Poezia e Remzi Bashës është zëri i zemrës së magjepsur

Kultura

Poezia e Remzi Bashës është zëri i zemrës së magjepsur

Nga: Baki Ymeri Më: 27 qershor 2021 Në ora: 14:13
Foto ilustrim

Ligji themelor i humanitetit është dashuria. Për dashurinë e poetit, zbret edhe dielli nga qielli. Me kujdes matet dashuria. Për të vajtur nga drita në dritë, ekziston nevoja për fuqinë magjike të fjalëve. Ekzistojnë dy lloj njerëzish për ta bërë të lumtur botën: poetët dhe të tjerët. Poeti flet me dritën dhe flet me Perënditë. Poezia e Remzi Bashës është zëri i zemrës së magjepsur. Është zjarri që lind nga shpirti i fjalëve të dashuruara. Poezia është çelësi i shpirtërave të mëdhenj. Kush qëndron në prozhmin e saj mund të komunikojë edhe me hyjnitë. Poezia është mbretëresha e arteve. Ajo është lëngu i jetës.

Poezia shpreh shpirtin e njeriut. Poeti, poezia, gruaja dhe dashuria. Për dashuri jap jetën! Për liri jap dashurinë! Remzi Basha është poeti që din ta kërkojë madhështinë. Në librat e tij nuk defilon vetëm dashuria, por edhe atdheu dhe kombi. Poetët e ringjallin kombin. Poezia e formon shpirtin e kombit. Poezia është si një mburojë kundër ligësisë. Poeti është lapsi i Zotit që shkruan mbi tokë. Poezia është zëri i zjarrtë i Zotit në buzët e iluzionit. Poezia është feneri i rrugës për në parajsë, dhe parajsa e paprekur e një shpirti të shenjtë. Ja një varg që lëshon xixa: Kur shkrep dielli në mesnatë! Ja shpirti i shkrirë në vargun e artit të gjakut!

Është mirë që poetët e Kosovës botohen në Bukureshtin e rilindësve tanë. Libri më i ri i Remzi Bahës është një vëllim i shkruar nëpërmjet një çelësi të ngjyrosur nga nuancat e dashurisë dhe kujtimeve të paharruara. Atmosferën e tyre e dominon më së denduri një pikëllim i pambarimtë, i gërshtuar me dëshira dhe shpresa. Po qe se i drejtohemi sipas një mënyre të motshme analitike, fjalët çelësa, nëpërmjet të cilave mund ta definojmë poezinë e Remzi Bashës, do të ishin shpirti, shpirti si një nga pikëmbështetset elementare, për artin poetik që metaforikisht nuk mungon, edhe pse për çdo ditë vdesim për dashuri dhe atdhedashuri.

Për të theksuar është se ky vëllim është një album vlerash të mirëfillta letrare, një përzgjedhje antologjike që e ka përgatitur autori nga vjershat më të bukura të tij. Dashuria për poetin vjen si një premtim i fshehur ndërmjet rrudhave të ditëve që do të vijnë, të përkushtuara e të dhuruara të dashurës: Afërdita është oqeani im/ Unë jam kontinenti i saj.../ Prania e saj i shndërron/ Fjalët e mia në art.

Kushtrimi për të qëndruar në zemër të historisë

Porsi poetët e tjerë shqiptarë, Remzi Basha jeton në një botë të përmbushur me besim të plotë, duke u përballuar me një realitet shpeshherë të ndritur. Remzi Basha shpalohet nëpërmjet këtij vëllimi si një poet i ankoruar në kohët që po i përjeton, duke përjetuar përpjekjet e emigrantit që militon për liri, por edhe për poezinë e mallit të parë, për jastëkun me ëndrrat e fatit, për faqet e fshehura të bukurisë, të dashurisë, prezente madje, edhe në vetmi. Ngjyrat janë tejet të pranishme në poezinë e Remzi Bashës, të gërshetuara në peizazh: Me këngë trimërie vashat/ E kanë rritur shtatin/ Me bukën e fushës/ Mes erës së malit/ Rrisin dashurinë vashat/ Për djemtë e fshatit tonë.

Ngjyrat përbëjnë, në njëfarë mënyre, pjesë nga veglat me të cilat poeti nënvizon, reliefon shpeshherë, frekuencën me të cilën paraqitet një grup semantik i përcaktuar mbi njërën apo tjetrën degë, madje edhe në atë të filtrimit të rrethit, pa ekzaltim, edhe pse këtu mund të flasim edhe për disa shprehje më të zhurmshme/ tingëllimtare: pluhuri i yjeve, arka e dorëshkrimeve, qielli i përvetësuar i mendimit, shpirti fluturon në fund të përjetësisë... Remzi Basha mjaft lehtë mund t'i "përngjitet" peizazhit poetik të aureolës në të cilën jeton nga disa pikëshikime, të cilat i kemi theksuar (vendlindja, mërgimi, vdekja e motrës, dashuria, përjetësia) por, në të njëjtën kohë, është edhe një zë disi i "distancuar", ndoshta edhe nëpërmjet faktit se dëshiron ta gërshetojë në poezinë e tij, metaforën me imagjinatën, si një lojë skene në të cilën dekori është një element fort i rëndësishëm.

Megjithatë, poezia e tij është një poezi e metaforës, por edhe kuptimit dhe afrimit me mënyrën në të cilën shkruhet nëpër brigjet e tjera, i konferon një aureolë disi të veçantë, në peizazhin poetik shqiptar. Në shikim të parë përfiton përshtypjen gjoja se figurat stilistike përfitojnë teren nëpërmjet forcës dhe hijeshisë, disa madje, me një hijeshi të rrallë. Një perceptim i freskët, i prekur nga flatrat e përflakura të ëndrrës, të së bukurës. Kjo duket shpesh kur dihet se dashuria është lënda e parë me të cilën vepron poeti. Pemët, vreshtat, zogjtë, kullosa, vera, nata etj., përfitojnë edhe ato përfytyrime të bukura, duke qenë të skalitura në fjalë si një pasqyrë e shëndritshme me dy faqe: "të jesh", "të dukesh”, "ëndërr e vërtetë", në vallen e një tanishmërie të hijshme, që rri në pritë ndërmjet kthinave të gardhit të botës.

Përshtypja finale, e shkëputur, si për nga vlera, po aq edhe për nga tematika e peizazhit në të cilin bën pjesë Remzi Basha, është, megjithatë, ajo e një poeti të ankoruar në të tanishmen, por me një sy nga e shkuara, duke mos harruar se, për çdo ditë vdesim, për një dashuri hyjnore. Përfundimisht mund të themei se ky libër, i krijuar me mjeshtri dhe besnikëri, do të jetë për lexuesit tanë, një mënyrë e përshtatshme, për t'u afruar nga një pikëshikim i veçantë, me mënyrën se si shkruhet poezia shqipe në diasporë. (Bukuresht, 25 qershor 2021)

Remzi Basha

OQEANI IM

Ishujt nuk janë kontinente

E as liqenjtë s’janë oqeane.

Afërdita është oqeani im

Unë jam kontinenti i saj...

Prania e saj i shndërron

Fjalët e mia në art.

Ajo s’është tjetër

Veçse një magnet

Që më magjeps

E më nxit

Për të bërë çudira.

Dhe vjen çasti kur i them:

Eja ta shijojmë

Lezetin e jetës

Nga pjata e dashurisë!

Eja ta shijojmë së bashku

Nektarin e pavdekësisë!

PREKJET E DRITËS

Janë rradhitur fjalët

Njëra pas tjetrës

Dhe i ka kapluar gjumi.

Në turmën e heshtur

Të fjalëve

Zgjohen fjalët nga gjumi

Kur dielli shkrep në mesnatë.

Fjalët e përgjumura

Rriten pa para.

Paraja është

Mbretëresha e botës...

VAJZAT E FSHATIT TIM

Anës e pas anës
Lumit të fshatit tim
Nga fushat vijnë vashat
Djersa në ballë iu ndrin

Lumturinë e rrisin sot
Vashat tona duararta
Lule janë vetë ato
Lulet e gëzimit tonë

Me bukën e fushës
Me erën e malit
Me këngë trimërie vashat
E kanë rritur shtatin

Mes erës së fushës
Mes erës së malit
Rrisin dashurinë vashat
Për djemtë e fshatit

Anës e pas anës
Lumit të fshatit tim
Rriten vashat trimëresha
Në roje të Lirisë

Krahët e tyre ngjyrë ar
Seç i poqi dielli i jugut
Ëndrrat e tyre kanë ato
Kokra gruri stivë mbi tokë

Me bukën e fushës
Me erën e malit
Me këngë trimërie vashat
E kanë rritur shtatin

Me bukën e fushës
Mes erës së malit
Rrisin dashurinë vashat
Për djemtë e fshatit tonë.

PAVDEKSHMËRI

Poetët nuk lindin rastësisht

Nga njeriu te njeriu në një frymë

Jeta e tyre me besim e dashuri

Misteri i lindjes në pavdekësi.

Poetët nuk lindin rastësisht

Zbresin nga qielli në tokë

Përmes jetës së tyre

Të fshehur në horizont

Ata mbeten të thjeshtë

Dhe me shpirt të hapur.

Sytë në sy - lajmëtarë hyjnorë

Jo gjithmonë të trishtuar

Në ëndërrime duke jetuar.

Në kaosin e problemeve rrotulluese,

Ata shkëlqejnë në një fushë me ngjyrat

E një bote të humbur gjatë natës.

Poetët largohen me fakte në pritje

Të thirrur nga lart pa pëshpëritje

Ata ndjekin rregullat e një loje të vonë

Ende e panjohur për mendimin tonë.

Zemra po na coptohet nga dhimbja

Kur e kuptojmë një lajm të trishtuar

Kur ata vdesin yjet mbeten të befasuar.

Se ata u larguan pa e mbaruar ëndrrën e tyre

Pa u shuar pa e përfunduar vargun e tyre.

Vetëm engjëjt e kuptojnë se ata janë

Shëruesit e shpirtrave tanë të lodhur

Në pranverë kur lejlekët po vijnë

Dhe kur pikat e borës u shkrinë

Ata për kovidin apo pandeminë

As pas vdekjes nuk duan të dinë.

Poeti largohet dhe jeton me vargje

Ai mbetet përmes një të vërtete

Puna e tij - është një mësim jete.

Shkon në të ardhmen, në largësi

Me tekste të veçanta, me rima e këngë

Dhe mbase sot apo nesër, nuk e dimë

Se do ta ndjekim atë si një lajmëtar

Ku u largua papritmas si një misionar...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat