Duke pritur zërin e dritës

Kultura

Duke pritur zërin e dritës

Nga: Valbona R.Hadri Më: 9 janar 2021 Në ora: 22:12
Valbona R.Hadri

Jam e bija e hënës drita e diellit

Jam fillikat vetëm dhe pres një zë

Një zë kënge t'më zgjojë nga ankthi

Të shoh diellin, hënës t'ia kreh flokun

Me vete kam një lule buzë etur

Pres një shi imtak të bie mbi të

Të shuaj zjarrin petaleve të kallura

Jam e bija e hënës përtej largësive

E bia e diellit kumbullë e shtëpisë

E mbollëm bashkë hijen e diellit tim

SYTË E NATËS

Nata ka marrë bojën e vetë

Ku ta shtroj dhimbjen se di

Duhet nxjerr çarçafët e nuses

Ata me aromë molle herake.

Tashmë është shtruar terrina

Dritat kanë ndezur sytë e natës

Çdo gjë shihet fytyrë zverdheme

Asgjë të lëvizë krahët e fluturave

Ngjtur në murin karshi dhembjes.

Çfarë të bëhet me shpirtin e sosur

Është natë dhe agu është larg

A thua vallë, deri të nesërmën

Do ngjiten qiellit fluturat e shpirtit.

PLAGË E VJETËR

Një plagë e vjetër,

E majisur mbi trupin e popullit tim,

Kishte hedhur rrënjë e metastaza,

Në shpirtra e zemra ndër shekuj.

Vëlla më vëlla të një gjaku,

Shtronin lëndinat me fole qyqesh.

Nën ndjelljen e korbave kobëzeza.

Të bërë paskajshmëri mjerim e skëterrë.

Sa shumë nëna mbetën me duar në gji,

Sa shumë nuse të reja mallkuan rininë,

Sa e sa dyer u mbyllën nga ngunjimi,

Për të mos u hapur kurrë.

Por mençuria e mendje ndriturve,

Fjala e tyre zbuti zemrat,

Duke fshirë lotët e dhimbjes.

Anton Çeta i përqafuar,

Nga vëllezër e motra,

Mori uratën dhe kungimin për Atdheun,

Shëroi plagën e kah-motshme,

Duke u lutur mos-kthimin e saj.

Anton Çeta Profeti që i ndriti fjala,

Mbeti i pavdekshëm, lapidar,

Kudo që shkeli; në krahina, qytete e fshatra,

Ai i gdhëndi monument vetës,

Anton Çeta legjendarë.

KURBETI

Më prit o syri im prej dheu

Dua t’a ndjej frymën e atheut

Ringjalljen time përqafimin tënd.

Unë po ikë shtigjeve tè botës

Të marrë ca pika drite për ty

Më mungon frymëmarrja jote

Po të lë të mbushur lot në sy.

Nuk e shoh diellin i verbuar për Ty

Nuk e ndjej ngrohjen më ngrin shpirti pa Ty.

Unë po ikë nënë por nuk të lë

Bashkë me shokë kurbetit të zi

Jo që duam por na shtrënguan

Të vemi atje ku nuk jemi.

Unë po ikë vashë bukuri e dheut tim

Më prit, veç nënës dhe ty s'kam tjetër njeri.

Unë po ikë Kosovë pa të lën kurrë.

Në zemrën time ke lënë shenjë.

Më prit të frymojmë së bashku me dhimbjen time.

Unë betohem në gjakun e fisit tim

Prapë do t'i kthehem atdheut tim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat