Darka e fundit

Kultura

Darka e fundit

Nga: Engjëll I. Berisha Më: 11 prill 2020 Në ora: 14:56
Engjëll I. Berisha

Puthja në darkën e fundit nxori pelinin

prej buzëve

doli fjala e helmi

buzët edhe puthin edhe kafshojnë

korbi i zi ti nxjerrë sytë

për shtatë aspera tradhtia gjakun e bën fli

në gotën me verë e pa vdekjen

e ngriti duke parë sytë e frikës

te profetikes që nuk i besonin fjalës

e nuk e pandehin përtej natyrës njeri

as urtinë as mirësinë

tradhtia hyn nën bri e del në maje të syrit

edhe në buzëqeshje e në maje buze

edhe në përqafim e shtihet si përmallim

edhe në fundin e darkës ku pihej verë

ku bëhej fli gjaku e korpi

kah fundi i një darke të fundit

vdekja e ringjallja bëjnë hije

në kupën e verës

kulti i shpirtit i gjallë

ngjyra e verës e tradhtia

bëhen si ngjyra e gjakut e vdekjes

i dehu profetët

më pastaj nuk u besonin as fjalëve

as syve.

Toka e etur

Dhe Zoti tha: “Toka e thatë le të duket”

një thesar u pa në dritën e saj

në valën e shpirtrave edhe një qeshje

e Krijuesit

më të bukurën ditë doli njeriu

e etur kjo bimë

iu dogj gjuha e i mori flakë mendja

e piu ujin e kopshtit

e ranë në dilemë me tokën

çka të bëjnë me thesaret

që shihen në dritën e Zotit!

Toka tha: “Jam dita e parë e krijimit”

pas meje vijnë drita, gjallesat, bimët

fara e jote dhe guri i oniksit.

Njeriu i tha Tokës: “Jam qeshja e Krijuesit

shëmbëlltyrë e fara e mirë

thesaret i mbaj unë

të fshehura te ti.

Toka dhe njeriu me dilemën

për thesaret

u dogjën nga etja.

Stay at home save lives

Në çdo fatkeqësi fati na lë një derë të vogël! (Servantes)

“Rri n’shpi”, shpëto jetë

kaq për fije shprese kapet fati

virale bëhet

jeta e gjithë të gjallëve

sa herë bie hije e zezë

e bie terri

mëngjesin nuk e di kush e rron

çast është ky i përshpirtshëm

apo mashtrim

se po ndryshon rendi i ri

po rrotullon gjithçka mbi tokë

e vetëm qielli mbetet blu

“rri n’shpi”

rri vertikalisht e shiko

si del hëna e skuqur

e sytë e dehur me copën e përfytyrimit

të gjitha lum miku, të gjitha

janë partiturë e natyrës

ta kërrusin edhe ashtin e butë

nuk është si në letër

me vargje

pikëllimi e kafshon edhe pranverën

derisa ti rri në shtëpi

ngjyrat e pemëve përtej

hije i përtyp

ëndrrën e qiellin i ndanë një tis i hollë

“rri n’shpi”, rri në dhomë e zhvishu

jo krejt

se bëhesh vegël e pa përdorshme

as mos u ç’vesh krejt, se vuajtja ta lë vulë

as mos fol, se mushkëritë ta bëjnë gjamën

as krejt mos hesht

se të trokasin në derë për mortje

ka të jesh në shtëpi.

Mars-prill, 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat