Ritmikë e pandalur

Kultura

Ritmikë e pandalur

Nga: Naxhije Doçi Më: 11 dhjetor 2019 Në ora: 16:36
Naxhije Doçi

Në arkitekturën e jetës

vitet hapërojnë të njëpasnjëshme

të flakëruara përgjithëmonë

si magji të përkryera hirësie

me peshën e përjetimit unikat,

ritmikë e pandalur

që nga fill i gjallërimit mbi dhe,

Padiktueshëm shkojnë si uji nën urë

me shpresa të pafundme

në përqafim të diellit,

arkivim mbresash të çiltëra

binareve të veta në hulumtime

herë në paqe e herë me dallgëzime.

Ato më të bukurat,

çmenduritë e rinisë së përflakur

mrekulli magjepse me jeh frymëzimi

që nuk harrohen kurrë,

barten në krah të erërave

si përmallim i djegur.

Harkut të ëndërrave

vitet pulsojnë për ardhmërinë

pafundësisë së dëlirë,

galaktikë më vete si tërësi zgjimi

përherë me jeh të derdhur frymëzimi

në hapje shtigjesh të reja

me ngrohtësi dashurie

Kurrë nuk e pushojnë hapin

për ta gëdhendur thellësinë e dëlirë

strukur poreve të zemrës

për trashëgiminë e përtërirë.

ujëvarë krenarie.

Në kujtime ruhen vetëm rrëfimet

nga përjetimet mal i pashkelur,

ato copëza të ndezura jete

shkrirë në melodi numërimi,

shpërthejnë shtigjet e përmallimit

krejt të pamatura

në përshëndetje kohësh të ikura.

Vitet në mua jeh e valë

me rrudha të shtuara në ballë,

reliev i dalldisur

në rrjedha përkushtimi qëndisur,

bashkë edhe me flokun e bardhë

flakërimë bore.

Prishtinë – 10. 12. 2019

MËNGJES NË ZBARDHËLLIM

Mëngjes i bekuar në zbardhllim

dhe unë ende në vardisje vargu

harkimit të dëlirë

në përthekim kronikash të ikura

se ashtu rebelohen frymëzimet

ato hirësi hyjnore të fshehura

me jeh të ndezur rrëzëllues.

Poreve të bllokuara të zemrës

impulsohet thellësi e dehur skofiare

heshtur nëpër kohë amorfe

me tkurrje të pakuptimta zymtësie.

Nëse nuk i akordoj mënjëherë

meloditë e sublimes vezulluese

si vegim i ruajtur në rrjedha jete,

t’iu jap krah zogu në fluturim

gurrë-mendimeve të kristalta,

nuk mund t’i kthej më të mirëfillta

të ngrohta me hukamë purpuri.

Dhe atëherë

brenda pendimit ngulfatës

bymehet ndjeshmëri e ngacmuar

për bjerrakohën pa formë

në përballje me shfajsimin.

Peizazheve të shirta stinore

përtritja e fshehtësisë së virgjër

me dehje të harlisura guximi

sublimë e paskaj

si gjerdan koralesh i kulluar,

lumturi përkëdhelëse e patravaj.

Poezi nga libri im” Udha e kombit” – 2015 -Naxhije Doçi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat