrën e qytetit në Istog, hendbollistet istogase fituan me rezultat 28:21.

Ndeshja i takoi javës së 11-të të Superligës së Kosovës në hendboll.

Pjesa e parë ishte e barabartë, ndërsa në epërsi prej një goli ishin herë njëra e herë skuadra tjetër.

Por fillimi i pjesës së dytë i takoi Istogut që krijoi epërsi bindëse. Epërsia shkoi deri në dhjetë gola.

Albina Rugova ishte më efikasja me gjashtë gola. Nga katër i shënuan Natalia Milatoviq, Yllka Shatri e Dajana Milaniq.

Te Vushtrria, Gentiana Basholli i shënoi gjashtë gola, ndërsa pesë i kishte Agnesa Hysa.

Istogu udhëheq në tabelë me 22 pikë. Ka fituar të gjitha ndeshjet e deritashme. Vushtrria është e dyta me 18 pikë. Humbjet e vetme i ka nga Istogu.

Te hendbollistët, u luajt ndeshja e parë e Superligës B, përkatësisht e xhiros së 19-të.
Deçani ka fituar ndaj Llapit me rezultat 30:26.

Fatlind Mazrekaj shënoi 9 gola për Deçanin, ndërsa Ilir Thaqi i shënoi tetë gola.

12 gola i shënoi Blerton Hasani i Llapit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat