Politika dhe qeverisjet shqiptare, “minierë rastësishë”

Kolumne

Politika dhe qeverisjet shqiptare, “minierë rastësishë”

Nga: Xhevat Mustafa Më: 6 shtator 2018 Në ora: 09:36
Xhevat Mustafa

Lista e rastësive që kanë lidhje të fortë, mesatare apo të paktë me politikën dhe qeverisjet shqiptare në këta afro 106 vjet pavarësi dhe shtet është e pafundme. Duke iu shmangur kthimit shumë prapa në kohë apo vështrimit të largët historik, po e filloj nëmërimin e rastësive nga   “gjetja” e Edi ramës prej Fatos Nanos në Paris dhe e sjelljes në Tiranë, në PS, më 1998, fillimisht në postin e ministrit të kulturës dhe pastaj si kryebashkiak i Tiranës për 3 mandate rradhazi…E dyta, mund të jetë “eleminimi demokratik“ i të gjithë kandidatëve për fronin e kryetarit të PS-së dhe lënia  e këtij posti “befasisht” apo “rastësisht” në duart e Edi Ramës… Por, për të keqen e PS-së dhe të mbarë vendit, qysh nga fillimi i kapjes së kolltukut të kryetarit të PS-së nga Edi Rama,  ka nisur dhe është masivizuar edhe dukuria e paramenduar apo “rastësia”, që njerëz të hurit e të litarit, të njohur për policinë dhe drejtësinë shqiptare dhe policitë dhe drejtësitë ndërkombëtare si elementë të inkriminuar dhe me disa emra nëpër dosje hetimesh disavjeçare, gjykatash, doganash…vërshuan të afrroheshin me PSSH-në dhe personalisht me kryetarin e saj…Edhe pse kishin sinqeritetin dhe kurajon të pranonin se intelektualisht dhe nga aspekte të tjera Edi Rama ishte “ndryshe” nga ata apo shumë më lart se ata, përsëri gjenin edhe disa pika të përbashkëta me atë. Vetë Edi Rama, edhe pse me shumë gjasa i përçmonte e përbuzte apo ndiehej shumë lart dhe larg njerëzve të “brumit të keq”, për nga trashëgimia, arsimimi, intelektualizmi, karriera në basketboll dhe pikturë, ishte i bindur se nuk duhej ta frenonte këtë “përrua llumrash”  që të bashkohej me “lumin” e partisë së tij dhe të elektoratit të saj. Sali Berisha si kryeministër dhe si kryetar i PD-së ishte plotfuqizuar, duke u bërë, ndier, duke u dukur dhe vepruar,  si i papërballushëm, i pakundërshtueshëm dhe i parrëzueshëm ndershmërisht apo pastërtisht në beteja apo në fushata zgjedhore allashqiptare. Berisha nuk rrëzohej nga pushteti apo nga “kali” me fjalime, diskutime, shkrime të tij, të Servet Pëllumbit, Ben Blushit, Erion Braçes, Arta Dades, Namik Dokles, Et’hem Rukës, Spartak Brahos, Anastas Angjelit, Arben Malajt, Shkelqim Canit,…Shprehur më popullorshe dhe sic ka pranuar me gojën e vet Edi Rama në një intervistë rreth 3 vjet më parë , atij mund t’i rrëzohej “kali” dhe mund t’i rrëmbehej pushteti dhe “skeptri”, duke vënë në pararojë të “ushtrisë socialiste” pikërisht “taborrin” apo “bandat”” e të fortëve, e bosëve të krimit, trafiqeve, korrupsionit…Nuk po ua përmend emrat, sepse edhe lista e tyre është e gjatë, edhe sepse prej kohësh janë bërë “bajatë” nëpër media dhe njihen mirë si nga ne shqiptarët, ashtu edhe nga shumë ndërkombëtarë në Tiranë, Bruksel, Amsterdam, Romë, Athinë, Londër...

Me “fitoren historike” në zgjedhjet e 23 qershorit 2013 u vërtetua apo dëshmua edhe “largpamësia” apo merita eskluzive e Edi Ramës për “aleancën” me bosë biznesesh dhe bandash. Por, shpejt ai do të kuptonte se krahas të mirës së marrjes së pushtetit nga duart e Berishës, duke lënë tek jo pak demokratë të vërtetë edhe dyshimin se me dështimet e tij “të rastësishme”, sidomos gjatë mandatit të dytë, ia kishte falur Edi Ramës me duart e veta pushtetin, pse jo, edhe sipas një marrëveshjeje…’8 vjet ne” dhe “8 vjet ju”, “nuk ju prekëm, nuk do të na prekni”, aleanca me të fortët kishte edhe jo pak të këqia apo rreziqe…Prurjet e reja të Edi Ramës në ekipet politike të “Rilindjes” apo në “bordin” e financuesve të saj, do t’ia bënin të qartë shpejt se nuk e kishin mbështetur bujarisht “rastësisht”, krejt dhe vetëm për idealizëm dhe militantizëm qorras fitoren e “Rilindjes”. Atyre u ishin shtuar dhe rritur edhe ambicjet karrieriste. Për meritat në fitore duheshin shpërblyer me “vepra” dhe jo me mirënjohje me fjalë apo letra bakalli. Kështu, erdhi një ditë dhe Edi Rama qe i detyruar të fuste në grupin parlamentar, në zyra kryetarësh bashkie, prefektësh, drejtorash të përgjithshëm…disa prej këtyreve apo njerëzve shumë të afërt të tyre, si p.sh, vëllezër gjaku apo “vëllezër” nëpër qelira…Në të njenjtën kohë, “papritur” apo “rastësisht”, në PS, e përfaqësuar me ekipet e “Rilindjes”, u pa me sytë e ballit e të ekraneve apo u përjetua dukuria e ngushtimit të hapësirës dhe e largimit të vullnetshëm apo me “imponim demokratik” të disa figurave përfaqësuese, elitare dhe kontribuese të së majtës si Arben Malaj, Shkëlqim Cani, Luan Hajdaraga, Et’hem Ruka, Taulant Dedja, Ndre Legisi, Marko Bello, Ben Blushi, Mimoza Hafizi…               

Pasi lejoi, siguroi dhe forcoi “aleancën” me këtë kontigjent, falangë apo establishment, Edi Rama u ndie dhe u bë, “befasisht” apo “rastësisht” edhe më agresiv në fjalime dhe veprime, duke ideuar, përgatitur dhe udhëhequr “me largpamësi” edhe demonstrata të dhunshme, si ajo e 21 janarit 2011, në të cilën u vranë katër bij nënash shqiptare. Edhe sikur, për të ngushëlluar sa do pak familjet e viktimave të pafajshme,  t’i faturohen apo lihen në derë këto katër jetë njerëzore atyre që ishin në pushtet, pra Sali Berishës dhe Lulëzim Bashës, përsëri, me logjikë të fortë juridike dhe analizë të sinqertë, jo paragjykuese, jo politike,  nuk mund të thuhet dhe pranohet me bindje të plotë se nuk kanë asnjë përgjegjësi morale, njerëzore, juridike…ata që i sollën dhe udhëhoqën në atë demonstrate të dhunshme, ku, “rastësisht”, kishte edhe mes turmës së tyre njerëz të armatosur. Apo se nuk u përjetua apo u përsërit kushedi për të satën herë tradita e vjetër e Enver Hoxhës dhe përgjithësisht e komunisto-socialistëve tanë dhe ndërkombëtarë  “vra natën dhe qaj ditën” apo “vra pas shpine dhe qaj para syve”. Gjykoj se shpreh shumë edhe kjo fjali e Tom Doshit më 25 shkurt 2015, në nisje të konfliktit të tij me Edi Ramën: “Kur të flas më tepër do dridhet nga themelet mazhoranca ”. Tani që për më shumë se 5 vjet i ka njohur shumë më mirë plot nga ortakët e tij me dosje voluminoze inkriminimi  apo “mëkatesh” edhe vetë Edi Rama, nuk mund të pranohet si “e rastësishme” që ai vazhdon t’i mbajë afër e në poste jo pak prej tyre, t’u falë tendera e koncesione për t’u bërë edhe shumë më të pasur,  t’i ndihmojë të dalin “të pafajshëm” në rrjetat e shklyera të drejtësisë shqiptare... Merret lehtë me mend arsyeja: i duhen shumë edhe për “fitoret” e ardhshme…Juridikisht dhe në “shqip” kjo mund të “përkthehet” edhe si “bashkëfajësi e paramenduar”.

Padurimi dhe agresiviteti i Edi Ramës me shokë e shoqe u kuptuan dhe shprehën hapur e frikshëm edhe me zbatimin e skenarit të bojkotimit për shumë muaj të Parlamentit, pa u shqetësuar fare se moskonsensusi i opozitës, pikërisht në atë kohë, për “koincidencë” apo “rastësi” dëmtonte drejtpërdrejtë e jo pak ecurinë e procesit të marrjes nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat për në BE, normalitetin, qetësinë dhe sigurinë e jetës së qytetarëve dhe të investitorëve të huaj… 

Seriali i pafund i “rastësive” në PS vazhdoi me histori të tjera. Kështu, “rastësisht” ministrit të brendshëm në mandatin e parë, 2013-2017, Saimir Tahiri,  na i dalin kushërinj disa pjestarë nga familja Habilaj, të cilët kishin pasur problem me drejtësinë italiane, greke, shqiptare, e tj. Më vonë, si zakonisht, “rastësisht”, po këtij ministri na i kapen në veturën e një biznesmeni, të Orest Sotës, rreth 850 mijë euro si dhe dy patenta për përdorim skafesh të ministrit dhe një patentë për veturë në emër të gruas së ti, “të harruar” nga shoferi i ministrit Saimir Tahiri.  Më vonë, “viktimë” e rastësive bie edhe pasuesi i tij, ministri aktual, Fatmir Xhafaj. Këtij na i del vëllai me probleme në trafiqe ilegale dhe me drejtësinë italiane…Disa muaj më vonë, më 30 qershor 2018, Xhafaj tronditet nga një “befasi” tjetër. Fjala është per “vetëvrasjen” e njerit prej shoferëve të tij…brenda ambjenteve të Gardës së Republikës… Në vijim, “rastësisht” kunati i tij është një nga ata që e kalon fare lehtësisht “rrjetën e imët të vettingut” në drejtësi…

Një “rastësi” tjetër është edhe kjo, fort shprehëse, nga teksti dhe nënteksti. Me  t’u bërë  kryeministër Edi, i vëllai i tij, Olsi, “braktis” me konsensus familjen në SHBA dhe vjen e bëhet bos, aksioner, multimilioner në Shqipëri, nëpërmjet favorizimeve të hapura apo të bëra vetëm nga fakti i të qenit vëllai i kryeministrit, nëpërmjet disa koncesioneve, sidomos në industrinë e naftës, energjetikë, në lojërat e fatit…Krejt “rastësisht”, qysh kur ai u fut në bisnesin e lojërave të fatit, tani më 2018, numri i tyre është rritur me rreth 3000, në krahasim me vitin 2013. Nuk mund të harrohet se atëhere,  Edi Rama premtonte shesheve të mitingjeve elekorale se do t’u bënte gjëmën lokaleve të tyre, duke ua mbyllur dyert shumicës. Lidhur po me Edi Ramën, “rastësi” e freskët është ardhja në fund korrik 2108 e Aleksandër Soros, djalit të Xhorxh Sorosit, të mikut të vjetër të tij, në Himarë dhe takimi miqësor mes tyre, në kuadër të një turi turistik apo politik të tij në Ballkan, me vizita në Shqipëri, Serbi, Kosovë…”Rastësisht” në të njenjtën kohë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, hedh në tregun politik dhe mediatik tezën e mykur serbe, me ndërrim “etikete” apo “ambalazhi”, për “korrigjimin” e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse qysh shumë vite më parë dhe tani, qysh në fillim “ëndrra” e Hashimit u kundështua hapur e fot nga shumica e qeverive të vendeve të BE-së, sidomos nga Gjermania dhe Britania e Madhe si dhe nga shumica e diplomatëve, ekpertëve dhe publiçistëve ndërkombëtarë dhe shqiptarë, Hashim Thaci po tregon edhe sot e kësaj dite se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga ky “pazar i pistë” dhe i rrezikshëm me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciç. Edhe ky  na është “rastësisht” edhe mik me Edi Ramën, edhe mik i vjetër me Xhorxh dhe Aleksandër Soros…

Duke e ditur se në partitë kryesore shqiptare në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Podgoricë,  nuk bëhet asgjë, ndoshta edhe vajtja në një wc, pa dijeninë e kryetarëve, mund të mendohet apo besohet se ky “serial i gjatë rastësishë” në majën e piramidës së PS dhe të qeverisjes së saj, nuk është “realizuar” pa u vënë re nga Edi Rama dhe se ai nuk ka se si të mos mbajë përgjegjësi dhe të ketë “penalizime”, qoftë edhe morale.

Shqipëria, një ndër vendet me pasuri më të mëdha nën dhe mbitokësore, me klimë për turizëm gjatë 365 ditëve dhe që mund të punësojë në këtë sektor të pakën 1 milionë të rinj e të reja, është edhe sot e kësaj dite në mos më e varfëra, e parafundit në Evropë për shumicën e treguesve të zhvillimit ekononmiko-social, të nivelit të mirëqenies dhe të politikave sociale, ashtu siç ka qenë edhe më 28 nëntor 1912, më 30 gusht 1928 ( dita e shpalljes mbret të Ahmet Zogut) , më 29 nëntor 1944, më 22 mars 1992…Të mos harrojmë: këto pasuri dhe shanse nga ZOTI janë “djegur dhe masakruar” më shumë nga robi, nga mendje dhe  duar shqiptarësh se sa armiqsh të huaj. A mund të quhet dhe justifikohet si “rastësi”, që ky realitet përkon me tezat dhe përrallat serbe, greke, ruse… se “shqiptarët nuk dinë të bëjnë dhe të mbajnë shtet”, se “shqiptarët janë barbarë dhe nuk meritojnë integrimin në BE”?

Po e mbyll këtu, për të shprehur “konkluzionin e huazuar” apo bindjen time subjektive: në politikë të gjesh një rastësi krejt “të rastësishme” është thuajse njësoj sikur të gjesh gjilpërën në mullarin e kashtës apo një grimcë floriri apo sheqeri në rërë. 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat