Poezi nga Pavlina Demiraj Pashaj

Kultura

Poezi nga Pavlina Demiraj Pashaj

Nga: Pavlina Demiraj Pashaj Më: 30 janar 2021 Në ora: 12:48
Pavlina Demiraj Pashaj

Jetë e vështire plot me halle…

Nëpër fusha e nëpër male

Ku kënduam e hoqëm valle

Ku punuam vite me radhë

Ku qëndruam me prindërit tanë.

Ku kaluam fëmijërinë

Nëpër kodra e luginë

Ku kullosnim bagëtië

Mblidhnim çaj e trëndelinë.

Ku mësuam në shkollë fillore

Kur luanim me topa bore

Pastaj kapeshim dorë për dore

Bënim lodra popullore.

Jetë e vështirë plot me halle

Dikush ecte zbathur fare

Po kishim një gjë të mirë

Kishim dashuri të madhe…

Nuk e prishëm shpirtin, zemrën

Nuk e ndamë nga buzët këngën…

Brez i mençur, qëndrestar

Çiltërsinë kishim të parë…

Kur do kthehemi prap në vatër

O ju ditë me freski deti

O ju netë me fllade mali

Derte, halle ka dhe mbreti

Jo më emigrant qyqari.

S’na zënë këmbët dhe askund

Ditë e natë ndër rrugëtime

Ditë nata drejtim humb

Na shkoi jeta hall e dhimbje…

Na shkoi jeta në kërkim

Nga Evropa në Australi

Punë shumë e pak shpërblim

Na shkoi jeta lesh e li…

Kur do kthehemi prap në vatër

Të ndezim një zjarr të ri?!

Ta punojmë tokën çdo ngastër

Të mbjellim veç dashuri…

Në rrugë malli lamë gjurmë

O shoqe, mike fëmijërie

Rritur bashkë me halle shumë

Na u ndanë rrugët për së gjalli

Gjurmëve të lotit po bredh unë.

O ju stoli e shpirtit tim

Ku strehën ka mall i pashuar…

Ju ndjek me mendje pa përtim

Sa kohë që ka s’iu kam takuar…

Nëpër atdhe shpërndarë jeni

Në rrugë bote dhe mërgimi

Unë shkund nga sytë një lot poleni

Dhe ju thërras që pranë t’më vini…

Të rrimë bashkë si dikur

Të kujtojmë kohën e rinisë

Kur fantazive ju dhamë udhë

Në atë stinë të dashurisë…

Më vijnë në ëndërr

Larg ku jam, në atë dhe të huaj

Më vijnë në ëndërr çaste mrekullimi

Kur bridhja fëmijë pas xixëllojnave

Në netë vere, në atë kohë përmallimi…

Tani xixëllonjat ndjek në ëndërr

Dhe bëhem prap fëmijë e lumtur

Më mungon fshati im i dashur

Më mungon në jetë stina më e bukur…

Më vijnë në ëndërr çaste magjijimi

Dhe bëhem prap e vogël, lozonjare

Kur zgjohem…në zemër veç kujtimi

Dhe malli pjesë zemre, pjesë aorte…

Më prit, të premtoj…

Në këto gurë jam rrëzuar, vrarë

E dhimbja më ishte e ëmbël mjaltë…

Këtu kam ëndërruar, qeshur e qarë

Jam ngjitur në pemë e zhytur në baltë…

Këtu kam shijuar agimin e kristaltë

Që ndrin mbi kodra dhe pemishte…

Shkuar Parisit më dukej ky fshat

Me gjërat e mira dhe cenet që kishte…

Tani nuk të kam. Jam larg, shumë larg

Me teleks ere një puthje ta çoj

Ah, të vij dhe një herë, te ky prag!

Do të vij, më prit, të premtoj…

Kjo hënë që ndrit mbi kodrinë

Kjo hënë që ndrit mbi kodrinë

Më kujton netët e ikura pa kthim

Virtyteve femërore ua fala unë rininë

Nuk kam brerje ndërgjegjeje, as pendim.

Kjo hënë ka mijëra vjet që ndrit

Atje mbi valët e detit kaltërosh

Një kohë të bukur ajo më fanit

Me trillin e të panjohurës ende më josh…

Këtu ku jam, në vorbulla maramendje

Ku çasti dhe shekulli janë bashkë të dy

Atë hënë vetmitare e kujtoj me ëndje

Në mote të shkuar, larg në fëmijëri…

Një ditë do të vij, tek ky det pasioni

Nën këtë hënë që vezullon me prarim

Nuk më ndalon dot asnjë lloj cikloni

Më thërret zëri i lashtë i gjakut tim…

Dhimbja e emigrmit

Ku po ikim, ku po vemi,

Hapat para, kokën pas,

Nga malli na zu veremi,

Askund s’duket një oaz.

Askund qetësi nuk gjejmë

Endemi në shtigje dhëmbje

Në mëngjes porsi zgalemë

Pendërënë në mbrëmje.

Duam jetën ta drejtojmë

Në rrugë nga mbarësia

Nga sytë këmbët emigrojmë

Na ndihmoftë Perëndia!...

Pas mbetur në errësirë

Shtëpitë bashkë me kujtimin

Zgjohemi ende pa gdhirë

Vetvetes t’ia mbajmë premtimin.

Ta ndryshojmë rrjedhën e jetës

Të jetojmë me dinjitet

Se atje ku na ra koka

Ende jo nuk kemi shtet.

Ku po ikim, ku po vemi,

Hapat para, kokën pas,

Një gjuhë e një gjak kemi

Dhe një hall e një maras…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat