Lamtumirë prof. Mehmet Çeliku!

Kultura

Lamtumirë prof. Mehmet Çeliku!

Nga: Bledi Filipi Më: 30 dhjetor 2020 Në ora: 09:46
Mehmet Çeliku

U shua sot një ndër figurat më të spikatura të gjuhësisë shqiptare, prof.dr.Mehmet Çeliku.

Me hidhërim e pikëllim mësova lajmin e hidhur për largimin e profesorit tim e të shumë brezave. Duart më dridhen e zemra më loton...

Ai pavarësisht moshës dhe dallgëve të jetës veç punonte në fushë të shqipes. Nuk u ndal kurrë deri në frymën e fundit.

Pedagogu shembull, njeriu që nuk rreshti kurrë së shkruari për gjuhën shqipe u largua.

Mehmet Çeliku u lind më 15 janar të vitit 1936 në qytetin e Elbasanit. Nga bankat e Normales do të vazhdonte Fakultetin Histori-Filologji në Tiranë në degën Gjuhë-Letërsi.

Pas përfundimit me nota mjaft të mira vazhdoi studimet pasuniversitare si Kandidat i Shkencave me temë disertacioni “Gegërishtja Jugperëndimore”, docent në vitin 1984 me temë “Probleme të morfologjisë” për të vazhduar më pas shkallët në Doktor i Shkencave me temë disertacioni “Format e Pashtjelluara të foljes në gjuhën e sotme shqipe”.

Në vitin 1994, Çeliku ka marrë titullin profesor me temën “Tipat e fjalive të thjeshta”. Në karrierën e tij profesionale, Mehmet Çeliku njeh disa stade nga bashkëpunëtor shkencor i Akademisë së Shkencave dhe të Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, në dialektolog, bashkëhartues i Gramatikës së Akademisë për vëllimin II

. Në fillimet e tij, Çeliku do të jepte mësim edhe në institutin dyvjeçar në Tiranë për të kaluar më pas nga viti 1973 e në vazhdim si pedagog i Universitetit të Elbasanit. Karriera nuk do të ndalej këtu pasi si Përgjegjës i Katedrës së Gjuhës, ai do të jepte një kontribut të theksuar për konsolidimin e disa degëve.

Karriera e shkëlqyer e çon drejt pozicionit të Rektorit për 4 vjet deri në vitin 1996. Ndërkohë profesori i nderuar për shumë breza do të ftohej nga Partia Republikane si kandidat nga Shoqëria Civile duke u zgjedhur në këtë mënyrë deputet në një mandat 4-vjeçar duke përfaqësuar Elbasanin.

Si një studiues i zellshëm i gjuhës dhe sidomos i problematikave që e karakterizojnë, ai ka marrë pjesë në shumë referime, kumtesa e konferenca shkencore lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe autor i disa librave me vlerë kombëtare në fushën e gjuhësisë e më gjerë. Më 1993 merr titullin Mësues i Popullit, ndërsa në vitin 2006 shpallet qytetar nderi i Elbasanit.

Por edhe pas kësaj periudhe ai nuk ka reshtur së shkruari për probleme të ndryshme, sidomos për raportet e gjuhës letrare me dialektet, duke u rreshtuar me shkrimet e veta ndër mbrojtësit e gjuhës standarde.

Prof. Mehmet Çeliku me veprën e tij do të mbetet i gjallë. Njerëz të tillë nuk vdesin kurrë, ata mbeten shembull për brezat.

Frytet e penës së tij do të jenë fanar ndriçues për brezat!

Bledi Filipi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat