Bajram Ibish Nikçi, simbol i pashuar i vlerave kombëtare të folklorit dhe traditave autoktone të trevës së Rugovës

Kultura

Bajram Ibish Nikçi, simbol i pashuar i vlerave kombëtare të folklorit dhe traditave autoktone të trevës së Rugovës

Nga: Rexhep Elezaj Më: 13 gusht 2021 Në ora: 17:27
Bajram Ibishi-Nikqi

Ai ishte një burrë, malësor, atdhetar, artist, këngëtar si dhe njëri ndër valltarët veteran të AFA “Rugova”. Ai i takon plejadës së burrave më të shquar të trevës së Rugovës, i lindur në f. Shtupeq i Madh në fund të viteve të 30-ta, në një familje të madhe atdhetare dhe patriotike, e njohur si shpija e Zhujë Veselve-Nikçi, denbabaden autoktone, e cila që nga fillimi i shekullit 19-të e deri në luftën e fundit çlirimtare (qershor 1999), Kosovës dhe shqiptarisë i ka dhënë burra të vendit dhe Kuvendit, shumë trima dhe heronj të kombit, siç ishin Zhujë Veseli, Haxhi Zeka, Bajr, Haradin dhe Bardhec Imeri, Ibish Veseli etj., sikur edhe artist të mëdhenj të folklorit burimor rugovas, siç ishin Bajram Ibishi, Hysen Asllani, Halil Haradini, Kapllan Kapllani, Hysen Asllani, etj.

Image

Bajram Ibishi-Nikçi, që në moshë të re u shqua me talentin e tij të rrallë prej këngëtari dhe valltari qyshkur ishte fëmijë, zëri i të cilit dëgjohej bjeshkë me bjeshkë, e kodër me kodër, në veçanti melosi i fyellit, kavallit dhe fletës së ahut të cilëve iu binte për mrekulli, duke ia thënë këngës dhe valleve në dasma dhe gëzime të shumta familjare.

Ansambli Folklorik Autokton “RUGOVA”, siç dihet është formuar në vitin 1947, por deri në vitin 1969-70 aktiviteti i tij ka qenë simbolik për shkak të dhunës dhe represalieve që krimineli Aleksandar Rankoviçi i ushtronte mbi shqiptarët dhe kulturën e tyre (1956/66), andaj tek pas rrëzimit të tij nga pushteti do fillon rilindja e kulturës dhe folklorit shqiptar në Kosovë, ku më pas roli i Ansamblit “Rugova”, përkatësisht i anëtarëve të tij themelues në ruajtjen dhe afirmimin e artit dhe folklorit shqiptar në ish Jugosllavi, në mesin e të cilëve ishte edhe Bajram Ibishi, ka qenë i jashtëzakonshëm, në mos edhe vendimtar mbrojtje të identitetit tonë etnik brenda një regjimi komunist dhe antishqiptar!

Pra, ishin pikërisht në vitet e 60-ta Bajram Ibishi dhe Hysen Asllani, ndër dy këngëtarët e parë në trevën e Rugovës të cilët me çiftelinë, sharkinë fyellin, kavallin dhe fletën e ahut, pothuajse të vetmit që në dasma dhe ca manifestime kulturore që mbaheshin asokohe në Pejë dhe Rugovë, guxonin të këndonin këngë patriotike si dhe të e hedhnin vallen e Rugovës me shpata, ngase Udb-ja serbe i përcillte në çdo hap, duke i kërcënuar se po qese këndojnë këngë nacionaliste do të burgosen. Madje, Bajrami, Hyseni, Ramë Kapllani, udhëheqësi i Ansamblit, si dhe shumë të tjerë, vazhdimisht janë marrë në biseda informative, por edhe janë torturuar fizikisht.

Pa dyshim, se këngët dhe veshja kombëtare e trevës së Rugovës, të cilën e bartnin pa frikë Bajrami, Hyseni, Ramë Elezi-Lajçi, si dhe shumë burra të kësaj treve, ishin therë e madhe në sytë e “udëbashëve” në Pejë, por të cilët asnjëherë nuk e frikësonin Bajram Ibishin që të largohej nga ansambli, përkundrazi ai gjithnjë bëhej më i fortë në përballje me regjimin kriminal ish-jugosllav, i cili asokohe bënte çmos që ta pengonte rritën dhe afirmimin e vlerave kombëtare dhe kulturore të shqiptarëve.

Pra, kontributi personal i veteranit të folklorit autokton shqiptar në trevën e Rugovës, Bajram Ibishit-Nikçi, ka qenë tejet i madh në forcimin dhe organizimin e AFA “Rugova”, në secilin zhanër muzikor si dhe të këngës, valleve dhe folklorit burimor rugovas, i cili falë punës dhe qëndresës së gjithë anëtarëve të tij, do arrin me shumë mund dhe sakrifica që pas vitit 1974 ta përfaqëson me dinjitet dhe krenari shqiptare vlerat kulturore dhe artistike të Kosovës, si në Zagreb (1972), e deri në Londër dhe Paris (1974), duke i afirmuar 2 milion shqiptarët e izoluar nën bllokadën e regjimit serbomadh në ish Jugosllavi..!?

Image

Me dajën tim, Bajram Ibishin-Nikçin, rapsodin, këngëtarin, valltarin, heroin, bilbilin e këngës dhe valleve burimore të trevës kreshnike të Rugovës..!! Njeriu dhe burri i cili i ka dhënë shpirt, zëmër, kuptim, fizionomi tipike rugovase, autoktoni dhe jetësi AFA "RUGOVA" !! 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat