Dokumentar mbi historinë e zanateve të vjetra në Ulqin

Kultura

Dokumentar mbi historinë e zanateve të vjetra në Ulqin

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 1 qershor 2021 Në ora: 14:29
Foto ilustrim

Zanatet e vjetra në Komunën e Ulqinit çdo ditë e më tepër po zhduken me gjithë përpjekjen dhe punën e mjeshtërve. Shumë rrallë mund të gjesh punues të disa zejeve që dikur punonin mjaft mirë në këtë komunë. Pikërisht me qëllim të theksimit të rëndësisë dhe vlerës të kësaj pjese të traditës sonë të lashtë u realizua edhe dokumentari “ T’i rikthejmë artizanatet - Ta ruajmë traditën”, i cili u shfaq premierë të shtunën e kaluar në ambientin e bukur të sapondërtuar , në Shtëpinë e Fshatit në Millë, Anë të Malit, Ulqin.

Në këtë dokumentar prej 50 minutash të cilin e realizoi me sukses Sos telefoni për femra dhe fëmijë viktima të dhunës Ulqin, me mbështetjen financiare të Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi, janë trajtuar katër zanate të vjetra, mullinjtë e ujit, këpucarët , orëndreqësit dhe oxhakpastruesit.

Autorja e dokumentarit, Hatixhe Nelaj, njëheri drejtoreshë e SOS telefonit në Ulqin, në fjalën përshëndetëse tha se ka muaj që kanë punuar në këtë projekt dhe se gjatë punës së xhirimit janë ballafaquar me vështirësi për shkak të pandemisë me Covid-19, por besoj se kemi arritur që të bëjmë një punë të mirë. Shtoi se në realizimin e dokumentarit punuan edhe gazetarët Dafina Teliqi dhe Artan Lika, sikurse edhe kameramani dhe montazheri Shaban Bajraktari

Përmes rrëfimeve autentike, të sinqerta dhe emocionuese këta zanatlinj të vjetër përcollën masazhin tek publiku se këto qyqane artizanale, ku bëhen punë profesionale sa po vijnë e zhduken për shkak se interesi i njerëzve për të kryer këto punë ka rënë, por edhe pse nuk i jepet vëmendja e duhur nga shteti. Ashtu si të gjithë zanatlinjtë e tjerë që janë të vjetër në fushën e tyre ngrehën shqetësimin se, pavarësisht punës së përditshme që ata kanë dhe ia dalin për të mbajtur familjet dhe shkolluar fëmijët, ata shfaqën shqetësimin se këto profesione nuk kanë kujt t’ia trashëgojnë.

Të pranishëm në këtë aktivitet kulturor ishin edhe përfaqësuesit e Fondit të Pakicave, Emir Daciq e Valerina Dedvukaj dhe kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit Haxhi Sulejmani.

Protagonistëve të dokumentarit iu ndanë mirënjohje për kontributin e dhënë në ruajtjen e këtyre zanateve të vjetra nga zhdukja. Të pranishmëve iu ndanë falas nga një CD-i e dokumentarit , ndërsa në fund të kësaj veprimtarie të rëndësishme u shtrua një koktej me ushqime tradicionale të Anës së Malit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat