Fisnik Jashari për Kastriotin: Shikuesit po kthehen, do të provojmë deri në fund të arrijmë finalen 

Hendboll

Fisnik Jashari për Kastriotin: Shikuesit po kthehen, do të provojmë deri në fund të arrijmë finalen 

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 28 shkurt 2024 Në ora: 14:48
Fisnik Jashari

Kastrioti i Ferizajt tani është në tjetër nivel, tani ka tjetër ekip, nuk është ai i Kastrioti i 3-4 viteve të fundit, që ballafaqohej me kriza.

Nga ardhja në krye e Fisnik Jasharit, Kastrioti mori të mbarën, riktheu shikueshmërinë, rriti nivelin e lojës, rezultatet janë shumë më të mira dhe e ka bërë ekipin edhe më kërkues e më të frikshëm për skuadrat që pretendojnë trofe.

Kastrioti pretendon finalen e kampionatit apo të Kupës së Kosovës në hendboll (meshkujt).

Image

KH Kastrioti

Kryesia e re me kryetarin e ri Fisnik Jashari i dhanë një pamje tjetër klubit, që i ka munguar 3 - 4 viteve të fundit.

Kastriotit aktualisht është në vend të katërt me 20 pikë apo me 10 fitore e 7 humbje nga 17 ndeshje të deritashme. 

Image

Në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot”, Fisnik Jashari, foli për atmosferën, planet dhe synimet e klubit më të madh në Kosovë. 

“Bota sot”: Si e sheh Kastriotin në vazhdim të kampionatit, a mendoni se ka forcë që ta ndjekin edhe titullin edhe Kupën, kur dihet se ka potencial jashtëzakonisht të mirë pavarësisht humbjes në Ferizaj me rezultat 34:36 nga lideri Rahoveci?

Fisnik Jashari: Siç e pat edhe ju dhe mbarë dashamirët e hendbollit në përgjithësi në Kosovë, sidomos ferizajasit që janë goxha njohës të mirë të hendbollit, edhe pse patëm shumë gabime tona që realisht ndoshta na kanë kushtuar shumë. edhe portierët nuk ishin në ditën e tyre, ne prapë gjetëm forcën dhe i patëm mundësitë që të marrim rezultat pozitiv kundër Rahovecit, që dihet se Rahoveci e ka ecurinë shumë të mirë deri më tash pa asnjë humbje. 

Unë besoj se me punë në vazhdimësi dhe me eliminimin e këtyre gabimeve që i kemi bërë, pse jo top katërshja nuk do të diskutohet, do të provojmë deri në fund të arrijmë finalen, ta shohim çka do të bëhet.

“Bota sot”: Cili është plani i Kastriotit?

Fisnik Jashari: Plani i Kastrioti është puna në vazhdimësi, puna me gjenerata të reja.

Me rikthimin e lojtarëve tanë që kishim në qytetet tjera, e ka bë prapë Kastriotin që të jetë aty ku e meriton, e pse jo në të ardhmen që të jemi edhe më të mirë.

“Bota sot”: Sa ka qenë vështirë me kthye shikuesin, kur dihet se një kohë pati ikë nga palestra, tash me Rahovecin kanë qenë rreth një mijë shikues?

Fisnik Jashari: Nuk ishte e lehtë rikthimi i shikueshmërisë në palestër, është goxha e mundimshme dhe goxha lyp angazhim të madh.

Falë punës që kemi bë, nuk dua me mohu faktin që bordin drejtues që kam pranë vetes, që nuk hezitojnë në asnjë moment dhe bëjnë punë të palodhshme dhe puna e trajnerit edhe puna e lojtarëve që po bëjnë, ndeshjet e mira veç kemi filluar t’i shfaqim edhe publiku ka filluar që të rikthehet në palestër.

Shpresoj se kjo rrugë, kjo ndeshje që kemi kaluar me Rahovecin veç është pikëkthesa edhe më e madhe  e mbushjes në tërësi të palestrës “Bill Clinton”.

“Bota sot”: Play – off-i gjithmonë është i paparashikueshëm po ashtu edhe ndeshjet për kupë, cila ekip është më e papërshtatshme Rahoveci apo Besa apo kë e sheh si rival më “problematik” që mundeni mu ballafaquar në vazhdimësi të garave?

Fisnik Jashari: Realisht ndeshjet me Besën në gjysmëfinale apo me Rahovecin, prapë është rruga me shkuar në finale, të dy ekipet janë të mira nuk diskutohet edhe pse për Besën po flitet për disa kriza momentale ndoshta.

Për Rahovecin dihet se ka një ekip të kompletuar, një trajner të mirë që unë e vlerësoj shumë, cila do që të jetë ne do to luajmë letrat tona e do të tentojmë deri në fund.

“Bota sot”: Çfarë i duhet apo çfarë i mungon Kastriotit?

Fisnik Jashari: Kemi nevojë edhe për diçka më shumë, por na mungon  një element, që shpresoj me mundësi tona që kemi do të arrijmë këtë shkallë që të kalojmë në një nivel tjetër.

“Bota sot”: Kastriotin e morët në krizën me të rëndë, tash është në një pozicion tjetër. Cilat janë përparësitë e klubit për dallim nga vitet e kaluara?

Fisnik Jashari: Është e vërtetë kur e kam marrë ishte në momente të vështira dhe kritike klubi, ka pas vështirësi të mëdha, ka pas barriera të mëdha, tash e tutje unë prapë po hasi në këto barriera.

Si përparësi, si i hap i mirë është puna e grupit tim, puna e kryesisë, e shokëve të mi që kam pranë meje, angazhimi maksimal ka bërë që ne t’i kalojmë ato barriera.

Sot jemi shumë më të kapshëm në biznese kur dalim diskutojnë për mbështetje, për sponsorizim, e kanë kuptuar se është një grup i mirë, një grup korrekt, edhe puna e ka bërë që sot jemi në një nivel tjetër që po shpresojmë të bëjmë më të  mirën për klubin, për hendbollin ferizajas por edhe për hendbollin në përgjithësi. 

“Bota sot”: Me një kryesi të re, me djem të ri, të gjithë punojnë për një dhe një për të gjithë, a është një forcë përpara?

Fisnik Jashari: Kjo më bën më të lehtë punën për mu, që unë të jem më komod sepse puna që bëjmë si grup në përgjithësi në terren por edhe në organizimin e brendshëm dhe ndarjen e detyrave që kemi, mu ma ka lehtësuar shumë edhe pse ata djem më përgjithësi nuk kanë qenë të lidhur me hendbollin, mirëpo janë shumë të pasionuar ndaj sportit në përgjithësi edhe tash janë mishëruar, kanë dashuri për klubin e qytetit,

 E kanë pa se Ferizaj vërtet frymon me hendbollin, Ferizaj e meriton një Kastriot që të marrë primatin në qytet, pse jo në të ardhmen edhe në hendbollin e Kosovës.

“Bota sot”: Për fund?

Fisnik Jashari: Ishte kënaqësi. Faleminderit për intervistën, për mbështetjen që bëni për hendbollin në veçanti sportin në përgjithësi ju si gazetar dhe sigurisht gazeta “Bota sot” e sporti në “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat