Kontributi i çmuar i Prof. Fetah Bahtirit në arsim, krijimtari letrare e çështje kombëtare është një pasuri që do të ruhet, lexohet e vlerësohet përjetësisht

Kultura

Kontributi i çmuar i Prof. Fetah Bahtirit në arsim, krijimtari letrare e çështje kombëtare është një pasuri që do të ruhet, lexohet e vlerësohet përjetësisht

Nga: Xhavit Çitaku Më: 2 maj 2021 Në ora: 11:42
Xhavit Çitaku

Fetah Bahtiri është një krijues i suksesshëm, një atdhetar i devotshëm, edukator i shkëlqyer, intelektual i madh dhe një përkthyes i dobishëmpër komunitetin shqiptar në Suedinë e largët. Puna e tij e palodhshme për të shtjelluar tema me rëndësi që e preokupojnë dje dhe sot mërgimtarin, por edhe studimi i autorëve suedezë që kanë patur interesim për historinë, kulturën e traditën shqiptare, ka bërë të mundur për të pasuruar në mënyrë përmbajtjesore korpusin tonë kulturor, shkencor e patriotik. Me një fjalë, krijimtaria e tij po lë gjurmë të pashlyeshme në letrat shqipe dhe në anën tjetër po frymëzon edhe gjeneratat e reja për të vazhduar në botën magjike-krijuese dhe kësisoj për t’i dhënë imazh të shkëlqyeshëm ndërtimit të urave të miqësisë ndërmjet popullit suedez dhe atij shqiptar si vlera të vjetra kulturore tradicionale.

Gjithë veprimtaria e Fetah Bahtirit është një gërshetim i sakrificës, i dashurisë ndaj atdheut, i punëtorit, i intelektualit, i fëmijëve e studentit, i bukurive natyrore të vendlindjes dhe i dashurisë hyjnore ndërmjet gjinive njërëzore. Vlera e tij profesionale krijuese po zgjon interesim edhe tekProf. Fetah Bahtiri

kolegët suedezë dhe shi për këtë ai bëri hapa edhe përtej Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “ Papa Klementi i XI Albani” në Suedi, duke u bërë anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Suedisë. Pavarësisht se ky shkrimtar i shquar arriti të botojë shumë tituj të librave të zhanreve të ndryshme, pa dyshim, ai nuk rendi pas vëllimit, përkatësisht për të bërë numra librash, përkundrazi ai arriti qëllimin e tij të vlerës e përmbajtes, duke u çmuar lartë nga kritika letrare në të gjitha trojet shqiptare. Veprimtaria krijuese e Fetah Bahtirit vërtetë është një thesar i çmuar i letrave shqipe.

Artikulim konklret i imazhit dhe dallim i nivelit artistik të fjalës në poezinë e Fetah Bahtirit

Poeti Fetah Bahtiri me një mjeshtri krijuesi u jep gjërave jetë, i vë sy të mpehtë dhe gjuhë të ëmbël temave të trajtuara në vargjet e tij. Autori i një varg librash poetike nuk ndalet vetëm aty, përkundrazi, ai temat i shtjellon, i përcepton dhe bën renditjen e tyre të duhur, të kapshme dhe joshëse për lexuesin. Duke e kuptuar shumësinë dhe brendësinë e së cilës temë që e përcepton, ai argumenton me shprehjen poetike se fjala e tij rrjedh, është në hap me atë çka e emocionon që të shkruaj, të hedhë në dritë brengën, dashurinë, vuajtjet, mallëngjimin, natyrën, kohën e humbnur në kurbet, e kështu me radhë. Këtë gjë, siç thotë ai, e bën edhe natën kur bie në gjumë. Gjithnjë e ka një letër dhe një laps afër dhe në momentin kur që e “shkund” muzua, ai ngritet shpejt e shpejt e kap lapsin dhe fillon të shkruaj vargjet më të mira. Ai qëndron afër, e ndien afër, pothuajse, çdo detaj të jetës që zhvillohet rreth atyre temave të përfshira në libër poetik, duke i gjallëruar, duke iu dhënë jetë. Poeti në këto vëllime poetike shkruan në fletë për çdo gjë, sepse ai nuk ndalet në fakte, por i përdor ato si pika kalimi dhe kësisoj ai e përshkruan shumë mirë fushën e pafund të hapësirës me lule që ne i quajmë diell, hënë e yje, etj. Thënë konkretisht, të kesh në dorë dhe t’i lexosh vjershat e Fetah Bahtirit, nuk ështëvetëm një takim i zakonshëm i një vargu, ngaqë edhe mjetet dhe format e tij poetike nuk janë të njëjta. Në të vërtetë, ai është një poet i figurës së gjallë dhe të freskët, i imazhit, i depërtimit në thellësi të vetvetes dhe në raportet ndërpersonale, ku gjen dhe sendërton aq mirë trajtat dhe gjendjen, formën dhe përmbajtjen e poezive të tij.Pra, në vargjet poetike të Fetah Bahtirit dallohet niveli artistik i fjalës, gjetjet e holla dhefinesat argumentuese të përjelljes së imazheve konkrete te lexuesi, ritme jete, vrullim ndjenjash e vlim pasioni, kërkim harmonie e bukurie, që tenton t’i gjejë dhe t’i arikulojë në çdo varg e strof, në çdo poezi.

Prof. Fetah Bahtiri ka depërtuar suksesshëm edhe në botimin e librave në prozë. Në fakt, ai më shumë libra ka shkruar në këtë gjini letrare, ngaqë këtu ka gjetur mundësi më të mëdha të rrëfejë në tekst për atë që do , pa qenë i detyruar me u lidh me ndonjë rregull metrike. Libri i tij më i mirë është romani “Rrugëtim i Dashurisë”, i cili ka bërë jehonë të madhe në qarqet e kritikës letrare. Madje, prof. Dr. Adem Zejnullahu në një analizë të thellë që ia bënë këtij libri vlerëson:”Dashuria në romanin “ Rrugëtim i dashurisë” të Fetah Bahtirit është paraqitur në të gjitha ngjyrat, të cilat e karakterizojnë dhe i shquajnë vetëm dashuritë e mëdha siç janë “Lejla dhe Mexhnuni” e Nazamit, “Romeo e Xhulijeta” e Shekspirit, “Vuajtjet e Verterit” të Gëtes, etj.

Bëri shumë punë të dobishme për komb e atdhe dhe komunistetin shqiptar në Suedi

Sa shumë aktivitete e punë të dobishme dha për kombin e atdheun, aq ishte i thjeshtë, i urtë, bashkëpunëtor i rrallë. Këto tipare, padyshim, i kishte trashëguar nga familja e tij patriotike, e cila ishte e angazhuar me tërë qenien në zgjidhjen e padrejtësive që iu bëheshin shqiptarëve në Kosovë nga qeveria pushtuese fashiste serbe.Për shkak të veprimtarisë së tij patriotike Fetahu ishte burgosur dhe larguar nga procesi mësimor, përkatësisht nga Shkolla fillore “Bedri Gjinaj” e cila atëbotë quhej “Velko Banasheviq” e Mitrovicës, në të cilin ai ishte edhe drejtor. Pushtuesi me këtë hap diferencimi politik nuk arriti ta gjunjëzojë, përkundrazi, ai për të mbijetuar dhe për ta mbajtë familjen krijoi në fermë delesh në fshatin e tij dhe me vonë regjistroi Fakultetin Juridik, të cilin e kreu në afatin rekord. Mirëpo, sigurimi i shtetit sërish aktivizoi hakamrrjen ndaj tij, duke ia ndaluar të ushtronte punën në arsim, gjë që rezultoi që ai u punësua si përkthyes në Kombinatin “Trepça”. Pas futjes së masave të jashtëzakonshme në këtë gjigant kosovar dhe ndjekjes hap pas hapi nga agjentët e sigurimit, Fetah Bahtiri detyrohet të braktisë vendlindjen dhe të vendoset në Suedinë e largët. Edhe në këtë shtetthirrjes së ndërgjegjës për të ndihmuar popullin e Kosovës iu përgjigjë pozitivisht dhe kësisoj organizoi e mori pjesë në shumë protesta anëkënd Suedisë, dha intervista të shumta në mediat kryesore të këtij vendi dhe nuk u ndalë në asnjë çast për të kontribuar në nxitjen e bashkatdhetarëve tanë për të ndihmuar materialisht Kosovën e okupuar. Puna dhe angazhimi i tij më i madh ishte i përqëndruar në organizimin e zhvillimit të mësimit plotësues për nxënësit shqiptarë dhe në këtë mënyrë edhe ruajtjen e gjuhës së bukur amtare. Këtë punë me vlerë të madhe e ushtroi me dashuri të madhe deri në pensionim dhe është krenar që arriti t’i përfshijë në mësimin e gjuhës amtare numër të konsiderueshëm të fëmijëve shqiptarë. Me një fjalë veprimtaria e tij pedagogjike dhe organizative në fushën e mësimit dhe edukimit përbën një kapiull të veçantë, të gjerë, të larmishëm e shumë të frytshëm. Për punën e tij të madhe e të palodhhme, ky veprimtar i devotshëm është çmuar dhe ia kanë ditur dhe ia dinë edhe sot e kësaj dite vlerën i gjithë komuniteti shqiptar në Suedi e më gjerë.

Për të mësuar më shumë rreth punës, aktivitetit e angazhimit të tij në shumë fusha, ne zhvilluam një intevistë me Prof. Fetah Bahtirin, i cili me kënaqësi iu përgjigjë pyetjeve tona

Keni një opus të pasur poetik mjaft mbresëlënës në spektrin lirik dhe modernitetit. Çfarëmund të thoni lidhur me këtë?

Unë kam filluar të merrem me shkrimin e vargjeve qysh i ri, kur isha nxënës i gjimnazit. Ishin ato vargje me brum patriotik, por edhe lirikë për dashurinë. Atëbotë kam pas botuar disa poezi në gazetën e përditshme “Rilindja”, në “Zëri i rinisë”, “Pionieri”, “Jeta e re” etj. Ndërkaq në vitin 1968 kam pas dalur me një libër me poezi në botim të Klubit letrar “Trepça” nga Mitrovica që mbante titullin “Kangë për Zaden”. Me qëndisjen e vargjeve kam vazhduar gjatë gjithë kohës deri në ditët e sotme. Në vitin 2012 kam botuar një përmbledhje poezish me titullin “Monolog në mërgim”, kurse në vitin e kaluar (2020) kam botuar një përmbledhje poezish paralelisht në gjuhën shqipe dhe suedeze. Libri mban titullin “Verser i exil – Vargje në mërgim”. Përkthimin e këtyre vargjeve nga gjuha shqipe në gjuhën suedeze e ka bërë i nderuari Ullmar Qvick.

Mund të shtoj se i kam të shkruara edhe shumë poezi me motive të ndryshme të cilat gjer më sot nuk janë botuar të përfshira në ndonjë libër.

Niveli artistik në poezitë tuaja ka një shprehje të bukur, joshëse e të mirëfilltë. Si arrini kaqbukur të realizoni në vargje?

E vërteta është se muzua mua më ngacmon kur bie për të fjetur e nuk më merr gjumi. Afër kokës zakonisht e mbaj një letër dhe një laps. Kur më rrapëllin vargu ose shprehja e mirë lirike, ngrihem dhe e shënoj në letër. Pastaj gjatë ditës shtoj edhe diçka, plotësoj, e gëdhend dhe e kreh mirë e mirë secilën fjalë, secilin varg dhe ia jap formën përfundimtare.

Kohëve të fundit zakonisht e adhuroj rimën.

Çfarë është proza për ju, ngaqë edhe në këtë zhanër keni arritë të jeni i suksesshëm?

Kam shkruar bukur shumë libra në prozë. Madje, shumica e veprave të mija janë të shkruara në prozë. Proza si gjini letrare artistike për mua është një formë në të cilën shkrimtari ka mundësi më të mëdha të rrëfejë në tekst për atë që do, pa qenë i detyruar të jetë i lidhur për ndonjë rregull metrike. Në prozë shkrimtari mund të jetë edhe neutral, sidomos kur shkruan ndonjë libër dokumentar, publicistik, monogfrafi, për dallim nga romani, novela, tregimi, eséja etj.

Në këtë rast nga krijimet e mia në prozë do ta veçoja romanin tim “Rrugëtim i Dashurisë” (2011), i cili ka bërë jehonë të madhe në qarqet e kritikës letrare. Prof. Dr. Adem Zejnullahu ia ka bërë disa analiza të thella këtij romani dhe ai ndër të tjerat në shkrimet e tij të botuara ka konstatuar: “Kështu, personazhi narrator, autorial i romanit Rrugëtimi i dashurisë, depërton thellë në botën e brendshme të dashnorëve, të Dritës dhe Flamurit, dhe gradualisht ua shpupurish ndjenjat, mendimet, ëndrrat, dëshirat dhe synimet e tyre për sendërtimin e dashurisë, për jetë dhe për të ardhme më të lumtur, karshi sfidave e vështirësive të shumta që u paraqiten në vazhdimësi. Këto personazhe, sipas tekstit të monologëve dhe dialogëve që zhvillojnë ndërmjet veti, por edhe me të tjerët, del në pah e dhëna e pamohueshme se, pa të drejtë në supet e tyre bartin barrën e fajësisë të cilën nuk e kishin bërë, madje as që dinin për të, por të tjerët e kishin shkaktuar atë tragjedi, ndërsa këta e vuanin, ngulfateshin nga ankthi e frika e hakmarrjes. Tërë kohën fantazma e vdekjes iu sillet nëpër kokë dhe nuk i lë të qetë për asnjë moment, duke mos ditur se a do ta gëzojnë ditën e nesërme apo jo. Kështu, njëri nga personazhet kryesore të këtij romani klith itronditur:

- Sot – mirë. M’u fal edhe një ditë e jetës sime! Edhe një ditë kaloi. Por, nesër?!

Dashuria në romanin Rrugëtim i dashurisë të Fetah Bahtirit është paraqitur me të gjitha ngjyrat, të cilat i karakterizojnë dhe i shquajnë vetëm dashuritë e mëdha, siç janë: Lejla dhe Mexhnuni e Nazamit, Romeo e Zhulieta e Shekspirit, Vuajtjet e Verterit tëri të Gëtes etj.”

Gjithashtu dëshiroj ta veçoj edhe monografinë ”Miku i madh i shqiptarëve Ullmar Qvick (Monografi)”, e cila ndriçon jetën dhge veprimtarinë e mikut të shqiptarëve - suedezit Ullmar Qvick për shqiptarët e në veçanti për Kosovën.

Cilat tema i shtjelloni në të dy zhanret dhe na përkufizoni në pika të shkurtëra imazhin, figurën, mjetet, format, raportet dhe trajtat që i prezentoni në krijimtarinë tuaj letrare?

Në poezi dhe në prozë kryesisht bëj fjalë për përditshmërinë, njeriun dhe hallet e tij. I gjeni aty ndjenjat e dashurisë për të dashurën, por edhe për vëllaun, motrën, njeriun e zakonshëm, e më së shumti për atdheun, lirinë. Hasim trabllo edhe nga kurbeti dhe për vuajtjet e kurbetçarit. Për shembull ngjarja në romanin tim “Rrugëtim i Dashurisë” zhvillohet në Kosovë, në Serbi (Beograd) dhe në Suedi; një libër i tërë është me vargje në mërgim, e edhe monografia për mikun Ullmar Qvick i cili jeton në Suedi është shkruar në Suedi, sikur edhe dy fjalorët e mi suedisht – shqip janë përpiluar jashtë atdheut tim – Kosovës.

Unë zakonisht jam i prirur të përdor edhe figura stilistike, sidomos në krijimet letrare lirike, kurse në prozë shërbehem shumë edhe me dialogje, monologje etj.

Profesioni që më së shumti iu fle në zemër është arsimi, për të cilin keni kontribuar me dekada. Cili është mendimi i juaj për këtë fushë të rëndësishme, sidomos, për fëmijët e komunitetit shqiptar këtu në Suedi?

Po. Gjatë tërë jetës sime jam marrë me arsim – kam punuar me nxënës dhe u kam shërbyer fëmijëve tanë dhe rinisë sonë. Mund të them se jam i mishëruar në këtë mision. Unë disi çuditem kur e di se të gjithë nxënësit e mi nga shkolla fillore dhe e mesme kur unë punoja në arsim në Kosovë janë pensionuar.

Ndërkaq, edhe këtu në Suedi i jam përkushtuar punës me me fëmijët tanë. Unë kam ardhur në Suedi në vitin 1991 dhe po atë vit në strehimoren ku isha i vendosur (Svenshögen, komuna Stenungsund), kam filluar punën me fëmijët tanë. Aty unë, në bashkëpunim me Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptarë “Naim Frashëri”, Dega në Suedi dhe me Entin për Migracion e kam themeluar një shkollë të plotë fillore e cila ka funksionuar gjatë periudhës 1991 – 1994, për cilën shkollë në vitin 2012 e kam shkruar një libër dokumentar me titullin “Dritë ngrohtësi optimizëm, Libër dokumentar për shkollën shqipe në Strehimoren Svenshögen, Suedi, 1991 – 1994”. Në këtë shkollë shumë fëmijë shqiptarë kanë mësuar shkrim-leximin shqip, kanë mësuar shumë gjëra nga kultura, historia, arti, muzika shqiptare. Për mua është një ndjenjë e veçantë gëzimi e krenarie kur e di se atëbotë nuk ka pasur në strehimore fëmijë të moshës 6 – 18 vjeçare që nuk e ka ditur përmendësh ta recitojë dhe ta këndojë Himnin e flamurit shqiptar.

Jeni përkthyes profesional nga gjuha shqipe në atë suedeze dhe anasjelltas. Po ashtu, keni botuar edhe dy fjalor Shqip- Suedisht. Për ciën fushë është fjala?

Mua më është dukur interesante gjuha suedeze dhe, si gjuhëtar që jam, intenzivisht kam filluar mësimin e saj. Kështu, vetëm pas 7 – 8 muajve qëndrimi në Suedi kam arritur edhe të mbaj ligjërata para studentëve për realitetin aktual në Kosovë e në ish Jugosllavinë, si dhe fjalime të ngjashme në festat kombëtare shqiptare që i mbanim së bashku me institucionet, strukturat komunale dhe popullatën suedeze. Jam i vetëdijshëm se në përdorimin e gjuhës suedeze nga ana ime atëbotë ka pasur gabime e lëshimne, por kryesore për mua ishte mesazhi të cilin ua komunikoja suedezëve se çka ndodhte realisht në trojet shqiptare.

Ndërkaq, që nga viti 2000 jam licencuar si përkthyes i autorizuar nga Agjencia për Shërbime Juridike, Financiare dhe Administrative e Suedisë – Kammarekollegiet. Kështu, për më shumë se dy dekada jam marrë dhe merrem edhe më tutje intensivisht me përkthime nga fusha të ndryshme për institucione të shumta shtetërore dhe për persona privatë.

Përkitazi me fjalorët që ju i përmendni mund të sqaroj se ata janë fjalorë dhe fraza të zakonshme që përdoren përditë në shërbimet mjekësore. Numri 1 i fjalorit ka 111 faqe, ndërsa numri 2 është i zgjeruar dhe i pasuruar me materiale për më shumë sëmundje e shërbime dhe ka 236 faqe. Këta fjalorë janë të përshtatshëm për t´u përdorur në punët e përditshme sidomos nga personeli shëndetësor në të gjitha institucioinet shëndetësore në Suedi.

Kontributi i juaj për komb e atdhe është i madh, për të cilën gjë jeni burgosur dhe larguar nga puna. Ku ishte fokusi i juaj më i madh i interesimit patriotik?

Unë që nga rinia e hershme kam qenë thellësisht i frymëzuar që të veproj e të luftoj për të drejta të barabarta për shqiptarët në tokën e vet, në atdheun e vet. Si fëmijë që në shkollën fillore dhe në gjimnaz disa lëndë mësimore i kisha në gjuhën serbe. Me këtë kam vërejtur pabarazinë ndërmjet shqiptarëve në njërën anë dhe serbëve e malazezëve në anën tjetër. Edhe trungu familjar ka ndikuar në mua që ta kuptoj më mirë dhe më plotësisht gjendjen faktike të kombit tim në raport me serbët e malazezët. Kjo pabarazi më ka penguar dhe që atëherë jam përcaktuar që të angazhohem për fitimin e të drejtave për shqiptarët – që të jemi të barabartë në të gjitha fushat e jetës. Dua t´i përmend vetëm dy ngjarje interesante nga rinia ime e hershme. Kur përdorimi i flamurit shqiptar ishte rreptësisht i ndaluar (viti 1960 – 1961), unë e kam pas vizatuar një flamur shqiptar dhe kah mesnata e kam pas vendosur te varrezat orthodokse në udhëkryqin Mitrovicë – Prishtinë - Rashkë. Në një rast tjetër e kam pas vendosur një flamur shqiptar në vagonin e fundit të trenit “Akropolis” që qarkullonte në realacionin Athinë – Munchen e që në Mitrovicë arrinte në orën 24:00. Të nesërmen flamuri shqiptar arriti në orën 06:00 në Beograd dhe atëbotë nga kjo u shkaktua një rrëmujë e madhe politike.

Kjo veprimtari e imja nuk mbeti pa u regjistruar edhe në shërbimet e UDB-ës për ç´arsye disa herë isha i arrestuar, sikur edhe në vitin 1981 kur isha i burgosur në Burgun e Mitrovicës në të ashtuquajturin “izolim” për 30 ditë. Madje politikisht qysh më herët isha shpallur nacioinalist, irredentist, armik i rrezikshëm i Jugosllavisë, armik i shtetit, armik i klasën punëtore, armik i barazisë kombëtare ndërmjet “kombeve dhe kombësive” e të ngjashme. Atëbotë kjo bëri që edhe shumë miq e dashamirë kishin frikë edhe të flisnin me mua.

Këto ditë keni botuar një përmbledhje enciklopedike. Mund të na thoni diçka më tepër lidhur me përmbajtjen e këtij libri?

Ju e keni fjalën për librin “Bibliografi e anëtarëve të Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi. Me këtë libër Shoqata, e lumtur dhe e gëzuar për rezultatet e arritura, e shënon 10-vjetorin e punës dhe veprimtarisë së vet. Në libër prezentohet një pasqyrë e saktë dhe precize bibliografike e botimeve që i kanë realizuar anëtarët aktualë, anëtarët e nderit dhe ish anëtarët e SHSHASHS-së. Këtu janë të përfshira edhe disa libra të cilat i kanë përkthyer anëtarët e SHSHASHS-së nga gjuha suedeze në gjuhën shqipe dhe anasjelltas. Bibliografia është përpiluar sipas kritereve dhe standardeve shkencore që praktikohen kur shkruhet ndonjë bibliografi. Përveç kësaj, në bibliografi janë dhënë edhe shënime të shkurtëra biografike për secilin/secilën shkrimtar/shkrimtare, nga një fotografi portret i secilit/secilës dhe ndonjë fotografi e veprave të secilit/secilkës. Libri ka 221 faqe dhe është i shtrypur me ngjyra e me kopertina të forta, gjë që mundëson t´u përballojë shumë dekadave, për arsye se, unë parashikoj që kjo bibliografi do të jetë material i çmuar dhe do të ketë peshë edhe për hulumtuesit aktualë e edhe për ata që vijnë pas nesh për ta ndriçuar punën e rëndësishme të këtij brezi në shërbim të gjuhës shqipe, kulturës sonë, artit shqiptar dhe të çdo gjëje që i përket çështjes kombëtare në mërgatë dhe në të gjitha trojet etnike shqiptare

Krijimtaria e tij, puna në ruajtjen dhe mësimin e gjuhës amtare, angazhimi i përditëshëm për komb e atdhe, prandaj, përbënë një pasuri që do të ruhet, lexohet e vlerësohet përjetësisht.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat