Ankth pandemie

Kultura

Ankth pandemie

Nga: Marjeta Shatro Rrapaj Më: 5 dhjetor 2020 Në ora: 07:09
Marjeta Shatro Rrapaj

Nata nxin,

gjithçka fshihet në errësirë

e ne heshtim të shurdhuar mes ngjarjesh,

pa ëndrra,pa asnjë iluzion si vdekja.

Ankthi i së nesërmes na mbyt

se Bota do vazhdoj të rrotullohet

në Universin e zi,

e vetmuar,pa shoqëri

e na dhimbset vetja,

na dhimbset ajo

e lutemi për të,për ne

e kërkojmë mëshirë

për ditët që do të vijnë

për shpëtim shpirtrash e rrahje zemrash,

që kobi të mos vijë asnjëherë pa lajmëruar.

 

Mjegullës botë

Symbyllurazi ecim rrugës së jetës,

rrëzuar jemi sa herë,

gjakosur e ngritur sërish

për të ecur

shtigjeve tona të përvuajtjes

mbushur lotë dhimbje

fatit tonë përherë në kryqëzim.

Vrapojmë për të arritur s' di ku,

ndoshta pavetëdijes tonë që na tërheq si lak

vëmendjeve të shurdhëta

për të paguar pafajësinë

e mendësisë së të parëve tanë

që i faleshin dhe një guri të vetëm,

harruar mes erës e furtunës që e brente nga pak

e thërmohej

bashkë me shekujt tanë plot plagë.

Tashmë, autostradat prekin vragat e tokës

e shkojnë Lindje - Perëndim

me sy mbyllur kërkojmë burimin e dritës.

Drejt rrezeve të reja,

që nuk përflakin ngrohtësinë diell,

por zemërimin tonë që vlon në gjak

e mendimeve të trazuara

që na shtyn mjegullës botë

labirinteve të së panjohurës sonë.

Detit

Në breg të detit luaj si fëmijë

mbi kokë qielli, kurorë dielli,

gjatësi valësh prehur shpirtit tim

në pafundësi humbet shikimi.

Paqe, në kufijtë e horizontit,

gjelbërim i shenjtë ishullit,

Era ngatërrestare trazon flokët,

e deti shpërthen në stërkala të bardha,

harruar pas teje, magjisë së thellë blu

dëshirës së heshtur, pragut të  fundvjeshtës.

Të lutem

Të lutem,

mos ma shkul zemrën,

mos ma përgjak ëndrrën,

mos ma pre gjuhën e heshtjes,

se ndihem pranë Zotit,

e mbrojtur në guaskën e detit,

jam pika e lotit të ngrirë në kapakët e syve.

Nuk gënjehem më me fjalë nanuritëse

se besoj vetëm në peshën reale të fjalës në peshore

e kuptoj shumë mirë mashtrimin optik të botës virtuale,

por jam e pafuqishme si qenie

dhe zhgënjehem nga natyrat egoiste të çuditshme,

ndaj preferoj më mirë vetminë e madhe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat