Modeli i mësuesit ideal

Kultura

Modeli i mësuesit ideal

Nga: Zymer Mehani Më: 12 shkurt 2020 Në ora: 20:46
(Dedikim prof. Abdullah Blakçorit nga Podujeva, me rastin e pensionimit)

Vetëm edukimi është ai që bën dallimin mes individëve. Përderisa prindi edukon një fëmijë, mësuesi edukon të gjithë shoqërinë, prandaj ai është më tepër se aq. Ne të gjithë kemi nevojë për mësues ideal që të ndërtojmë të ardhmen e ndritur, të cilën të gjithë e kërkojmë.

Meqë shkolla për nxënësit është ambienti ku kalojnë pothuajse pjesën më të madhe të kohës, janë mësuesit ata që i mësojnë dhe i edukojnë.

Me mësues ideal unë nuk kuptoj vetëm kualifikimin e tij në një lëndë të caktuar dhe aftësinë e tij për ta shpjeguar atë. Sigurisht që një mësues ideal duhet t’i ketë këto cilësi, por jo vetëm. Që të quhet i tillë një mësues duhet të jetë i aftë të kuptojë psikologjinë e nxënësit e ta ndihmojë atë në çdo rast. Ai nuk përdor asnjë lloj dhune apo diskriminimi ndaj nxënësve. Me anë të fjalëve të tij ai e bën nxënësin të kuptojë dhe të reflektojë për çfarë bën. Për një mësues ideal nuk ka kurrë mendime të gabuara. Ai di ta vlerësojë çdo mendim të tij dhe ta motivojë nxënësin të kërkojë më shumë nga vetja. Por që një mësues ideal të ketë të gjitha këto, duhet që profesionin e tij ta ndiejë dhe çdo veprim e këshillë ta japë me zemër.

Mësuesi ideal është i veshur me ideale të larta edukimi e principe të vlefshme për jetën. Mbaj mend që në klasë të të parë të shkollës së mesme në Podujevë isha shumë i përqëndruar te profesori i gjuhës shqipe dhe i letërsisë, z. Abdullah Blakçori. E dëgjoja me vëmendje dhe fiksoja çdo fjalë të tij. Kur shkoja në shtëpi ua përcillja edhe prindërve të mi se sa besim kisha tek ai dhe sa shumë e admiroja punën e tij. Madje isha i bindur se do të ndiqja hapat e tij duke u bërë edhe unë një profesor në një të ardhme. Që në atë moshë të re shkollore e kuptova se mësuesi është një faktor shumë i rëndësishëm në jetë. Arsimimi është bërthama e një jete normale e të shëndetshme, e ai duhet të merret nga persona të denjë.

Nga mësimdhënësi im i gjuhës shqipe, prof. Abdullah Blakçori pata kuptuar se një mësues i mirë duhet të ketë formim kulturor e gjuhësor shumë të gjerë, sepse ai është hallka kryesore e veprimtarisë në shkollë. Ky formim ndikon në personalitetin e tij dhe të nxënësve që edukon. Nga personaliteti i mësuesit varen shumë marrëdhëniet dhe klima në klasë e në shkollë, qëndrimi i nxënësve ndaj mësimit, si dhe aspektet sasiore e cilësore të procesit të mësimdhënies dhe të të nxënit.

Mënyra e sjelljes së mësuesit që shprehet me fjalë dhe veprime, duhet të shfaqë atë që ai pret nga nxënësi, të mos tolerojë rrëmujën, turbullirat, kohën e kaluar kot në klasë e në shkollë, si dhe sjellje të tjera të papërshtatshme e të pamoralshme.
Një nga problemet kryesore, për një mësues fillestar është se e sheh disiplinën si një nga faktorët më shqetësues, megjithëse si rregull aty ku vendoset një motivim i mirë dhe një organizim i kujdesshëm i drejtimit të klasës, nuk lindin shqetësime disiplinore.
Një mësues i mirë duhet t’u mësojë nxënësve që ata të marrin përgjegjësinë për të mësuarit dhe të arrijnë t’i realizojnë objektivat që i vënë vetes.

Një mësues i mirë duhet të dijë të flasë në klasë, duhet të përdorë një fjalor të pasur dhe të dijë të komunikojë lirshëm me nxënësit, sepse ai është një shembull për ta. Ai duhet të dijë ta drejtojë klasën, pra të arrijë të kufizojë problemet e sjelljes dhe thyerjet disiplinore. Ai duhet të jetë një vëzhgues i ndjeshëm i sjelljes së nxënësve, sepse emocionet e tyre ndikojnë në mënyrën e të mësuarit dhe të të nxënit. Pra, mësuesi duhet të jetë një model para nxënësit…Të tillë e kishim ne profesorin e gjuhës shqipe të shkollës së mesme në Podujevë z. Abdullah Blakçorin, i cili zotëronte inteligjencë të caktuar, njohje të profesionit, kryerje të punës me ndërgjegje e dashuri për nxënësit, durim, qëndrim të drejtë dhe sinqeritet. Në personalitetin e tij përfshiheshin bindjet, niveli shkencor e kulturor, figura morale, psikologjike e pedagogjike, aftësia didaktike, fakti se ai e donte nxënësin dhe shkollën, si dhe punonte me shumë përkushtim për mbarëvajtjen e mësimit. Ai ishte në gjendje të shfaqtendonjë qëndrim sa emocional dhe tolerant para shakave të ndryshme të nxënësve, duke e kuptuar mirë dhe duke e ndjerë botën e tonë emocionale. Pra dinte dhe ia dilte të përballej denjësisht me ne.

Ai kurrë s’ishte autoritar, ngase e dinte fare mirë se qëndrimi autoritar i mësuesit ndikon negativisht në sjelljen e nxënësve, ndikon për keq në procesin e të nxënit dhe pengon iniciativën e tyre, duke shkaktuar te secili paqëndrueshmëri psikike dhe pasiguri. Tek e fundit puna e mësuesit është që të vlerësojë pozitivisht të gjitha përpjekjet që bën nxënësi për të mësuar më mirë…

Ai kurrë s’ishte nervoz, ngase e dinte se një mësues që shpjegon me nervozizëm nuk mund të krijojë marrëdhënie të mira me nxënësit. Ai kishte një një të folur të përpunuar, një zë normal dhe jo shumë të lartë, me çirrje etj. për të mos i bezdisur nxënësit dhe për të krijuar harmoni në klasë. Gjithnjë shquhej me çiltërsinë e tij, sepse e dinte se çiltërsia e mësuesit në komunikimin me nxënësit, fytyra e tij miqësore, shpjegimi i qartë dhe me qetësi, bën që ata ta ndjekin me shumë dëshirë mësimin… Mësuesi duhet të jetë shok, prind zëvendësues, mbështetës i egos së nxënësve etj., e të tillë e kishim profesorin e gjuhës shqipe në klasën e parë të shkollës së mesme, z. Abdullah Blakçorin.... Ai ishte mësues ideal, sepse kujdesej që nxënësit të përvetësonin jo vetëm dukuri e shkathtësi, por dhe predispozicione e vlera. Ai përpiqej gjithnjë ta bënte nxënësin një njeri më kompetent, më të sjellshëm e më të mirë.
Pra ju përmenda profesorin tim të gjuhës dhe të letërsisë, z. Abdullah Blakçorin, një mësues tipik shembullor, me atë fytyrën paqësore që na jepte ngrohtësi sa herë e shikonim. Ishte ndër më të mirët e shkollës. Të gjithë nxënësit që dolën nga “dora” e tij, patën gjithmonë vullnetin e mirë për të mësuar sistematikisht dhe sot i shikon të studiojnë nëpër vende të ndryshme të botës dhe në degët më të mira. Një ndër ata persona jam dhe unë...

Shpesh ky mësues na thoshte se disiplina më e mirë është vetëdisiplina. Ai na mësonte që të merrnim përgjegjësitë e tona për të mësuarit dhe për mbajtjen e qetësisë, duke na mësuar se çfarë është sjellja e pranueshme dhe ajo e papranueshme.
Për të pasur një marrëdhënie sa më të mirë me ne nxënësit, prof Abdullahu që në fillim na i pati bërë të qarta të gjitha rregullat që duhen zbatuar gjatë vitit, sepse qëllimi i tij ishte që të formojë nxënës që nuk krijojnë probleme disipline dhe kur arrihet kjo, atëherë mund të themi se mësuesi ka në dorë kontrollin e klasës.

Tani nga puna e profesorit tim të gjuhës shqipe në klasën e parë të shkollës së mesme z. Abdullah Blakçori , por edhe nga literatura pedagogjike kam mësuar se nëse duam që procesi mësimor të ketë sukses dhe marrëdhëniet mësues-nxënës e anasjelltas të jenë sa më të mira, mësuesi duhet të zotërojë këto tipare:

1. T’i vlerësojë paanësisht nxënësit,
2. të jetë i drejtë,
3. të jetë njerëzor,
4. të jetë kompetent.
Ky është pak a shumë portreti i një mësuesi që meriton respektin e nxënësve të tij…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat