Derbi në Ferizaj, Fisnik Jashari: Presioni bie mbi Rahovecin

Hendboll

Derbi në Ferizaj, Fisnik Jashari: Presioni bie mbi Rahovecin

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 23 shkurt 2024 Në ora: 15:31
Fisnik Jashari

Rahoveci është në presion të madh nga rivali me traditë Kastrioti i Ferizajt.

Ferizajasit janë të motivuar deri në pikën e fundit për fitore dhe besojnë e shpresojnë se do të arrijnë këtë qëllim, duke pasur parasysh nivelin e hendbollistëve dhe përparësinë e fushës në palestrën e Sportit “Bill Clinton” në Ferizaj. 

Ndeshja do të luhet nesër në orën 19.00 në kuadër të javës së 17-të të elitës së hendbollit të Kosovës.

Rahoveci ka 16 fitore rresht, udhëheq me 32 pikë tabelën dhe Kastrioti zë pozitën e katërt me 18 sosh.

Kryetari i Kastriotit, Fisnik Jashari, tha se janë duke i  bërë të gjitha përgatitjet e duhura për këtë derbi.  

“Përgatitjet për këtë ndeshje janë duke shkuar shumë mirë edhe pse kemi pas disa probleme teknike sepse palestra ka qenë e zënë me ndeshje të volejbollit për dy ditë me radhë, por ne prapë kemi vazhduar me ushtrimet fal bashkëpunimit të mirë me KH Vjosa nga Shtimja, që i falënderoj nga zemra”, thotë Jashari për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Kryetari i klubit shprehet se kanë bërë disa lëvizje: “Angazhimi i Bordit ka bërë qe të realizojmë disa transfere me peshë për klubin tonë, e që kisha potencu që këto lëvizje kanë bërë që klubi të ndihet më komod dhe të rriten edhe pretendimet, si risi e momentit”!

Kastrioti do të ballafaqohet me liderin e tabelës dhe synon që t’i shkaktojë humbjen e parë.

Një përballje që pritet me drithërima nga tabori ferizajas por edhe tabori tjetër është në presion të madh pasi që Kastrioti ka ekip shumë më të fortë se në pjesën vjeshtore.

“Sa i përket ndeshjes në fundjavë me KH Rahovecin, për mua është si çdo ndeshje tjetër dhe mendoj që presioni bie mbi ta, përndryshe i çmoj shumë si ekip mirë e organizuar, me lojtarë shumë kualitativ dhe me një trajner shumë të mirë e me emër si Verim Zherka”, ka nënvizuar Jashari.
A besoni në fitore?

“A besoj në fitore ne ndeshje me ta? Po pse jo! Edhe ne kemi kualitet dhe djemtë tanë janë shumë te motivuar për rezultate pozitive, e mos të harroj një gjë që me mbështetjen e ferizajasve e në veçanti tifozëve tanë ‘Ujqit’ pikët do mbesin në qytetin e hendbollit!
Forca Kastriot, krenaria e qytetit
”, ka përfunduar Jashari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat