Pa fitues në derbin Prishtina - Rahoveci

Hendboll

Pa fitues në derbin Prishtina - Rahoveci

Më: 26 shkurt 2023 Në ora: 20:53
Pamje nga ndeshja

Nuk ka dhënë fitues derbi i xhiros së parë në Superligën A të Kosovës në hendboll. Në kuadër të javës së 19-të kampionale, Prishtina e Rahoveci luajtën 26:26, të dielën mbrëma në kryeqytet.

Prishtina nuk ia doli t’i revanshohet Rahovecit për humbjen e shkaktuar në ndeshjen e kaluar.

Ndeshja ishte e fortë dhe e hapur deri në fund. Në pjesën e parë, Prishtina krijoi epërsi deri në katër gola (11:7, 12:8), por “vreshtarët” megjithatë u afruan në një gol.

Lojë interesante u zhvillua në pjesën e dytë. Deri në dy gola u shkëputën të dy skuadrat, kurse Alban Haziri shënoi golin e fundit për 26:26. Arti Luzha i Rahovecit bëri pritje në fund.

Agon Bajqinovci i Prishtinës i shënoi dhjetë gola, ndërsa shtatë i kishte Oltion Beshiri. Endrit Tafarshiku shënoi tri gola.

Alban Haziri ishte më efikasi te Rahoveci me 12 gola. Nga tri i shënuan Marley Wallace Fernandes dhe Besmir Kusari.

Ndërkohë Besa Famgas ka vazhduar me fitore. E ka mposhtur në Pejë skuadrën e Vushtrrisë me rezultat 33:28.

Arbios Mushkolaj dhe Franco Daniel Gavidia shënuan nga shtatë gola për Besën. Gjashtë i kishte Jon Muqolli. Te Vushtrria, Nemanja Drakuloviq i shënoi 11 gola, ndërsa shtatë i kishte Bozhidar Nikoçeviq.

Fitoren më bindëse në Superligën A e shënoi Trepça.

Në “Minatori”, mitrovicasit fituan ndaj Kastriotit të Ferizajt me rezultat 37:22.

Trepça u shkëput herët për të vazhduar ecurinë pozitive. Deniz Terziqi i shënoi nëntë gola për Trepçën, ndërsa shtatë i kishte Shpëtim Mehmeti.

Me dy gola kontribuoi edhe portieri Meriton Lladrovci që pati tjetër ndeshje të dalluar.

Te Kastrioti, nëntë gola i shënoi Festim Mustafa, ndërsa pesë i kishte Jeton Bislimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat