Tre breza artistësh në ekspozitën me 120 punime nga koha e pandemisë

Kultura

Tre breza artistësh në ekspozitën me 120 punime nga koha e pandemisë

Më: 4 shtator 2020 Në ora: 09:59
Foto Ilustrim

Tre artistë nga e njëjta familje, kanë ekspozuar këto ditë në Galerinë e Arteve Pamore të Durrësit, mbi 120 punime nga krijimtaria e kohëve të fundit.

Dhjetëra tablo të përmasave të vogla si dhe një sërë bocetesh në miniaturë i përkasin kryesisht periudhës së pandemisë, duke dëshmuar vitalitetin dhe shpirtin artistik të pjesëtarëve të familjes Llukaçi.

Piktori 82-vjeçar Nelo Llukaçi, mjaft i njohur edhe për kontributet e tij në skulpturë, ka risjellë temën e familjes, natyra të qeta, si dhe peizazhe të qytetit të Durrësit dhe Pogradecit, nga disa këndvështrime.

Romiri, i cili ka ecur në gjurmët e të atit, thotë për ATSh-në se në punimet e kësaj ekspozite ka trajtuar “përjetimet e çastit me emocione shpirtërore”. Romiri i ka shtuar autoportreteve të babait Nelo, edhe portretet e punuara prej tij, si dhe një grup peizazhesh nga Durrësi i vjetër.

Duke prezantuar punimet e së bijës shtatëvjeçare, Romiri shton se Leopoldina ka ardhur në ekspozitë me çiltërsinë e një fëmije që rritet në një ambient plot art”.

Ekspozita familjare “E thjeshtë” do të qëndrojë e hapur në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” të qytetit bregdetar deri në mesin e muajit shtator. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat