Mësuesi Tef Vokrri dhe dashuria proverbiale e tij ndaj nxënësve

Kultura

Mësuesi Tef Vokrri dhe dashuria proverbiale e tij ndaj nxënësve

Nga: Fazli Hajrizi Më: 7 mars 2019 Në ora: 18:57
Foto ilustrim

Mësuesit Tef Vokrri i urojmë nga zemra 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, duke i dëshiruar shëndet e pleqëri të mbarë! Mitrovica, vendlindja e tij e dytë, krenohet me mësuesin e devotshëm, Tef Vokrri, me emrin e të cilit janë të lidhura shumë suksese të shkollës shqipe në këtë mjedis e më gjerë.

Një urim gjithashtu i veçantë shkon edhe për bashkëshorten e tij, Resmije Saneja – Vokrri, veterane e arsimit.

Tef Vokrri para pak muajsh ka mbushur 90 vjet. Ai është një ndër emrat më të nderuar të shkollës shqipe në Mitrovicë, në Kosovë dhe më gjerë. Ishte njëri ndër mësuesit tanë më të përkushtuar, prandaj edhe sot është njëri ndër më të çmuarit në këtë mjedis. Gjatë punës së tij në edukimin e brezave të rinj e kanë shquar shumë cilësi: ngritja e lakmueshme profesionale, përkushtimi e dashuria ndaj misionit të mësuesit (edukatorit), pedantëria e saktësia, gatishmëria për të bashkëpunuar dhe për të ndihmuar të tjerët, sjellja korrekte dhe shumë e kulturuar ndaj nxënësve, prindërve, kolegëve etj.

Shkrimtari dhe filozofi i madh gjerman J. V. Gëte, në një rast, midis tjerash, thekson: “Të gjithë ata që na mësojnë, i quajmë mësues, por jo të gjithë e meritojnë këtë emër!” Mësuesi Tef Vokrri e meriton epitetin MËSUES. U lind në Hajmel të Shkodrës më 25 dhjetor 1928, në një familje me tradita patriotike, e njohur për mikpritje e bujari, besë e trimëri. Madhështia e familjes për të gjithmonë përbënte madhështinë e fisit dhe të atdheut.

Fëmijërinë e kaloi në vendlindje, në Hajmel të Shkodrës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa atë përkatëse për mësimdhënie e mbaroi në Korçë. Një kohë punoi në kurset analfabetike, mirëpo, për shkak të keqtrajtimit nga regjimi i diktaturës së kohës, pushkatimit të babait, burgosjes dhe torturave që përjetoi edhe vetë, u detyrua të largohet nga vendlindja. Kështu, pas shumë vuajtjesh e mundimesh arriti të kalojë në Kosovë, pikërisht në Mitrovicë, ku vazhdoi shkollimin e mëtutjeshëm. Pasi kreu katër klasë të Shkollës Normale me rezultate të larta, dhe vitin e pestë në Prishtinë, ku ishte njëri ndër nxënësit më të dalluar e më të kujdesshëm, mori diplomën e mësuesit të kualifikuar. Më vonë, pa shkëputje nga puna, studioi edhe në Fakultetin Juridik, të cilin e kreu me rezultate të larta. Profesionin e juristit nuk e ushtroi zyrtarisht asnjëherë, ngase ishte i lidhur me tërë qenien me arsimimin dhe edukimin e brezit të ri.

Në vitin 1964, u emërua mësues në shkollën fillore “Një Maji” (tash “Abaz Ibrahimi”) në fshatin Shupkofc afër Mitrovicës, ku arriti të luajë një rol shumë të madh në lëvizjen arsimore në këtë mjedis. Ishte njëri ndër mësuesit më seriozë, shumë i rregullt dhe i përpiktë në misionin e tij. Ishte sa dashamirës, aq edhe kërkues me nxënësit. Edhe pse në kushte e rrethana shumë të vështira, ai punoi me përkushtim, në heshtje fisnike, pa reklama e pa bujë për ndriçimin dhe përparimin e njerëzve të kombit të tij. Kështu, me emrin e nderuar që kish, me formimin dhe taktin që e karakterizonte, i sjellshëm dhe dashamirës siç ishte, ai fitoi zemrat e shumë të rinjve e të rejave, që e donim shkollën, fjalën e folur e të shkruar shqipe. Shumë të rinj e të reja ecën në gjurmët e tij, mbaruan të gjitha fazat e shkollimit: fillor, të mesëm e të lartë, madje disa syresh u bënë mësues si ai. Shumë suksese të shkollës fillore në fshatin Shupkofc lidhen me emrin e mësuesit Tef Vokrri.

Në vitin 1968, Tef Vokrri vazhdoi punën e mësuesit edukator në shkollën fillore “Bedri Gjinaj” në Mitrovicë. Edhe këtu u dallua në shumë drejtime. U dallua si mësues me moral të lartë e atdhetar i kulluar. Edhe këtu vazhdoi të rrezatojë njerëzi, dashuri, dije. U dallua si mësues i aftë me vizione të qarta teorike e praktike, me kulturën pedagogjike etj. Detyrën e edukatorit e çmonte si diçka të shenjtë. Mësuesi, sipas tij, përfaqëson dritën, dijen, të renë, të ardhmen e popullit dhe të vendit të tij. Ishte një mësues model, i cili, pos që i mësonte dhe edukonte nxënësit e tij, u ndihmonte edhe nxënësve të Shkollës Normale “Hasan Prishtina”, për të kryer praktikën dhe për t’u përgatitur për mësues. Përvoja dhe këshillat e tij u kanë hyrë në punë këtyre të rinjve gjatë karrierës së tyre si mësues. Të gjithë këta të rinj që kanë kryer praktikën tek mësuesi Tef Vokrri, gjatë karrierës se tyre si mësimdhënës, kudo që kane punuar, i kanë përdorur dhe shfrytëzuar këshillat dhe përvojën e tij, duke u përpjekur që të jenë punëtorë të kujdesshëm, korrektë, të rregullt dhe të dashur si ai. Organet e pushtetit komunist jugosllav qysh në fillim e kishin shpallur si njeri të padëshirueshëm, sepse angazhohej për të ndihmuar çështjen shqiptare, arsimimin dhe edukimin e brezit të ri, sidomos emancipimin e femrës shqiptare.

 

Image
Tef Vokrri

Në fillim të viteve ’90, kur arsimi shqip në Kosovë pësoi goditje të rëndë nga regjimi serb i kohës, mësuesi i vyeshëm Tef Vokrri, duke qenë se ishte në shënjestër të organeve të pushtetit serb, e pushuan nga puna. Megjithatë, ai nuk pushoi asnjëherë duke ndihmuar shkollën shqipe në forma të ndryshme. Vlen te theksohen edhe dy-tri gjëra që lidhen me jetën dhe veprimtarinë e Tef Vokrrit:

E para, për t’i thelluar dhe zgjeruar njohuritë e tij, ai studioi në Fakultetin Juridik, të cilin e kreu me rezultate të larta.

E dyta, meqë ishte i lidhur shpirtërisht me arsimimin dhe edukimin e brezit të ri, ai nuk e braktisi kurrë këtë profesion, edhe pse pati mundësi të kalonte në administratë, ku pagesa ishte më e mirë.

E treta, ka jetuar dhe vazhdon të jetojë matanë Urës së Ibrit me bashkëshorten e tij, Resmije Sanajen – Vokrrin, gjithashtu mësuese e denjë, veterane e arsimit dhe shkollës sonë. Tef Vokrri është njëri ndër ata pak mësues “emigrantë” në truallin etnik, që ka vendosur të jetojë në Kosovë, pikërisht në Mitrovicë, madje në pjesën veriore të qytetit, ku përditë ballafaqohet me ndeshtrasha nga më të ndryshmet.

Tef Vokrri, për shkak të moshës dhe te rrethanave që dihen, del shumë rrallë nga shtëpia e tij. Njerëzit që e njohin, i merr malli për të. Kanë dëshirë jo vetëm të rrinë e të çmallen me të, por edhe të mësojnë prej tij. Në pamundësi që ata të shkojnë matanë lumit Ibër për ta vizituar, mësuesi Tef Vokrri zhdirgjet pa përtesë në jug të qytetit. Vjen edhe atëherë kur e thërrasin në ndonjë manifestim që organizohet nëpër shkolla apo në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica. E nderojnë duke i bërë vend në rendin e parë të sallës. Kur pyesim ndonjërin prej ish nxënësve apo bashkëpunëtorëve të tij që të na i thonë, së paku, dy-tri fjalë për mësuesin Tef Vokrin, të gjithë shprehen përafërsisht kështu: “Tef Vokrri ka qenë, është dhe do të mbetet mësues model. Ai nuk duhet të mbetet nën hije sepse i ka dhënë shumë shpirt shkollës shqipe. Sot, në Ditën e Mësuesit e kemi mes nesh këtë natyrë të përkryer nga korrektësia, këtë njeri të rregullt, fisnik e dinjitoz, krenar e atdhetar, të urtë e të butë, të sinqertë e mendjemprehtë, të mençur e tepër bujar. Nuk mund të harrojmë mësuesin e përkushtuar ndaj atdheut e kombit, njeriun me shpirt të çiltër e zemër të bardhë, i cili, në ato kohë shumë të vështira, mbajti mbi supe barrën më të rëndë të padrejtësive. Nuk mund të harrojmë mësuesin e metodistin e shquar, i cili mbajti me nder e krenari këtë emër të shenjtë. Si mund të mos kujtojmë me nderim këshilltarin e matur e të mençur, atë që vështirësitë e jetës e kishin kalitur shumë dhe e kishin bërë të papërkulur. Ai dallohej nga të gjithë mësuesit e tjerë. E shquanin stabiliteti shpirtëror e karakteri i fortë, korrektësia e ndershmëria njerëzore, dashuria e toleranca. Ky njeri me sedër nuk u spraps asnjëherë para vështirësive dhe nuk ia shtriu dorën askujt. Ai është njëri ndër të rrallët që shpërndau dhe mbolli, kudo që shkoi, farën e dijës, mirëkuptimit e dashurisë. Këshillat që të shikojmë kah e ardhmja, mësimet se si të orientohemi, të ecim drejt në jetë, krah për krah me kohën, të cilën diku-diku i ka paraprirë, nuk harrohen kurrë. Në vete ai ka pasurinë e tij që e bën krenar dhe të pathyeshëm. Asnjëherë nuk mungon të shprehë, si medaljen, shenjën e mirësisë e krenarisë së ligjshme - emrin e babait të martirizuar, dashurinë për Shkodrën, djepin e qytetërimit tonë shqiptar, për vendlindjen, Hajmelin, ku pa dritën e kësaj bote, për të cilat ruan kujtime brilante! Mitrovicën e konsideron vendlindje të dytë, prandaj ka vendosur që t’i qëndrojë besnik deri në amshim!”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat