Tipi fanatik

Kultura

Tipi fanatik

Nga: Lekë Imeraj Më: 19 prill 2021 Në ora: 07:18
Lekë Imeraj

Portreti i fanatikut, në vija të përgjithshme, është ky: autokrat, intolerant, përçmues, fyes, injorues, hakmarrës, urryes, paragjykues, vetëgjykues. Vuan nga ndjenja e martirizimit, e sadizmit, e madhështisë, e pushtetit të pakufizuar. E mendon dhe e deklaron veten të pazëvendësueshëm, njeri që është lindur për të transmetuar, drejtuar dhe komanduar.

Për njeriun normal, çdo gjë në këtë botë ka dy anët e veta. Për fanatikun ato kanë vetëm një anë. Dhe ai shikon vetëm anën që i ntereson atij. Fanatiku nuk e ndryshon këndvështrimn e vet mbi botën dhe mjedisin që e rrethon. As temën. Kurrsesi jo.

Gjëja më karakteristike për fanatikun është sfera e ngushtë e këndvështrimit të tij, njëanshmëria e lidhjes me jetën. Është besnik i parimit: “Të gjitha ose asgjë.” Ai nuk njeh kompromise. Me verbërinë e tij, ai kalon afër vlerave të jetës dhe nuk i vë re ato. Ai nuk ndien, kështu që në kokën e tij ka vetëm errësirë. Errësirë, që për çdo rast ia vret që në embrion, edhe ndonjë ide pozitive, e cila mund të shfaqet ashtu si rastësisht, në trurin e tij. As që mund të mendohet ndonjë e çarë e mundshme për të lejuar depërtimin, sado të vogël, të mendimit ndryshe. Ai rrëshqet gjithnjë e më shumë në idetë e tij fikse.

Dhe nëse të tjerët mundohen t’ia prishin imazhin e tij, ai shpërthen në tërbim dhe urrejtje, dhe është i gatshëm që, me zjarr dhe hekur, të ngrihet kundër tyre.

Fanatiku njeh vetëm veprimin. Jo arsyen. Arsyeja e dëmton atë. Nëse ai mendon se dikush duhet vrarë, ai organizon vrasjen dhe, mbaron punë. Pa pyetur arsyen. Arsyeja është armikja e tij. Fantiku nuk njeh rregulla. As ligje. Ai është i bindur se gjithçka që i duhet botës, është në kokën e tij. Bota jashtë kokës së tij, është bota e djallit dhe si e tillë, duhet asgjësuar. Të gjitha ndryshimet dhe zhvillimet, jashtë vullnetit të tij, janë punët e djallit, dhe bën thirrje për t’u ngritur kundër tyre.

Ngaqë i ka frikë ndryshimet, mbetet militant i së kaluarës. Ngaqë nuk i njeh dhe nuk i pranon të kundërtat, përfundon në nihilist. Pastaj gjendet midis “përgjërimit” dhe “kryqëzimit”.

Qëndrimi në ekstremin e të kundërtave, është tipik për fanatikun. Fanatiku është i ekzaltuar dhe njëkohësisht i kryqëzuar. Aty ku sundon fanatizmi, shpesh lëvizjet për liri dhe të drejta, mbyten në gjak. Për fanatikun, gjakderdhja sjell paqen. Fanatiku nuk e shikon sjelljen e tij si vlerë personale. Ai e mendon atë si vlerë të shoqërisë, dhe veten si krijues të vlerave të mëdha njerëzore. Ai e deklaron veten të pazëvendësueshëm dhe të përjetshëm. Dhe, nëse familja apo shoqëria do të sillen ndryshe, sipas tij, ato ndodhen para rrezikut të vetasgjësimit.

Për fanatikun, gjithmonë fajtorë janë të tjerët. Ai edhe kur gënjen, mashtron, fyen, dhunon, përdhunon, torturon, vret, nuk e mendon veten fajtor. “Janë ata, të pamoralshmit, që më detyrojnë mua të sillem kështu”, mendon ai. Nëse të tillë njerëz arrijnë të bëhen udhëheqës, gjë që për fat të keq ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë, kombi, në mënyrë të padiskutueshme do të përjetojë konflkte, mjerim, dhunë dhe gjakderdhje. Ai nuk mund t’a imagjinojë dhe as pranojë njeriun ndryshe, përveçse atij që ka në kokën e vet. Të gjithë ata që janë ndryshe, nuk kanë shanse bashkëjetese me të tjerët, nën pushtetin e tij. Ai i urren ata dhe i shpall armiq. Toleranca ndaj tyre është zero. Në marrëdhënie me ta, ai njeh vetëm një mundësi, atë të shaprtallimit dhe asgjësimit të tyre. Qoftë edhe me gjakderdhje.

Çdo mendim dhe lëvizje “ndryshe”, jashtë mendimit të tij, ai mundohet ta shtypë që në embrion. Që në fazën e mendimit. Fanatiku nuk është i vetvetes. Ai është thjesht një trup zgavër, brenda të cilit jetojnë e liga dhe vdekja. Një mbajtës demonësh, detyra e të cilëve është vrasja e jetës. Kudo që ata e ndeshin atë.

Jo rrallë ndodh që fanatikët të shfaqen me aftësi të mëdha për të grumbulluar rreth vetes fanatikët e “heshtur”, të vetmuar. Natyrisht që ai vihet në krye të tyre. Një ushtri e tillë, e mirorganizuar, në të gjitha rastet përbën një rrezik serioz për shoqërinë, kombin dhe më tej.

Fanatiku, kur bëhet i plotpushtetshëm, punën e fillon me shkatërrimin e pushtetit dhe shtetit. Të gjithë pushtetin e përqendron në dorën e vet. Ndërton një klikë me njerëzit më të besuar, e cila nuk është gjë tjetër veçse një “kobure” në dorën e tij, e cila qëllon mbi cilindo, por jo mbi të zotin. Klika, ndryshe mendohet, “fshesa e hekurt”, detyra kryesore e të cilës është, spastrimi i pushtetit dhe shtetit, nga ata që mendohen armiq të udhëheqësit të tyre. Truri i kombit asgjësohet përfundimisht.

Për arritjen e qëllimit të tyre, udhëheqësit fanatikë shfrytëzojnë besimin fetar të njerëzve. Ata e deklarojnë veten udhëheqës shpirtërorë dhe veprimtarinë e tyre, në emër të allahut. Asnjë besim fetar nuk duket se është i lirë nga të tillë fanatikë. Sipas Hegelit, po aq fanatizëm sa ka tek islamizmi, ka përjetuar edhe krishtërimi. Savolavona (1452-1498), ndoshta duhet menduar si fanatiku më i madh i krishtërimit, i cili u ekzekutua.

Rreziku i njerëzimit nuk janë, as politika, as sistemet dhe as religjionet, por njerëzit fanatikë, që i drejtojnë ato. Oliver Cromwell (1599-1658), ka mbetur në historinë e njerëzimit si njëri ndër udhëheqësit më fanatikë dhe më gjakderdhës.

Historia e njerëzimit njeh shumë fanatikë revolucionarë dhe eksportues të revolucionit. Lenini mendohet “gjeniu” i revolucionit.

Stalini është arrestuar tetë herë si revolucionar.

Një i tillë, si më tipiku, ka qënë gjermani Harro Harring (1798-1870), i cili ka mbetur në histori si një revolucionar “profesionist” dhe eksportues revolucioni. Është fanatiku tipik, i shek. 19, që vuante nga ndjenja e urrejtjes. Jetëshkrimi i tij është thuajse i njëjtë me atë të Hitlerit. Për të dy, periudha e fëmijërisë ka qenë e dhimbshme. Të dy kanë qenë shumë të lidhur pas nënave të tyre (të cilat i humbën në moshën e fëmijërisë), deri në skllavëri shpirtërore. Ashtu si Hitleri, e mendonte veten të madh, shpëtimtar i njerëzimit dhe gjeni në art dhe letërsi. Ai urrente monarkinë dhe cilindo që kishte më shumë pushtet se ai. U vetëshpall kryerevolucionari i botës dhe mori përsipër çlirimin e njerëzimit nga tirania. Në vitin 1821 shkon në Greqi, me idenë për të organizuar dhe drejtuar legjionet greke në luftë kundër Perandorisë Osmane. Meqenëse luftëtarët grekë ishin dembelë dhe të pandërgjegjshëm për të luftuar kundër armikut, u tërhoq. Në vitin 1828 mori pjesë si oficer rus në legjionet ruse në Poloni. Më 1830 u bashkua me rebelët e revolucionit të korrikut, në Leipzik. Në vitin 1840, shkon në Rio de Zhaneiro me idenë për të organizuar revolucionin për çlirimin e zezakëve, nga skllavëria. Po në këtë vit, bashkohet me Garibaldin për të krijuar “Shtetet e Bashkuara të Amerikës së Jugut”. Në vitin 1848 merr pjesë në Revolucionin e Marsit në Zyrich. Në vitet 1849-1852, eksploron mundësitë për revolucione në vendet skandinave dhe Angli. Gjatë përpjekjeve të tij prej “revolucionari”, është burgosur disa herë. Analistët e kanë etiketuar atë, revolucionari fanatik. Fat i njerëzimit që nuk arriti të bëhej kurrë udhëheqës kombi, në asnjë vend.

Tipa të tillë gjenden dhe shfaqen gjithmonë, në vende dhe regjime të ndryshme. Edhe në vende të vogla, si Shqipëria apo Kosova, janë të mundshëm.

Fanatiku nuk dëgjon, nuk ndien dhe nuk dashuron. Ai nuk ndien asgjë për ata që i shkojnë pas. Nuk i mendon njerëz. Ai i mendon ata thjesht vegla, mjete, të cilat mund t’i përdorë si të dojë dhe kur të dojë, për qëllimin e vet. Dhe, nëse qëllimi i dështon, ai i hedh ato “vegla” njerëz, pa asnjë dhimbje. Pa asnjë mirënjohje. Si letrën mbështjellëse të sallamit.

Fanatikët nuk dorëzohen lehtë. Nëse ata janë pjesë e politikës, jo se jo. Nëse era ua merr “çadrën” e tyre, ata kërkojnë shpejt një çadër tjetër, për të vazhduar planet e tyre. Politikanët fanatikë nuk janë as të djathtë, as të majtë dhe as të qendrës. Ata nuk kanë parti, sepse nuk kanë bindje. Ata kanë vetëm pasione. Ata nuk njohin sisteme politike. Dje ishin “komunistë”, sot janë “demokratë”, nesër “nacionalistë”, pasnesër “komunarë” etj., sepse nuk i përkasin asnjë regjimi apo sistemi.

Sistemi i tyre është errësira dhe këtë duan të përhapin ata. Sa më shumë errësirë, aq më i dobët është shikimi. Sa më shumë zhurmë, aq më i dobët është dëgjimi. Prandaj, ata fikin dritat dhe bëjnë zhurmë, që të mos duken dhe dëgjohen.

Megjithëse nuk njohin as moral as ligj, bëhen predikuesit më të mëdhenj të moralit dhe ligjit. Këta janë profetët e zinj. Librat, përveç atyre që mendojnë ata, duhet të ndalohen dhe të digjen. Sepse ata nuk duan që të ballafaqohen me të veretën. Ata i thyejnë pasqyrat, e vrasin trurin e kombit. Kështu Stalini, Hitleri, Sadami, Millosheviçi. Kështu shumë udhëheqës të ish vendeve komuniste.

Fanatiku gjithmonë përdor maskën e mirësisë, për të arritur qëllimin e vet. Sa më lart që fanatiku ngjitet në pushtet, aq më tragjike për kombin bëhet rënia e tij. Mund të shkaktojë gjakderdhje të madhe.

Fanatikët vdesin, por fanatizmi nuk ka për të vdekur kurrë. Prandaj, edhe fanatikët, nuk mbarohen kurrë.

Ndal, fanatikut!

Autori-shkrimtar, përkthyes, publicist.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat