Trepça ballëlart në përballje me kampionin 

Hendboll

Trepça ballëlart në përballje me kampionin 

Më: 2 dhjetor 2023 Në ora: 23:41
Pamje nga një ndeshje

Pas një kohe shumë të gjatë, Trepça e ka mposhtur Besa Famgasin në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.

Të shtunën mbrëma, Trepça dhe Besa e Pejës kanë zhvilluar derbin e xhiros së 12-të të Superligës së Kosovës në hendboll.

Trepça ka fituar me rezultat 35:33. Ndeshja ishte e fortë dhe me fund dramatik. Pas barazimit 33:33 të Besës, mitrovicasit kanë shënuar dy gola e në anën tjetër nuk kanë pranuar asnjë për fitore të rëndësishme. Trepça tani i ka 18 pikë në vendin e tretë.

Në vendin e dytë po ashtu me 18 pikë, është Besa Famgas.

Besa Famgas e Trepça kanë fituar gjithë trofetë e këtij edicioni. Skuadra pejane ka fituar titullin e kampionit dhe Superkupën, ndërsa Trepça e ka fituar Kupën e Kosovës. Në finale të Kupës kishte mposhtur pikërisht Besën, por në Prishtinë.

Mitrovicasit kanë nisur ndeshjen mirë dhe ishin vazhdimisht para në rezultat. Pas pjesës së parë rezultati ishte 19:14 për vendasit. Pjesa e dytë ishte dukshëm më e fortë. Pejanët nisën reagimin dhe loja u bë shumë interesante e dramatike. Pak para fundit, Besa Famgas barazoi në 33:33, por fundi megjithatë u takoi vendasve që festuan fitoren.

Kapiteni i Trepçës, Sali Maxhera, i kthyer nga lëndimi që e mbajti jashtë për disa xhiro, i shënoi shtatë gola. Shtatë gola i kishte edhe Hamdi Salihu. Shpëtim Mehmeti e Yassine Henahem i kishin nga gjashtë gola, ndërsame lojë të mirë janë shquar edhe Deniz Terziqi e portieri Liridon Esati që kishte rreth 15 pritje.

Te Besa Famgas më efikasi ishte Ajdin Smajlbegoviq me nëntë gola.

Shtatë i kishte Nikola Prce, ndërsa Arbios Mushkolaj e Jon Vokshi i shënuan nga katër gola.

Në ndeshjen tjetër të së shtunës, Kastrioti fitoi bindshëm ndaj Deçanit, 48:36. Festim Mustafa i shënoi 16 gola për Kastriotin, ndërsa dhjetë gola për Deçanin i kishte Florian Rexha.

Kastrioti është i katërti me 14 pikë. Deçani mbetet me katër pikë në pozitën e gjashtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat