Dallgë dashurie në oqeanin e mërgatës shqiptare

Kultura

Dallgë dashurie në oqeanin e mërgatës shqiptare

Nga: Baki Ymeri Më: 3 nëntor 2020 Në ora: 17:19
Kopertina e librit

Poetët janë lisa që rrënjët i kanë thellë në tokën mëmë. Poeti është mbreti i imagjinatës, poetesha është mbretëresh e befasive, kurse poezia është balsam i shpirtit, testamenti i jetës, drita e fjalëve, mbretëresha e arteve, thesari i ndjenjave dhe një burim i pashtershëm energjishë hyjnore. Në poezi, vargu i parë dhe vargu i fundit duhet të jetë si një vetëtimë, apo si një krismë e pushkës.

Remzi Basha është ikona e diasporës shqiptare që jeton dhe vepron në atdheun e fjalëve. Poezia e tij e shenjtëron njeriun dhe dashurinë. Ajo është një shikim drejt qiellit dhe tokës. Përsosmëria e vargut vërehet në çdo strofë. Në poezitë me tematikë sociale, e vërteta thuhet dhe shkruhet nga njerëz të vërtetë, nga njerëz që nuk shikojnë vetëm interesin vetjak, por nga njerëz që ndjejnë vuajtjen dhe dhimbjen e popullit të vet. Në vargjet me subjekt erotik, konstatojmë see kemi të bëjmë me krijime që ngrenë peshë emocionale. Remzi Basha ka fatin të jetë i nderuar me libra që e bëjnë historinë. Libri i tij më i ri është përmbushja e një ëndrre për të vajtur nga drita në dritë.

Ja një nga poezitë më të bukura të kësaj vepre vlerash të veçanta letrare: “Era është e tronditur/ Nga fjalët pa fjalë/ Dëgjoj mendimet/ Në monolog kur/ Buzët tua ma dhurojnë/ Nektartin e dashurisë./ Ëndrrat e mia janë dhurata/ Të temjanosura me aromën/ E artë të pishave të larta/ Më premtove lule akacie/ Me erëtimë Shqipërie/ Të rrëshqasin n’trupin tim/ Por hija e pyllit u ul mbi ty/ Njësoj si  një përrallë/ Vetëm gjethe reshë bien/ Të përçuara nga era/ E tronditur. Vajmedet/ Ku të kam moj zanë

Që më buzëqesh në hanë!” (Vetëm gjthe reshë).

Duke lexuar vargjet e Remzi Bashës, me një vërtetësi apsolute, duket se gjendja e brendshme e poetit nuk i duron dhimbjet, pabarazitë, heshtjet, duke gjetur prehje të sugjestionohet në prehërin e iluzionit se jeta nuk ka barazi, por ka dashuri dhe vetëm dashuri. Faktikisht, njerëzit e mirë japin lumturi, njërëzit e këqinj japin shqetsime, njerëzit e gabuar japin dështime, njerëzit e dashur  japin mësime dhe kujtime të paharrueshme. Remzi Basha nuk shkruan vetëm për femrën por edhe për atdheun e tij nga i cili gjendet larg fizikisht, por afër shpirtërisht. Mbi mbi të gjitha spikat kthjelltësia shpirtërore e një poeti fisnik. Libri i tij është një rrëfim shpirti që ta mbush zemrën, jo vetëm me dhimbje e nostalgji,  por edhe me dashuri dhe ndjeshmëri.

Vargjet e poetit janë dallgë dashurie që vijnë si zogj që fluturojnë në qiellin e mërgatës shqiptare. Vargjet e tij për jetën dhe dashurinë kumbojnë dhe krijojnë një jetë krenare. Remzi Basha dëshmon se është një poet i dashuruar. Ato janë si vera e rrushit që sa më shumë vjetërohet, aq më e mirë bëhet. Vargjet e tij krijojnë një lirikë të pastër dhë një model se si shkruhet poezia ku arti arrin të pasqyrojë estetikisht bukurinë dhe madhështinë e natyrës dhe dashurinë e krenarinë për vendlindjen e tij. Autori është poet dhe patriot. Ai vjen para lexuesit me thellësi mendimesh dhe përvoja përjetimesh. Vargjet e tij janë dhurata hyjnore për pavdekësinë. Ato janë meditime dhe reflektime ndjenjash të ngritura në art. Brenda tyre është shpirti krijues poetik me ndjesi të ndërthurura me shije. Brenda vargut është fantazia dhe imagjinata e poetit që i bën lexusit të pyesin shpirtin se ç’kanë të përbashkët me vargjet e tij. Kjo është rezonanca poezi-lexues.

Tema qëndrore e vargjeve të Remzi Bashës ka qenë, është dhe do të jetë dashuria. Veçoritë e vargjeve të tij tregojnë individualitetin e shpirtit të tij.  Forca e vargjeve të tij të bën të shikosh me sytë e mendjes, duke ndjerë dashuri shpirtërore për vendlindjen e tij, për vreshtat e tij, për rrushin e vreshtave dhe lulet e kajsisë, për të dashurën e tij dhe për pasuritë e Dardanisë. Janë krijime lirike të rrjedhshme, të shkruara me profesionalizëm. Po qe se fillove me leximin e tyre, nuk mund të ndalesh, sepse enigma mbetet e padeshifruar deri në fund, një enigmë e njohur dhe e dhënë me sinqeritet dhe origjinalitet.

Vargjet e tij janë të bukura dhe të kristalta si krojet e Dardanisë. Ato janë si çarçafët e bardhë të virgjërisë, si këmishat rozë të nusërisë, si përjetime që dëshmojnë se i kujtojmë me nostalgji, me mall dhe me melankoli. Poeti sjell detaje të bukura, me një vargëzim fisnik dhe melodik. Para nesh kemi  një lirikë të përkryer dhe të bukur të natyrës, të mallit, të fshatit, të dashurisë, të gjitha të shkrira në një mision, përmes një gjuhe të zgjedhur poetike dhe figuracioni artistik funksional, me mesazhe të bukura që na i transmeton ky poet i madh humanist dhe atdhëdashës.

Përfundimisht, si ilustrim po e japim njërën nga poezitë e botuara në librin me 100 faqe: “Shqipëri moj Shqipëri/ Toka që buron flori/ Pranë flamurit kuq e zi./ Këtu lindën në dardanët/ Duke i dëbuar krejt tiranët./ Nëna i bekonte kur i ka pjellë/ Më cipë të flamurit bështjellë./ Rroftë toka që na priti e rriti/ Dardanë trima me sy petriti./ Për ty ne jetojmë dhe vdesim/ Arrdhmërinë e bukur e presim.“ (Shqipëri moj Shqipëri). Urime dhe gëzuar! (Bukuresht, 1 Nëntor 2020)

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat