Di aq sa s’di asgjë

Kultura

Di aq sa s’di asgjë

Nga: Ali Hertica Më: 4 nëntor 2019 Në ora: 10:35
Ali Hertica

Për të qenë dikush i tillë në një rreth të caktuar shoqëror, patjetër si karakteristikë të përgjithshme duhet të disponoj: inteligjencë të nivelit të konsiderueshëm, virtyte të larta morale, karizëm reflektues, si dhe aftësi të treguara profesionale në bazë të meritave gjatë një periode kohore në punë. Në kuptimin e ngushtë profesional, individët autoritativ, kur janë të dalluar për një fushë të caktuar, në të shumtën e rasteve konsiderohen edhe si “ekspertë”, apo “autoritete të profesionit”. Këta si veçori të përgjithshme i karakterizon: titulli i nivelit arsimues në profesion, eksperienca e duhur, rezultatet e shumta të treguara në atë fushë, dhe, patjetër, në rend të parë duhet të kenë respekt të lartë nga vetë kolegët e profesionit të tyre të ngushtë. Këta njerëz të “autoritetit të meritës”, apo ekspertë të profesionit, vazhdimisht në vete ndjejnë mangësinë e dijes dhe konsideratës së duhur ndaj të tjerëve, kështu që, përmes përsosjes gjithnjë në rrjedhojë, janë në kërkim permanent të këtyre vlerave. Thjesht, ata për vete mendojnë si në frymën e atij postulati sokratian: “Di aq sa s’di asgjë!Fatlumsisht, kemi mjaft; fatkeqësisht, në këtë shoqërinë tonë kurrkujt nuk i nevojiten, sepse sot pakkush i kërkon. Më së paku mund t’i gjesh aty ku vendoset nga lartë – në pushtet. Ata s’janë aty, sepse nuk dinë të vardisen; nuk dinë të imponohen dhe as të lajkatojnë, prandaj edhe me arsye të plotë nuk janë në ato vende ku ne jemi mësuar t’i kërkojmë zakonisht.

Përveç autoritetit të mirëfilltë të meritës, si më shpesh në praktikën tonë të përditshme kosovare hasim në personalitete të ashtuquajtura, si: “autoritete të karriges”. Këta individë të pajisur me këtë lloj autoriteti, në krahasim me të parët, respektin e të tjerëve ndaj tyre nuk e ndërtojnë mbi bazat e vlerave të sipërcekura subjektive, por mbi vetë autoritetin objektiv ekzistues institucional ku punojnë, apo në krye të së cilës gjenden aktualisht..

Vërtet është përjetimi i radhë kur pa nda të kërkon çdo kush; kur të gjithë të tjerët kanë nevojë për ty. Sa kënaqësi është kur edhe të panjohurit të përshëndesin në rrugë; në cilindo lokal ku hynë, tjetërkush pagunë për ty. Por, nga të gjitha këto “lezete”, si më e preferuar është kur i lusin gazetarët dhe mediat. Kuptohet, nëse në atë moment, nuk janë eventualisht në ndonjë “mut-aferë”. Edhe pse si ftesë e mezipritur, as atyre menjëherë nuk i thonë “po”, por: “caktoni terminin tek sekretaresha ime”, “së pari më duhet ta shikoj agjendën e aktiviteteve javore”, “ju lutem, lajmërohuni më vonë”, “dëgjohemi nesër”… janë disa prej arsyetimeve të zakonshme për zhegitje të qëllimshme taktike që praktikisht krijojnë efekt më të madh për autoritetit.

Fjalitë me zhargone shabllonistike të mësuara përmendësh dhe përdorimi sa më i shpeshtë i shprehjeve të huaja në dialekt, është stili i “pasur i komunikimit elokuent” i intervistave të tyre nëpër medie, si: multietnicitet (shumëkombësh), oportunitet (përshtatshmëri), reciprocitet (dyanshmëri), informalitet (jashtligjshmëri), kredibilitet (besueshmëri), aproksimativitet (përafërshmëri)… Sa më të pakuptimtë dhe më të koklavitura të janë këto shprehje, aq si më të mençur i vlerësojmë ne ata.Kështu në fund, mbase përfundon fati i “autoritetit karrige”! Por, kurrë diçka e ngjashme, nuk mund të ndodhi me autoritetin meritë…!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat