Fitore me dy gola dallim e Besës ndaj Trepçës, pikë të rëndësishme për Vushtrrinë e Rahovecin

Hendboll

Fitore me dy gola dallim e Besës ndaj Trepçës, pikë të rëndësishme për Vushtrrinë e Rahovecin

Më: 8 prill 2023 Në ora: 23:28
Pamje nga ndeshja Besa - Trepça

Me rezultat 34:32 ka përfunduar ndeshja Besa Famgas – Trepça.

Ndeshja u luajt të shtunën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë dhe i ka takuar xhiros së 26-të të Superligës A të Kosovës në hendboll.

Më meritori për fitoren e Besës ishte portieri Mursel Mehmeti, që kishte shumë pritje.

Me lojë të mirë u shqua edhe Egzon Gjuka, që i shënoi nëntë gola. Franco Daniel Gavidia i kishte tetë gola.

Trepçës nuk i mjaftuan 17 golat e Deniz Terziqit.

Në pjesën e parë Besa ishte në epërsi të lehtë, që shkoi deri në pesë gola (20:15).

Në fillim të pjesës së dytë Besa u shkëput në 23:16 e 24:17. Më pas Trepça u afrua në dy gola, 25:23 dhe epërsinë në dy gola e ngushtoi në disa raste. Por më afër mysafirët nuk u afruan.

Besa forcohet në pozitën e parë, ndërsa Trepça vazhdon të jetë e dyta.

Rahoveci ka fituar ndaj Kastriotit me rezultat 32:25 për dy pikë të rëndësishme në garën për plejof.
Marley Wallace i shënoi shtatë gola për Rahovecin, ndërsa nga pesë i kishin Adonit Isufi, Çlirim Rama e Matheus Henrique.

Te Kastrioti, Beni Sula i shënoi 9 gola, ndërsa pesë i shënoi Besnik Bytyqi. Rahoveci është i katërti, ndërsa Kastrioti mban vendin e gjashtë.

Fitore të rëndësishme shënoi edhe Vushtrria ndaj Prishtinës, 33:25. Që në pjesën e parë vendasit bënë shkëputje prej disa golash. Në pjesën e dytë epërsia e Vushtrrisë shkoi deri në dhjetë gola.

Nemanja Drakuloviq i shënoi shtatë gola për Vushtrrinë, ndërsa nga pesë i kishin Bozhidar Nikoçeviq e Felippe Teixeira.

Te Prishtina, nëntë gola i shënoi Albi Gjuka. Gjashtë i kishte Enis Kuleta, derisa pesë i shënoi Rron Ramadani.

Me fitore, Vushtrria u forcua në vendin e tretë. Prishtina mbetet e pesta.

Deri në fund të Superligës A kanë mbetur edhe dy xhiro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat