Ferizaj në kërkim të suksesit të parë evropian

Hendboll

Ferizaj në kërkim të suksesit të parë evropian

Më: 28 shtator 2023 Në ora: 12:02
Pamje nga një ndeshje

I themeluar në vitin 2018, klubi i hendbollit Ferizaj për herë të katërt paraqitet në gara evropiane. Por për herë të para ferizajaset do të luajnë ndeshje evropiane para tifozëve të tyre.

Në tri paraqitjet e deritashme Ferizajt i ka munguar suksesi. Ka vetëm humbje në kuadër të Kupës Evropiane.

Të gjitha gjashtë ndeshjet i ka zhvilluar në udhëtim, ndërsa i ka munguar edhe fati në short për të pretenduar më shumë.

Në vitin 2020, Ferizaj u eliminua nga skuadra turke Muratpasha Belediyesi.

Në vitin 2021 u ndal nga skuadra holandeze JuRo Unirek. Vjet e kishte përballë skuadrën polake, Gminy Kobierzyce dhe pësoi në të dy përballjet në Poloni.

Në fundjavë në palestrën “Bill Clinton”, Ferizaj i luan dy ndeshje me skuadrën izraelite, Maccabi Arazim Ramat gan. Ndeshja e parë është të shtunën prej orës 20:15, ndërsa e dyta të dielën prej orës 19:00.

Ferizaj ka bërë ndryshime të shumta në përbërje dhe shpreson në suksesin e parë evropian. Kalimi i ekipit izraelit do të ishte sukses historik për skuadrën ferizajase.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat