Silke Liria Blumbah - një jetë për letërsinë dhe kulturën shqiptare

Kultura

Silke Liria Blumbah - një jetë për letërsinë dhe kulturën shqiptare

Nga: Shaip Emërllahu Më: 19 qershor 2020 Në ora: 06:57
Shaip Emërllahu

Silke Liria Blumbah i takon komunitetit të të huajve që në takim e parë me botën shqiptare u mahnitën e ranë në dashuri, siç janë Edit Durham, Lord Bajroni, Franc Nopça, Robert Elsie e shumë të tjerë. Ajo është njeriu, që një jetë ja fali letërsisë dhe kulturës shqiptare. Është shkrimtarja, që proza dhe poezia moderne shqipe pa tekstin letrar të saj është e mangët, ndërsa historia e kulturës kur do të flasë për operatorin e njohur kulturor ndërkombëtar “Ditët e Naimit”, gjithsesi se do ta shenjoj me shkronja të mëdha për kontributin e çmuar që dha në fushën e përkthimit dhe organizimit të tij.   

Silkja Liria Blumbah, u lind në një ditë të diele, të 13 dhjetorit të vitit 1970, në qytetin e Gottingenit, në Gjermani. Ishte fëmija i dytë i prindërve mësues Blumbach, mbesë e të ashtuquajturit “baba i mullinjëve”. Ajo kishte vetëm një motër. Silke, shkollimin fillor e bëri në vendlindje, gjimnazin e kreu në ”Johanneum” në Hamburg, ndërsa studimet për përkthimin me gojë i kreu me sukses të shkëlqyeshëm në Universitetin e njohur të Haidelbergut, ku diplomoi për frengjisht, anglisht dhe portugalisht. Ajo, në qytetin e studimeve, kishte bërë emrin në poezi. Si e tillë, ishte bërë pjesë e një grupimi të njohur letrar “LiOff”.

Fëmijëria e vështirë, e vajzës 8 vjeçare që kishte bërë poezi, e mbush me ankth deri në mohim të vendlindjes e të vendit të saj. Ky shpirt me dhembje jete, me zhgënjime dashurie, vendos të gjej stacionin e paqës për jetën e saj të trazuar. E ky stacion do të jetë Shqipëria dhe trojet shqiptare. “Kam përjetuar shumë gjera të vështira, por ajo që më ka dhënë gjithmonë kurajo ishte lidhja ime me botën shqiptare dhe vetëdija se, ndonjë ditë do të vendosem ne Shqipëri për të vepruar për të mirën e shqiptarëve”-do të shprehet Silke,

Kështu, në vitin 1994, Silkja fillon të interesohet për Shqipërinë, apo siç thotë vet, dëgjon “për herë të parë thirrjen e shqiponjës”. Lexon shumëçka mbi shqiptarët. Magjepset pas gjuhës dhe kulturës shqiptare. Prej vitit 1995 e deri në vitin 1998, ajo mëson në mënyrën autodidakte gjuhën shqipe. Dhe tani, më shumë se kurrë, i çelet udha që të lëviz drejt Shqipërisë. Më, 5 tetor 1998, shkel tokën shqiptare. Në dhjetor të 1998-ës, Silkja, realizon ëndrrën… në Universitetin e Tiranës jep provimin e gjuhës shqipe. Gjatë kësaj kohe, ajo njeh realitetin e metropolit shqiptar, Tiranës, ”me rrudhat dhe buzëqeshjet e popullit tim” siç thotë në një varg. Pra, ajo, tashmë e transformuar, ndjen ngrohtësinë dhe prek mikpritjen e njohur shqiptare. Ndjehet e vlerësuar, e nderuar, e frymëzuar ngado që shkon. Vazhdon të zgjeroj gjeografinë e lëvizjes, duke zbritur më 10 janar, në “Sarandën time”, siç thotë gjithandej shkrimeve të saja. Edhe më qartë “dallgë vezulluese në bregun e harrueshëm të Sarandës – qenkam unë ” do të thotë në poezinë “UNË JAM”.

Aty, ajo do të qëndroj tre vjet, ku do të shkrihet në jetën sarandijote, duke punuar gazetare në një medium lokal, dhe duke u inkuadruar në grupet polifonike të jugut, në organizimet e ndryshme poetike etj. Ky qytet do të jetë një muzë e plleshme për tekstin poetik të saj… ashtu, si e gjithë bota ekzotike shqiptare. Poezitë e saja do t’i botojë gjithandaj nëpër revista dhe gazetat e kohës. Tani më, ajo ka krijuar një emër në poezi. Pranohet në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Në vitin 1999, boton në shtëpinë e njohur botuese “Naim Frashëri”, në Tiranë, vëllimin me poezi “Dyzet vdekje në Sarandë”. Libri do të pritet mirë nga lexuesi dhe kritika.

Silkja, e cila në këtë kohë, hyri rrugës së pavdeksisë përmes poezisë, përmes shfaqjes së kancerit të gjirit, fizikisht merr rrugën e kundërt, ate të tokës. Ajo, në dhjetor të 99-ës, operohet dhe bën një trajtim mjekësor. Gjendja shpirtërore e saj rëndohet. Depresioni, i cili e shoqëronte prej një kohë i intensifikohet. Kalon kriza të ndryshme financiare. Por, me një miqësi të ndërtuar gjatë kësaj kohe, mbijeton. Për këtë, ajo, do të shprehë vazhdimisht mirënjohjen ndaj shqiptarëve.

Pas tre vjet qëndrimi në Sarandë ajo vendoset në Prizren. Atje ndeshet me pasojat e luftës dhe gjenocidit serb. Takon shqiptarët e Kosovës… E afirmon dhe e mbron me ngulm çështjen shqiptare. Një vit punoi përkthyese në KFOR-in gjerman në Prizren… Më vitin 2000, në manifestimin letrar “Lulet e Verës” në Durrës, e njoha poeten Silke, e cila kishte marrë tani më edhe emrin shqiptar Liria. Fillojmë bashkëpunimin …  Si redaktor i kulturës në të përditshmen “Flaka”, i botoj një cikël me poezi, ndërsa si drejtor i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” e ftoj në Tetovë. Më 2001, Silke/Liria vjen në qytetin e poezisë, e prek skenën dhe emocionet e Festivalit... Përshëndetet dhe pritet ngrohtësisht nga publiku tetovar dhe jovetëm. Në Tetovë gjen shtëpinë e re të saj, shtëpinë e poezisë, ku lidhet edhe më shumë me poetët shqiptarë dhe ato të huaj. Silkja/Liria bëhet bashkëpuntore dhe më vonë anëtare e  Drejtorisë së Festivalit. Ndihmon në përgatitjen e edicioneve të shumta të Festivalit për dy dhjetëvjeçarë rresht. Shfaqet e palodhshme, motivuese, kreative, punëtore… me një energji të paparë. Ajo merr pjesë në çdo edicion të Festivalit që organizohet. Përfshihet në të gjitha antologjitë e saj. Si poliglote, ajo përkthen prej gjuhëve të ndryshme poezitë e poetëve pjesëmarrës. Njëkohësisht gjatë zhvillimit të Festivalit, ajo përkthen gjatë tërë programit të Festivalit, me atë shqipen letrare që tingëllonte aq bukur në gojën e saj. Gjithkund e qeshur dhe e gatshme për të ndihmuar. Ishte një njeri pozitiv. Nuk e gjen thuajse nje foto, ku nuk shihet e qeshur.

Në shtëpinë botuese “Ditët e Naimit” do t’ia botojmë tre libra; dy prej të cilave me poezi dhe një me proza të shkurta. Kjo e fundit, me një parathënie të mikut të saj të mirë, poetit Moikom Zeqo, i cili vdiq vetem dy ditë pasi Silkja iku nga kjo botë. Moikomi ishte poeti i parë, të cilin e njohu në qershor të 1998, në Lisbon të Portugalisë. Me te festuan çmimin Nobel të poetit të madh Josef Saramago. Atje, Silkja shijonte jetën me djalin portugez, të cilin e kishte njohur në studime. Kjo ishte dashuria e parë dhe e fundit në jetën e saj, që më vonë la shum zbraztirë në shpirtin e ndjeshëm të saj.

Librat e Silke Liria Blumbach të botuar në Tetovë, janë “Karavela e fundosur”, (2002), “Lumi që rrjedh drejt burimit” (2007), dhe libri me proza të shkurta “Një vit pas vdekjes”, (2017). Të gjitha këto libra janë interpretuar dhe vlerësuar lartë nga emra të njohur të kritikës si Moikom Zeqo, Agron Tufa, Ahmet Selmani, Remzi Salihu etj. Këta, Silke/Liria Blumbah e quajnë shkrimtare me talent të rrallë, me imagjinate të veçantë, ku vendin në letërsinë shqipe ajo e ka të skalitur përgjithmonë... Gjatë hartimit të një Antologjie të Poezisë shqipe, Silken e vendosa për herë të parë në mesin e poetëve shqiptarë që prezentojnë poezinë shqipe. Antologjia u përkthye në gjuhën mandarinë/kineze dhe u botua në Taivan. Poetja Silke/Liria është përfshirë dhe nëpër antologji dhe revista të ndryshme në gjuhën shqipe dhe ate të huaj. Ajo është fituese e çmimit letrar “Qiriu i Naimit”, Tetovë, “Flaka e Janarit”, në Gjilan, “Naji Naaman”, në Bejrut, (Liban) etj.

Në vitin 2010, ajo boton në Tiranë, librin "Ditari i një kthimi", ndërkaq vëllimin me poezi “Beyond the bos of the heart” e boton në gjuhën angleze në SHBA. Silke Lria Blumbach përktheu për shtëpinë botuese “Ditët e Naimit”, një numër emrash të njohur të poezisë botërore si laureatët e Festivalit  Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, poetin amerikan Craig Czury, poetin taivanez, Kuei-shien Lee, poeten koreanojugore, Moon Chung Hee, poeten indiane Nivedita Lakhera etj. Silke Liria Blumbach, gjithashtu, ka dhënë një kontribut të paçmuar, duke përkthyer nga gjuhë të ndryshme në gjuhën shqipe, afro 15 antologji të Festivalit.

Pas disa vjet qëndrimi në trojet shqiptare, Silke Lira Blumbah kthehet në Gjermani. Këtë rradhë në kryeqytetin gjerman, Berlin, ku do të punoj në një kompani përkthimi. Kështu, bileta e saj sado që në fillim qe menduar një drejtimëshe, ajo rezulton kthyese, dtth. ”Lumi rrjedh drejt burimit”.

Më vitin 2014, Silke/Liries i rikthehet kanceri dhe natyrisht me te i intensifikohet edhe depresioni. Vullneti i saj nuk bie në luftën me këto sëmundje të rënda. Sa dukej se e mundte sëmundjen, ajo rishfaqej përsëri… E Silkja/Liria nuk dorëzohej… Para pesë vitesh, për ta motivuar, për ta mbështetur ate në luftën kundër kancerit, Drejtoria e FNP ”Ditët e Naimit” ngriti një çmim letrar me emrin e saj “Silke/Liria”, që jepej në çdo edicion Festivali nga vet ajo. Ky vlerësim, ky nder, më ndihmoi shumë që ta përballoj për pesë vjet sëmundjen, thoshte gjithandej. Ishte shpirt falenderues … Në edicionin e fundit, më kërkoi që të tërhiqet çmimi me arsyetimin se është shërruar. Ne u gëzuam dhe festuam së bashku me poetët pjesëmarrës të Festivalit. Por, të gjithë rramë në pritë të kësaj sëmundje vdekjeprurëse. Këtë here, sëmundja e saj u rikthye më fuqishëm dhe bëri poeten Silke Liria Blumbach, që të na buzëqesh tash e tutje nga qielli. Ajo vdiq në Berlin, 15 minuta pasi akrepat shkelën ditën e 12 qershorit. Aq, sa i duheshin për të kënaqur dëshirën e saj, që vdekja ta nxënë në Ditën e Lirisë së Kosovës, që punoi dhe e deshti aq shumë. Liria, emër me të cilën e pagëzoi veten.

Silke/Liria, siç thamë, ishte e lidhur fort me poezinë, me shqiptarët, me Tetovën, Sarandën, Prizrenin… Ajo dha shumë në afirmimin e tyre. Qyteti i Prizrenit kaherë e ka shpallur “Anëtare nderi” të qytetit. Shpresoj që edhe Komuna e Tetovës, do të reflektoj dhe do t’ia jap një titull të tillë më se të meritueshëm. Pse jo, edhe një rrugë e këtyre qyteteve do të ishte nderë për ta, të pagëzohet me emrin e saj.

Urojmë që të gjejmë mundësi, si dhe në të ardhmen të punojmë fort, që eshtrat e saj t’i sjellim në trojet shqiptare, të cilën i deshti aq shumë, … nga se, na e la edhe amanet “vendvarrimi: inshalla në trojet shqiptare”. Tetova, duhet të jetë vendi i prehjes së saj, përveç tjerash nga se, është qyteti i poezisë botërore, pra këtu vijnë edhe poetët, shqiptarë e të huaj. Të gjithë këta njerëz të letrave, dhe jo vetëm, e ndjenë vdekjen e saj, shfaqën dhembje dhe e quajtën një humbje të madhe për Drejtorinë e Festivalit, për letërsinë shiqipe dhe ate botërore.

Faleminderit Silke/Liria Blumbah për të gjithë ate që bëre për ne!

I lehtë të qoftë dheu!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat