Vdiq Ejll Zagreda, aktivist i madh e i palodhur i çështjes shqiptare

Kultura

Vdiq Ejll Zagreda, aktivist i madh e i palodhur i çështjes shqiptare

Më: 6 maj 2019 Në ora: 20:11
Gjekë Gjonaj

Më 1 maj 2019, në New York të SHBA-së, ndërroi jetë një burrë fisnik, besnik, human e atdhetar EjllZagreda në moshën 94 vjeçare nga fshati Reç i Komunës së Ulqinit. Ky aktivist i palodhur e shumë i respektuar në komunitetin shqiptaro-amerikan, dhe jo vetëm, gjatë gjithë jetës së tij iu përkushtua me dinjitet familjes, vendlindjes dhe kombit të tij shqiptar të dashur.

Ejlli jetoi me dinjitet jetën e tij në vendlindje dhe në mërgim, duke i nxitur dhe fëmijët e tij të bënin të njëjtën gjë. Ai me cilësitë e tij që zotëronte është një shembull që të frymëzon për të bërë vetëm gjëra dhe punë të mira. Si i tillë, do të mbetet në kujtesën time e të shokëve dhe miqve të tjerë. Motoja e tij e jetës ka qenë puna me ndershmëri në të mirë të gjithë komunitetit pa dallim. Një burrë zotëri, me ia pasur lakmi. I dashur. I hareshëm e miqësor me të gjithë.

e tij të jetës e vijoi me nder, bujari, traditë dhe mikpritje sipas zakoneve e traditave shqiptare. Ishte dëshmitar i shumë hidhërimeve, gëzimeve e ngjarjeve si në vendlindjen ku jetoi një pjesë të jetës ashtu edhe brenda komunitetit shqiptaro –amerikan në Shtete të Bashkuara të Amerikës. Karakteristikë e tij është se gjithnjë ka qenë i dalluar për bujari e bamirësi të shprehur në çdo rast, që njerëzit i kanë kërkuar ndihmë, mikpritje me zemër të pastër shqiptari për të gjithë miqtë, dashamirësit dhe bujtësit e rastit, që kanë qëndruar në shtëpinë e tij.

Ejlli qysh i ri në Reç sikurse kujtojnë shumë miq e shokë të tij, ka pasur për zemër ndjenjat e zjarrta atdhetare. Në takimet e shpeshta të përbashkëta më fliste me pasion dhe respekt për historinë e lavdishme të burrave shquar të Malësisë dhe trevave tjera shqiptare , heroizmin e tyre ndër shekuj, dëshirat e zjarrta për liri dhe pavarësi.

Ai si aktivist i madh e i palodhur i çështjes shqiptare, mori pjesë aktive në shumë demonstrata antikomuniste, që organizoheshin para OKB-së dhe shtëpisë së Bardhë në Washington, D.C. Po ashtu ai mori pjesë në demonstrata për çështjen e Kosovës, kundër regjimit serb.Sa shumë e gëzoi Pavarësia e Kosovës.-Ai që nuk i përket kombit dhe atdheut nuk i përket askujt, më thoshte disa herë . Një Meritë e madhe e Ejllit është edhe formimi kombëtar i nipit të tij Mark Gjonaj, i cili sot konsiderohet ndër shqiptaro-amerikanët më të nderuar. Këtë rrugë atdhetarie e vazhdon me shumë dashuri edhe djali i tij KolëZagreda.

Falë bujarisë së madhe në shpirt EjllZagredaka kontribuar shumë në ndihma financiare dhe materiale, për të rindërtuar kisha, xhami, rrugë e objekte tjera të infrastrukturës, për të ngritur buste e përmendore figurave të shquara shqiptare, për të ndihmuar refugjatët kosovarë në kohën e gjenocidit serb në Kosovë, sikurse dhe shumë ndihma të tjera humanitare jo vetëm në Komunën e Ulqinit, por edhe në Malësi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e SHBA. Angazhimi i tij ishte i pranishëm kudo që ai gjendej, ai kontribuoi gjithnjë nën frymën e tolerancës, mirëkuptimit e dashurisë në mes njerëzve.

Zemra e tij ishte e hapur për të gjithë, sikurse edhe shtëpia e tij ishte gjithmonë e hapur dhe e mbushur plot me miq. Ai ishte një burrë model , një burrë që dinte të vinte të tjerët para vetes. I papërkulur edhe në momente të vështira.

Ai ishte dhe mbetet njeriu i vullnetit të mirë, i sukseseve të mira i dashurisë për njerëzimin, për shqiptarët e Kosovës, Shqipërisë, Maqedo0nisë, Luginës së Preshevës e Arbëreshët e Italisë dhe të tjerët kudo që ndodhen. Thoshte: I dua shqiptarët , mos më akuzoni pse i dua.

Ai e deshti vendlindjen, punoi për të dhe ia fali të gjitha ato që kishte.

Nderimi qe iu bë mikut tim të shtrenjtë dhe familjes së tij në funeralin FarangaBros në Nju-Jork, ditën e shtunë, më 4 maj, nga një numër i jashtëzakonshëm i shqiptarëve dhe amerikanëve, në mesin e të cilëve edhe personalitete të larta politike shqiptare dhe amerikane flasin më së miri për vlerat e tij, që familjarët e tij , fëmijët, nipat, mbesat, dhe ne të gjithëve na bëjnë krenarë.Në këtë ceremoni mortore, në të cilën në emër të komunitetit shqiptaro-amerikan, për jetën dhe veprimtarinë e tij, foli Gjekë Gjonlekaj, u dallua në mënyrë të veçantë pjesëmarrja e Batalionit “ Atlantiku”.

EjllZagreda për mua ishte një prind i dytë, një njëri i fjalës, i besës. Do ta mbaj mend si një njeri të rrallë. Si një njeri të qeshur e plot jetë. Si një njëri zemër mirë,që ishte rritur në vuajtje, por që vuajtjet kurrë si duronte. Si një bir shqiptar që diti të ruaj dhe të promovojë vlerat e vërteta të traditës së bijve shqiptarë , i cili do të jetë frymëzim jo vetëm për fëmijët dhe të afërmit e tij, por edhe një shembull i mirë për të ardhmen.Si një shqiptar të ndershëm e fisnik, me virtyte të larta njerëzore e formim të pastër kombëtar.

I lehtë të qoftë dheu i vendlindjes që aq shumë e deshti dhe që gjithçka ia fali me besnikëri dhe fisnikëri!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat