​Katër ndeshje evropiane të hendbollit zhvillohen këtë vikend në Kosovë

Hendboll

​Katër ndeshje evropiane të hendbollit zhvillohen këtë vikend në Kosovë

Më: 26 shtator 2023 Në ora: 13:53
​Katër ndeshje evropiane të hendbollit zhvillohen këtë vikend në Kosovë

Plot katër ndeshje të Kupave Evropiane do të luhen në fundjavë në vendin tonë. Bëhet fjalë për ndeshje të raundit të dytë të Kupës Evropiane (EHF European Cup) për hendbolliste.

Kampioni në fuqi, Istogu, do të përballet me skuadrën nga Portugalia, SIR 1Maio/Ada CJB. Të dy ndeshjet luhen në palestrën “Karagaçi” në Pejë, për shkak të gjendjes jo të mirë të palestrës në Istog. Ndonëse ishte premtuar, renovimi i palestrës në Istog nuk është bërë ende dhe KHF Istogu është detyruar të zhvendoset në Pejë. Në Istog ishin planifikuar edhe ndeshjet e Kombëtares A dhe aktivitete tjera të Kombëtareve, që po ashtu do të mbahen në qytete tjera.

Ndeshja e parë e Istogut është të shtunën prej orës 18:00. Ndërsa ndeshja e dytë është të dielën prej orës 18:00.

Istogu ka fituar Superkupën kohë më parë dhe është i gatshëm për ndeshjet evropiane. Priten dy ndeshje të forta dhe interesante.

Me marrëveshje mes dy klubeve, dy ndeshje në shtëpi i zhvillon edhe KHF Ferizaj. Ferizajaset përballë do ta kenë skuadrën nga Izraeli, Maccabi Arazim Ramat gan. Ndeshja e parë është të shtunën prej orës 20:15 në palestrën “Bill Clinton”. Në të njëjtën arenë të dielën prej orës 19:00 është ndeshja e dytë.

Ferizaj ka angazhuar shumë lojtare të huaj dhe është konsoliduar për kampionatin e ri. Njëjtë si Istogu, synon suksesin në Kupën Evropiane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat