Në përkujtim të 22 vjetorit të vrasjes së Mehmet (Dibran) Rexhës (1952-1999)

Kultura

Në përkujtim të 22 vjetorit të vrasjes së Mehmet (Dibran) Rexhës (1952-1999)

Nga: Sadri Rexhepi Më: 9 prill 2021 Në ora: 20:52
Mehmet Rexha (1952-1999)

Mehmet Rexha u lind në vitin 1952 në fshatin Rimanishtë, komuna e Prishtinës. Shkollimin fillor, katër klasët e para i kreu në vendlindje në Rimanishtë, kurse mësimet tjera nuk i vazhdoi për shkak të gjendjes së rëndë sociale. Babai i tij ishte bujk dhe nuk qëndronte mirë me shëndet, pasi që ishte rrahur brutalisht nga milicia serbe në kohën e aksionit famkeq të vitit 1956 të mbledhjes së armëve tek popullata shqiptare në gjithë Kosovën, sepse nuk kishte pranuar se ka armë. Babai i tij Dibrani, si pasojë e atyre maltretimeve dhe torturave fizike që kishte përjetuar gjatë atij aksioni famëkeq për shqiptarët në atë periudhë, ai ka vdekur heret, i ri, në vitin 1980. Mehmeti ishte në mesin e shtatë fëmijëve, djali i parë në familje pas dy motrave. Si në çdo familje shqiptare kur lind djali pas vajzave është gëzim i madh e gjithashtu edhe në këtë familje lindja e Mehmetit pati sjell në familje një gëzim të madh. Si i ri për t’iu bërë krahë pune dhe ndihmë për babain, si dhe për të siguruar ekzistencën e familjes, ai mori një vendim të rëndë për vete në momentin kur e ndërpreu vazhdimin e shkollimit. Ishte punëtor dhe bujk i dalluar në fshat e kjo do të thotë se ai merrej me punë të ndryshme në fshat, kurse kur kryheshin punët ai kujdesej për bagëti, duke i ruajtur nëpër male dhe livadhe. Si duket është i pari fshatar që kishte parë grupet guerile të UÇK-së. Ai e kishte njoftuar vëllain e tij më të ri Hashimin i cili gjatë shërbimit ushtarak kishte qenë parashutist dhe epror ushtarak rezervë, i cili gjatë ushtrimeve kishte arritur të marrë grada deri në gradën gjeneral. Ai kishte kontaktuar me grupet në fjalë, të cilat i kishte ndihmuar në mënyra të ndyshme logjistike. Hashimi bie në kontakt me Zahir Pajazitin dhe ia përgatiti një plan operativ se si duhet të zhvillohen operacionet në kohë dhe hapësirë. Këtë punë këta e mbajtën shumë sekret.

Së këndejmi, paraqitjen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e mirëpriti me një kënaqësi të veçantë Mehmeti dhe shi për këtë kishte ecur këmbë duke vizituar të gjitha zonat e Zonës Operative të Llapit (ZOLL), duke kërkuar që të aktivizohet në radhët e UÇK-së, por një gjë të tillë nuk e arriti, sepse mungonte armatimi i duhur dhe i nevojshëm.

Edhe Mehmeti, si shumë të tjerë, masakrën vrastare e priti në shtëpi, duke mos e lëshuar pragun e derës së shtëpisë. Kur bandat e militarëve iu afruan shtëpisë së tij, ai kishte vendosur të luftonte, mirëpo shpërthimi i një granate pranë oborrit, ai merr plagë të rënda në të dy këmbët dhe pastaj gjendja e tij shëndetësore nga gjakderdhja vazhdimisht vinte duke u këqësuar. Këtu ishte plagosur edhe vëllai i tij Hashimi bashkë me gruan e tij, por megjithëse ky i fundit kishte marrë plagë të lehta, e barti Mehmetin me një karrocë dore 3 km deri ku e kishte vendosur traktorin, i cili pastaj e dërgon deri në Siqevë e prej aty vëllai tjetër Nysreti bashkë me Beqir Musliun me një veturë e dërgojnë në spital. Në spital ishin ballafaquar me probleme të ndryshme në kontakt me serbët që punonin aty, mirëpo fal Beqirit që kishte punuar mbi 30 vjet më parë aty, çdo gjë kalon mirë. Mirëpo, duke u kthyer, te shkolla teknike në Prishtinë, policia paramilitare serbe i rrahu brutalisht që të dytë, Beqirin dhe Nysretin. Gjatë vizitave që i kishte bërë Nysreti, tregonte se shëndeti i Mehmetit vinte duke u përmirësuar, madje shumë shokëve të dhomës ju kishte ndihmuar që të shërohen e veçmas e kishte ndihmuar të shërohet një burrë të plagosur rëndë me mbiemrin Lushaku nga Besiana (Podujeva). Mirëpo, më 9 prill 1999 papritmas familja merr lajmin e hidhur për vrasjen e Mehmetit. Lajmi për vrasjen e Mehmetit u prit rëndë në radhë të parë për gjirin e ngushtë familjar, për fshatarët e fshatit Rimanishtë, si dhe gjithë popullin shqiptar. Edhe Lushtaku ishte tronditur kur kishte ardhur pas luftës në Rimanishtë për ta falënderuar Mehmetin për kujdesin që kishte treguar Mehmeti gjatë qëndimit dhe shërimit të tij në spital. Këtu kishte kuptuar për herë të parë se Mehmeti ishte vrarë më 9 prill 1999.

Mehmeti, edhe pse ishte i martuar, ai nuk pati fëmijë. Pas vetes la nënën Nefise,tre vëllezërit dhe tri motrat.

Mirëpo, lajmin për vrasjen e Mehmetit më së rëndi e përjetoi nëna e tij Nefisja, të cilës tani asaj i kujtoheshin vuajtjet gjatë gjithë jetës së tij, por edhe për momentin e fundit të ndarjes për së gjalli për herë të fundit në fshatin Siqevë. Ajo sa ishte gjallë tregonte se nuk ia ndava sytë deri sa u msheh prapa kodrës, por edhe ai kurrë nuk m’i ndau sytë deri sa kaloi përtej kodrës. Nënlokja Nefisja sa ishte gjallë me zemër të thyer e ruante kujtimin e freskët për të birin e saj, Mehmetin. Ajo tregonte më lot në sy se si atë ditë kur u larguan nga shtëpia për në Siqevë ishte ndarja e fundit, prej ku kurrë më nuk e pa Mehmetin të gjallë. Në ato çaste tepër të vështira e vetmja gjë që ajo mund të bënte ishin lutjet e saj drejtuar të madhit Zot që ta shpëtonte të birin e saj të dashur Mehmetin. Takimi i fundit ishte ai shikimi mallëngjyes i Mehmetit, drejtuar nënlokës dhe sikur fliste dhe thoshte: Shko nëna ime e dashur, shko se unë do të shërohem së shpejti dhe prapë do të shihemi për së gjalli. Mirëpo, nuk doli siç tha Mehmeti, sepse ai u kthye në shtëpi i vrarë pas shtatë viteve, kurse nëna e tij e ngulfatur në vaj tha se kështu e ka lufta. Ajo i merr njerëzit më të mirë. ”Lufta e fundit e mori edhe djalin tim, për nga radha e fëmijëve të tretin, kurse prej djemve të madhin djal i cili nuk la trashëgimtarë edhe pse ishte i martuar. Dhimbja ime për te është e shumëfisht, kur dihet se ai “mbylli prag e oxhak”! Dhimbje për Mehmetin bashkë me nënëloken Nefise e ndanë me lotët për faqe edhe vëllezërit burrërorë edhe motrat vigane. Që nga 9 prilli i vitit 1999 e deri më 15 qeshor të vitit 2006 nuk dihej asgjë për fatin e tij dhe që nga ajo kohë Mehmeti konsiderohej si person i zhdukur në listën e gjatë të shqiptarëve të zhdukur në Kosovë. Nënës së tij deri sa u kthyen eshtrat e pajetë të Mehmetit, sikur iu kishte ngulitur si një gurë i palëvizshëm nga zemra, duke e lutur Zotin që mos t’ia marrë shpirtin pa iu kthyer eshtrat e Mehmetit. Nga e gjithë kjo dhembje e nënëlokes Nefise për të birin që e kishte rritur me sakrificë, sikur përjetoi shkrirjen e shumë stalagtiteve të akullta që ia shponin zemrën dhe mushkëritë, bëri që edhe nënëlokja të ndërrojë jetë pas katër muajsh, duke iu bashkuar të birit Mehmetit në parajsën e dëshmorëve të lirisë. Trupi i Mehmetit është nxjerr nga një gropë në të cilën e kishin hudhur bandat paramilitare serbe dhe është dërguar në morgun e Rahovecit deri më 15 qershor të vitit 2006 kur u kthye në vendlindjen e tij të dashur dhe në të njëjtën ditë u varros në prani të bashkëfshatarëve e miqve me nderime të larta kombëtare.Së këndejmi, veç Mehmetit, shkrimi ofron argumente që flasin se familja dritëplotë e ndanë të njëjtin fat tragjik të sakrificës për lirinë e Kosovës.

Lavdi i qoftë Mehmetit, si dhe dëshmorëve të tjerë që e deshën dhe derdhën gjakun për lirinë e Kosovës!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat