Eroll Vitaku flet nga Afrika për finalen e madhe: Trepça - Besa, do ta vendosin nuancat e vogla titullin

Hendboll

Eroll Vitaku flet nga Afrika për finalen e madhe: Trepça - Besa, do ta vendosin nuancat e vogla titullin

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 24 maj 2023 Në ora: 16:10
Eroll Vitaku

Legjenda e hendbollit të Kosovës, Eroll Vitaku, edhe pse tash e një kohë gjendet në Afrikë, ai nga atje po e përcjell me vëmendje hendbollin e Kosovës, veçmas finalet mes Trepçës së Mitrovicës dhe Besa Famgas të Pejës. 

Vitaku për shumë vite ka qenë pjesë e KH Trepçës, një periudhë sa ishte pjesë e Ligës së Dytë federative të sh Jugosllavisë, pastaj në kohën e gjeneratës së sakrificës dhe në vitet e pas luftës, ku edhe u shpall hendbollisti më i mirë i Vitit nga FHK, tha se nuancat do të vendosin titullin mes Trepçës dhe Besës.

Finalja e dytë luhet nesër në orën 20.15 në palestrën e sportit “Minatori” në Mitrovicë. 

“Ndeshje interesante pas shumë kohe!

Trepça s’ka çka humbë, mundet të fitojë shumë dhe e shoh që ka gjasa edhe të fitojë titullin!

Besa mbas sa kohe ka një ekip kundër saj qe mundet edhe me befasu dhe do të jenë në pozitë ma të pavolitshme, sepse luajnë ndaj Trepçës e cila s’ka çka humbë e mundet të përfitojë shumë! 

Gjithashtu mendoj që Besa është në situatë që nuk është komode dhe nuk janë superior, prandaj kanë me pas më tepër nervozë në ekipin e tyre!”, thotë Vitaku për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Vitaku thotë se do të jetë një lojë e baraspeshuar.

“Por deri në fund besoj të jetë një lojë e baraspeshuar dhe do të fitoj ekipi që është më i qetë”, ka nënvizuar legjenda e hendbollit.

Sipas tij, nuancat do të vendosi titullin.

“Nuancat e vogla kanë me vendosur ndeshjen dhe kampionin në përgjithësi”, ka përfunduar Vitaku.

Pejanët e fituan finalen e parë me rezultat 30:27 ndaj Trepçës.

Skuadra me dy të fituara apo një fitore e një barazim shpallet kampion i ri i Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat