Histori e bukur e një plisi të bardhë - Bota Sot
Histori e bukur e një plisi të bardhë

Kultura

Histori e bukur e një plisi të bardhë

Nga: Sadik Elshani, Shaip Elshani Më: 18 gusht 2019 Në ora: 06:17
Shefket Elshani

Plisi apo siç njihet në popull edhe me emra të tjerë: kësulë, qylah, qylaf, qeleshe, kapicë, kapuç, kapele, varësisht nga krahina etnografike, zë një vend të vecantë në kuadër të veshjes popullore. Është ndër pjesët më të rëndësishme e më karakteristike të veshjes sonë kombëtare, që e mbulon kokën e që menjëherë bie në sy. Së bashku me gjuhën dhe traditat tona, plisi është simbol i identitetit kombëtar shqiptar, i cili u trashegua dhe u rujat që nga kohët pellazgo – ilire e gjer në ditët tona. Përveç përdorimit praktik: mbrojtja nga të ftohtit, shiut e diellit të fortë, plisi simbolizon, shpreh krenarinë kombëtare, qëndresën, mosnënshtrimin ndaj pushtuesve të shumtë, pastërtinë morale, ndershmërinë e popullit tonë. Plisi është nga ato simbole që e identifikon shqiptarin në një turmë njerëzish që nga largësia, ende pa patur mundësi që ta këmbesh një fjalë me të.Shqiptari ndër shekuj e ka ruajtur me xhelozi e krenari këtë simbol. Deri aty kah vitet e 50-ta të shekullit të kaluar gati të gjithë meshkujt në Kosovë, duke filluar nga mosha e hershme e djalërisë e kanë bajtur në kokë plisin apo kapuçin e bardhë, siç i thonë në Kosovë (sidomos neper fshatra). Kur kostumet kombëtare nuk janë përdorur më si veshje e përditshme, plisi është përdorur edhe me veshje qytetare. Ata që nuk e kanë bajtur plisin, që kanë shkuar kryeshtruet, nuk janë parë me sy të mirë nga popullsia, janë konsideruar si jokombëtarë, të pamoralshëm, “të dalur fare”. Vëllau ynë i madh, Shefketi (ndjesë past), ka qenë i atij brezi që gjithmonë e ka mbajtur në kokë plisin e bardhë, verë e dimër, atë ne kurrë nuk e kemi parë pa kapuç në kokë. Ai ka qenë atdhetar, njeri i traditave tona më të mira: besës, miqësisë, mikpritjes, nderit, bujarisë, muhabetit e që me shumë dashuri e krenari e mbante plisin në kokë. Plisi për të ishte si një relike, si diçka shumë e shenjtë dhe ai gjithmonë i mbante plisat e cilësisë më të lartë, formave më të mira dhe gjithmonë të pastër, të bardhë si bora

Artistët shkodranë në Suharekë (Therandë)

Në qershor të vitit 1980 në qytetin tonë kishte ardhur për të dhënë shfaqje trupa e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës me dramën “Baca i Gjetajve” të dramaturgut, Fadil Kraja (1931), ndërsa rolin kryesor e luante aktori i njohur shqiptar, Ndrek Luca. Për shfaqjet teatrore, grupeve muzikore nga Shqipëria interesimi ishte i jashtëzakonshëm. Edhe pse sallat ishin të mbushura përplot deri në maksimum, jashtë sallës kishte plot njerëz që nuk kishin mundësi të hynin brenda, sepse ishte e pamundur, ata donin të ishin pjesë e këtyre casteve të gëzueshme e atdhetare. Në këto shfaqje shqiptarët përveçse i shijonin këngët e valle e bukura shqiptare, lojën e aktorëve, sportistëve, ata e shfrytëzonin rastin që të shprehnin dashurinë për Shqipërinë, ishin raste të rralla ku mund të takonin vëllezërit e tyre të një gjaku. Për shfaqjen në fjalë unë nuk kam qenë i pranishëm, sepse atëherë isha duke studiuar në Zagreb të Kroacisë dhe ishte e pamundur që të isha në Suharekë/Therandë. Ngjarjen e mëposhtme po e tregoj në bazë të rrëfimeve të vëllezërve të mi, Shefket e Shaip Elshani, të cilët kanë qenë të pranishëm në këtë shfaqje. Edhe kjo shjaqje si dhe shumë të tjera më parë ishte pritur me entuziazëm, duartrokitje, brohorima. Herë pas here salla shpërthente me brohorimat: “Jemi me ty Bacë”! Ishin këto çaste kur shqiptarët e Kosovës e shprehnin hapur dashurinë për Shqipërinë dhe urrejtjen për regjimin jugosllav. Pas shjaqjeve, derisa artistët shkonin në autobus, apo për darkë ne i shfrytëzonim këto raste për t’u takuar me ta, për të këmbyer ndonjë fjalë edhe përkundër përcjelljeve të autoriteteve vendore, por edhe shoqëruesit e artistëve nga Shqipëria (sigurimsat – këto gjëra ne nuk i dinim atëherë) mundoheshin që t’i ndalonin ata për të biseduar me ne që ishim shumë të përmallshem e shumë kurreshtarë. Histori të shkuara…

Image

Pas përfundimit të shfaqjes mikpritësit dhe artistët nga Shkodra kishin shkuar për të darkuar në restorantin e fabrikës “Ballkan” që ndodhej në anën tjetër të rrugës, përballë Shtëpisë së Kulturës. Restoranti ka patur një arkitekturë mjaft modern, në katin e parë ka qenë menza e punëtorëve, ndërsa në katin e dytë ka qenë bistroja dhe restoranti në shërbim të qytetarëve. Një pjesë ka qenë e ndarë për raste, festa, dreka e darka të psaçme, si ajo për artistët shkodranë. Pas shfaqjes edhe vellezerit e mi, Shefketi, Haliti, Shaipi, kushëriri, Sadri Azem Elshani dhe disa shokë të tjerë kishin shkuar në të njejtin restorant, por në pjesën për publikun e përgjithshëm, duke shpresuar se do t’i takonin aktorët shqiptarë. Ata ishin ulur dhe po pinin diçka e po bisedonin dhe pas një kohe, befas, aktori Ndrek Luca dhe një aktor tjetër, emri i të cilit tani nuk u kujtohet vëllezërve të mi, e kishin lënë grupin e tyre dhe kishin shkuar te tavolina ku ishin ulur vëllezërit e mi. Vëllau ynë, Shefketi, atë natë e kishte patur në kokë një plis shumë të bukur, si për festë, si për atë rast të veçantë. Me siguri kjo i ka ra në sy aktorit, sepse plisi i ka identifikuar ata si shqiptar me orientim kombëtar.

Image

Ata i kishin ftuar aktorët që t’u bashkangjiteshin atyre, Ndrek Luca dhe aktori tjetër ulen në tavolinë dhe pasi i këmbejnë përshendetjet dhe fjalët e rastit, Ndreka ia merr vellaut plisin nga koka dhe e përkëdhel me shumë përzemërësi e dashuri: “Shiko sa i bukur që është!” Ata kishin ndenjur për një kohë dhe Ndrek Luca gjatë tërë asaj kohe e kishte mbajtur plisin heëe në duar e herë në koke. Kushëriri Sadriu iu kishte drejtuar: “Bacë mere një llozë”. (Në Kosovë rakisë së rrushit i kanë thënë shkurt, llozë, nga serbokroatishtja, për llozovaça). Ndrek Luca me atë mënyrën e tij, me humor iu kishte përgjigjur: “Hiçja atë lloz - raki rrushi”. Ndërsa vëllaun tim, Shaipin, që atëherë ishte student ne Universitetin e Prishtinës, e kishte pyetur se çka po studionte. Kur Shaipi i kishte thënë se po studionte gjuhën ruse, edhe atij iu kishte drejtuar me atë stilin e tij karakteristik, duke bërë pak gjeste, shprehje me sy e fytyrë: “Na duhet për t’i shfletuar ato dokumentet e vjetra”. Kishin ndenjur sa kishin ndenjur dhe kur kishte ardhe koha për t’u larguar Ndrek Luca po ia zgjatë dorën që t’ia jepte plisin vëllaut tim, por vëllau im kurrësesi nuk kishte pranuar: Jo, Bacë, nuk e marrë prapë plisin, të qoftë fale, tani ai është i yti”. Ndrek Luca ishte munduar që t’ia këthente plisin: “Po si ta marrë, shiko sa i bukur që është!” Vëllau përsëri kishte ngulur këmbë se nuk mund ta merrte prapë plisin dhe se po ia dhuronte me gjithë zemër dhe dhe e kishte uruar: “E bafsh me shëndet Bacë”! Në largim e sipër Ndreka u kishte thënë atyre se së shpejti do të lunate një rol në një film dha atë ai do ta lunate më këtë plis. Disa të njohur u kishin thënë vëllezërve të mi se ishin në qendër të vëmendjes të punonjësve të sigurimit vendor dhe atij krahinor dhe se duhet të kishin kujdes. Ne atëherë nuk e çanim fort kokën për këso punë langojsh e zagarësh.

Të fala

Në vitin 2013, me rastin e 20 vjetorit të ndarjes nga kjo botë të aktorit Ndrek Luca, aktori dhe regjisori, Mevlan Shanaj, kishte përgatitur një dokumentar me titull: “Të fala”, me skenar të poetes e skenaristes, Natasha Llako. Për titullin e këtij dokumentari regjisori Shanaj është shprehur në një intervistë: “Të fala ndoshta është një nga shprehjet më të rëndomta në gjuhën tonë…por Ndreka e kishte ndoshta krejt të tijën, pasi ishte një njeri që tregonte gjithnjë shpërnguljen në formë dashurie për Shkodrën dhe Malësinë. Mbeti pjesë e tyre”. Por aktori ynë i madh sa herë që kishte patur mundësi i dërgonte të fala edhe vëllaut tonë. Pas demonstrative të studentëve të vitit 1981, bashkëpunimi kulturor në mes të Shqipërisë dhe Kosovës u ndërpre fare, nuk vinin më grupe muzikore, teatrore e sportive. Por, kishte lëvizje të rralla të njerëzve qe kishin lidhje familjare në Shqipëri dhe anasjelltas. Këto raste nganjëherë i shfrytëzonte aktori për t’i dërguar të fala vëllaut tonë. Të kthehemi te dokumentari. Dokumentari është një homazh, nderim për figurën e aktorit Ndrek Luca, jetën dhe veprën e tij artistike, rolet e shumta në film, teater e televizion. Por, ajo që na tërhoqi vëmendjen tonë, ishte rrëfimi i bashkëshortes së tij, zonjës Mimika, për çastet e fundit të jetës së aktorit. Ai atë ditë si zakonisht ishte kthyer nga puna, por nuk e kishte ndier veten mirë dhe i kishte kërkuar bashkëshortes valium, ndersa ajo ishte përgjigjur se nuk kishin. Atëherë ai sikur e kishte ndier se ato ishin çastet e fundit të jetës së tij, i kishte lënë bashkëshortes disa porosi dhe i kishte kërkuar që t’ia sillnin qeleshen. Sç duket ai e kishte ruajtur atë qeleshe si një relike, si diçka të shenjtë, ndoshta ia kishte kujtuar Kosovën, mikpritjen, dashurinë vëllazërore dhe historinë e saj të lavdishme. Ia kishte kujtuar atë takim spontan, të ngrohtë e shumë vëllazëror, prandaj nuk mundte të largohej nga kjo botë pa atë simbol, pa diçka të asaj pjese tjetër të kombit tonë. Në këtë dokumentar nuk përmendet kjo histori e qeleshes, prandaj në këtë shkrim modest ne po i sjellim këto të dhëna nga burime të dorës së parë për të plotësuar, për të përjetësuar këtë rrëfim të bukur, këtë rrugëtim të atij plisi që do ta shoqëronte aktorin tonë të madh gjer ne frymën e tij të fundit. Në një intervistë dhënë gazetarit Milaim Zeka në emisionin e tij, “Pa rrotlla”, zoti Shanaj e përmend se atë qeleshe ia kishin dhënë Ndrek Luces në Kosovë, por nuk e dinte si dhe kush ia kishte dhënë. Atë ia kishte dhuruar vëllau yne, Shefketi, i cili ishte shumë i lumtur e krenar qe i kishte dhuruar atë plis aktorit tonë të madh.

Pas një postimi të shkurtër të këtij shkrimi në Facebook, zoti Besim Malota, tani me banim në Amerikë e që ka patur njohje me aktorin Ndrek Luca, bëri disa komente që hedhin dritë për disa detale (imtësi) rreth këtij plisi të bardhë e që i plotëson bukur ato që u thanë pak me lart: “Ky tregim është plotësisht i vërtetë. Në mbrëmje kam vajtur për ngushëlime të familja e Ndrek Lucës dhe më bëri përshtypje qeleshja e bardhë që mbante në kokë i ndjeri Ndrek Luca. Pasi u shprehëm ngushëllime Gjergjit dhe bashkëshortes së Ndrekës, unë e pyeta Gjergjin për qeleshen e bardhë dhe përgjigjen e mora nga Mamica. Ajo më tregoi se këtë qeleshe të bardhë Ndreka e ka kujtim nga Kosova. Me këtë qeleshe i ka luajture të gjitha rolet ne filmat dhe dramat në Shqipëri. E ka lënë AMANET TA VORROSIM ME TË SE KËSHTU DO T’I KAM GJITHMONË PRANË VËLLEZËRIT E MI NGA KOSOVA. Me mua ishin edhe dy deputetë të Partisë Demokratike, shkrimtari i njohur Rudolf Marku dhe Abdi Baleta dhe baskëshortet tona. Të nesërmen Ndreka është varrosur dhe këtë qeleshe të bardhë e kishte në kokë”. Pastaj zoti Malota vazhdon: “Unë nuk e dija se kush ia kishte dhënë atë plis Ndrekës, por një gjë e di nga vetë goja e Ndrek Lucës se, atë plis e mbante me krenari dhe ishte dhurata më e mirë që ai kishte marrë ndonjëherë. Ai plise i bardhë bëri jehonë të madhe në Tiranë gjatë ditëve të mortjes së Ndrekës”.

Dy personazhet e këtij shkrimi nuk janë më në mesin tonë, Ndrek Luca u nda nga kjo botë në vitin 1993, ndërsa vëllau ynë në vitin 2016. Aktori ynë i madh na ka lënë të regjistruara rolet e tij antologjike, të papërsëritshëm, ndërsa vëllau ynë qysh në vegjëli është kujdesur për familjen duke u ndihmuar prindërve në fushë e pastaj duke u bërë një tregtar e afarist shumë i suksesshëm. Por, neve na ka mbetur në kujtesë edhe kjo histori e bukur e një plisi të bardhë si bora, ashtu siç ishte e bardhë dhe e pastër jeta e aktorit Ndrek Luca dhe vëllaut tonë të dashur, Shefket Elshani. I paharrueshëm qoftë kujtimi për ta!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...