Shqipja standarde

Kultura

Shqipja standarde

Nga: Prof. Eroll Sejdiu Më: 19 maj 2021 Në ora: 22:06
Prof. Eroll Sejdiu

Tashmë dihet nga të gjithë ata që do të kenë lexuar qoftë edhe fare pak shkrime që kanë të bëjnë me rrugën që ka ndjekur shqipja për standardizimin e saj, se, krahas Kongresit të Manastirit më 1908, kur u themelua alfabeti i shqipes, ngjarja tjetër, mbase më e madhja kulturore shqiptare, ka qenë Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, mbajtur në nëntor 1972 në Tiranë.

Vështruar qoftë edhe nga ana e jashtme, po sidomos vështruar mbi bazë të emrave të shkencëtarëve e studiuesve të shqipes që vinin nga të gjitha viset e qendrat më të mëdha të studimeve albanologjike jo vetëm në Shqipëri e në Kosovë, po edhe ndër arbëreshët e Italisë, Kongresi i Drejtshkrimit krijoi përshtypjen e një ngjarjeje shumë të madhe shkencore e kulturore në shkallë kombëtare për shqiptarët dhe për gjuhën shqipe.

Gjuha standarde shqipe duhet të merret si gjuhë kombëtare, sepse ajo nuk është pronë e një individi, por është pronë e një kombi.

Në gjithë rrugën që u ndoq për standardizimin e gjuhës shqipe, motivi dhe kërkesa kryesore ka qenë një standard i vetëm, sepse ky shihej edhe si një nga faktorët shumë të rëndësishëm, qoftë në luftën për çlirim kombëtar dhe qoftë për synimin për bashkimin e shqiptarëve, të paktën në fushë të kulturës, të letërsisë e të historisë. Madje, kjo ka qenë aspiratë e vazhdueshme, sidomos pas vitit 1970 të shekullit të shkuar, e shqiptarëve jashtë kufijve shtetërorë të Shqipërisë, sepse një standard gjuhësor i përbashkët, jo vetëm konsiderohej si një element me shumë ndikim në krijimin e lidhjeve sa më të ngushta dhe në synimin për t'u bërë pjesë e një kombi të vetëm- e kombit SHQIPTAR, po ishte edhe një tregues i fortë që shqiptarët në ish-Jugosllavinë ishin një etni krejtësisht tjetër nga popujt sllavë, udhëheqja politike e të cilëve, herë më hapur dhe herë në mënyrë perfide, kishte synuar për t'i ndarë nga bashkëkombësit në Shqipëri, madje edhe duke i quajtur me emërtime të ndryshme: Albanci dhe Shiptari!

A ka ardhur koha për rishikim të standardit?

E kemi thënë disa herë se FGjSh-ja duhet të korrespondojë me zhvillimet e reja gjuhësore dhe t'u përgjigjet kërkesave dinamike të kohës.

Të pasurohet me lëndë të re gjuhësore të krijuar këto 49 vjetët e fundit nga shkrimtarët, publicistët, përkthyesit,  gjuhëtarët etj., fjalë që kanë hyrë tashmë në qarkullim në gjuhën e folur dhe në gjuhën e shkruar.

Të përfshijë sa më shumë gjithë lëndën gjuhësore që rron në popull nga të gjitha dialektet e shqipes, të papërfshirë deri më tani në fjalor.

Gjuha jonë letrare kombëtare ka një leksik popullor shumë të pasur, të pafutur sa duhet në fondin leksikor të gjuhës standarde.

Kjo pasuri e madhe leksikore popullore, që është kryesisht në gegërishten, duhet të futet në fjalorin standard të shqipes.

Por kjo gjë mund të arrihet jo duke shpërfillur kodin drejtshkrimor, kontrollin filologjik, rregullat gramatikore, kritikën filologjike, por duke i forcuar dhe përparuar ato.

Në fund mendoj se shqiptarët vetëm në këtë çështje kanë qenë të bashkuar, në standardizimin e gjuhës shqipe. Ky shembull duhet ndjekur që edhe punët e tjera t'i bëjmë ngjashëm me standardin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat