Nexhmije Pagarusha, meteor, që ndriçoi në qiellin mbarëshqiptarë

Kultura

Nexhmije Pagarusha, meteor, që ndriçoi në qiellin mbarëshqiptarë

Nga: Tefta Cami Më: 10 shkurt 2020 Në ora: 22:58
Nexhmije Pagarusha

Ndieva dhimbje, kur dëgjova lajmin, se emblema e shkollës së  këngës e të muzikës shqiptare ka ndërruar jetë. Natyrisht vetëm fizikisht, sepse ajo na ka lënë pas mesazhin e pavdekësisë:”Ata që kanë punuar e punojnë për interesat kombëtare në të gjitha fushat e sektorë, kanë mbetur e mbeten gjallë në përjetësi në altarin e kombit shqiptarë”.

Na ka lënë zërin e saj melodioz me këngët e saj, që do të dëgjohen e frymëzohen breza të tërë shqiptarë në pafundësi. Me zërit e saj të veÇantë melodiozë e të papërsëritshëm deri tani të  qindra e qindra këngëve na ka përcjellë mesazhe filozofike të pafund të bukurive e pasurive natyrore të trojeve shqiptare këtej e përtej Drinit, që ta duam atdheun dhe popullin tonë, na ka dhënë mësime e mesazhe të fisnikërisë e burrërisë të shqiptarëve kudo ku jetojnë, të trimërisë e të heroizmit mbarëkombëtarë ndër shekuj në luftra, për të fituar lirinë e pavarësinë nga pushtuesit e huaj, për të gëzuar, si të gjithë popujt e Europës dhe të Botës lirinë, barazinë dhe vëllazërimin me vëllezërit e trojeve shqiptare të ndarë e përÇarë në fillim të shekullit të kaluar nga Fuqitë e Mëdha,si asnjë popull tjetër në Botë, në 6 shtete.

Kisha dëgjuar prej disa vitesh për këngëtaren e shquar shqiptare të Kosovës, Nexhmije Pagarushën. Në vitin 1979 u gëzova që m’u dha rasti si ministre ta pres e të bisedoj me përzemërsi me të në pritjen, që i bëra Nexhmijes dhe këngëtarit të shquar Bashkim PaÇuku nga Dibra e Madhe, yezja e të cilit, Siadeti ishte bashkëshortja e xhajës tim , si dhe disa instrumentistë. Ishin ftuar nga RTVSH, për të bërë inÇizime të këngëve të fondit të tyre. Biseduam vëllazërisht, aqsa nuk e kuptuam sesi kaloi ora. Sa mirë kemi vepruar, që janë inÇizuar Nexhmija e Bashkimi në ato vite të lulëzimit të zërit të tyre që, me siguri, ruhen me shumë kujdes në fondin e Arkivit të  RTVSH. Nga RTVSH gjatë atyre viteve janë inÇizuar edhe shumë këngëtarë e instrumentistë të tjerë nga Kosova e viset e tjera shqiptare nga Maqedonia e Mali i Zi.

U lumturova që e takova përsëri Nexhmije Pagarushën ,kur shkova në Kosovë në vitin 2010, me rastin e 30 vjetorit të vizitës time si ministre e Arsimit dhe Kulturës të RPSSH. U takuam tek familja e të ndierit prof.Ymer Jaka, ish-Sekretarin KE të Arsimit, Kulturës e Shkencës të KSA të Kosovës. Pavarësisht nga vitet që kishin kaluar, Nexhmija ruante po atë freski e bukuri, elegancë dhe gjallëri. Aty pata rastin të takoj e ngushëlloj nënën e Ymerit, Deten e të shoqen Melihanë, si dhe Edi Shukriun për babain e saj, patriotin Muhamet Shukriun, i cili ka qenë nismëtari dhe organizatori i restaurimit të Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. U ngazëllyem me Nexhmijen, që u takuam përsëri në Kosovën e Lirë e të Pavarur, për të cilën kishim endërruar e punuar. Nexhmije Pagarusha me talentin e saj ka qenë e mbetet një flakadan, që jepte thirrje të fuqishme, për t’u ndezur zemrat e të gjithë shqiptarëve këtej e përtej Drinit për kushtrim e mobilizim për Çlirimin e pavarësinë e Kosovës. E ka kryet me dinjitet misionin ndaj kombit shqiptarë!

Me këtë rast u përcjell ngushëllimet e mija familjarëve e të afërmëve, miqve e shokëve dhe gjithë punonjësve të kulturës e të artit shqiptarë për largimin nga jeta të misionares së këngës shqiptare, Nexhmije Pagarusha!

Lamtumirë dhe u prehësh në paqe, Nexhmije Pagarusha!

Përkulem me nderim e respekt para jetës dhe kontributit të shquar të Nexhmije Pagarushës!

Tefta Cami-ish-ministre e Arsimit dhe Kulturës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat