Letërsia nuk bëhet me direktiva

Kultura

Letërsia nuk bëhet me direktiva

Nga: Hejza art Më: 4 tetor 2021 Në ora: 19:33
Thanas Medi

Thanas Medi është nga fshati Dhoksat, krahina e Lunxhërisë, Gjirokastër. Ka mbaruar studimet e larta për gjuhë-letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës, 1984-1988. Ka punur në arsim, më pas emigroi në Greqi, jeton familjarisht në Athinë. Është marrë që herët me gazetari dhe letërsi, por botimet më serioze i pati më vonë. 2011, boton romanin e parë, “Hija e mallkuar”, Toena. 2013- “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”, Toena, “Çmimi i Madh Kombëtar për Letërsinë”, dhënë nga Ministria e Kulturës, si libri më i mirë i vitit. Botuar në arumanisht, greqisht, rumanisht, së shpejti frëngjisht. 2016- “Kohë e djegur”, Onufri. 2019- “Valsi i një dasme fantazmë”, Onufri. Ka në dorë romanin e pestë. Vlerësohet nga kritika si penë virtuoze, mjeshtër i kompozicionit, dialogut të koncentruar, gjuhës së pasur e të larmishme, vizatimit të atmosferës letrare me ngjyra origjinale.

HEJZA: Larg atdheut, larg vlerave kulturore të kombit, me valixhet plot kujtime, ndrydhur në vetmi e përmallime, lemeritur nga pesha e papërballueshme e asimilimit – ky është motiv krijues, apo është ai fat që i ndjek të mërguarit për të bërë letërsi të mirëfilltë? Diku, krijuesit nga diaspora, shqetësimet letrare si rrjedhojë e rebelimit shpirtëror, i orientonin në krijimin e kryeveprave në letërsisnë tonë kombëtare, sot këtë gjë e bëjnë me qejf, për të përcjellë tradita e prurje të reja në letërsi dhe përgjithësisht në kulturë. Apo ndoshta, tashmë, ky vlerësim është demode, sepse shkrimtari ynë sot, në kohën e globalizmit, kudo qoftë në botë, ai është në atdhe.

THANAS MEDI: Një shkrimtar në mërgim funksionon njëlloj si shkrimtari jo i mërguar, vetëm se do ndryshojë gama e tematikës me të cilën bëhet letërsi. Të parit i ofrohet një horizont më i hapur, një realitet ndryshe, një shoqëri për të cilën është i huaj e i duhet me patjetër të shkrihet me të, një jetë në kufijtë e ekzistencës; kurse i dyti vërtet është mangut nga këto, veç është më i pasur me të tjera. Fjala vjen, me atë periudhë gati tridhjetë vjeçare tranzicioni të pas viteve 90-të në Shqipëri, të cilën i mërguari vetëm sa e shikon nga larg. Tjetër është ta prekësh realitetin, ta ndjesh në lëkurë, dhe tjetër të dëgjosh për atë. Pra, sa ç’është motiv krijues “e brendshmja”, po ta quanim kështu, për shkrimtarin që s’ka mërguar, aq është motiv e jashtmja për atë në mërgim. Emigrimi për shkrimtarin nuk është privilegj, është mundësi. Nga ana tjetër, askush s’mund të bëjë letërsi të mirfilltë vetëm se është në mërgim. Letërsinë e mirfilltë e bën dikush që është i lindur për atë punë, që ka talent, pamvarësisht vendit ku ka emigruar apo jeton. Njëfarë privilegji i mërguari e ka vetëm në sferën emocionale, në shkallën e lartë të përjetimit, ndjenjës, mallit për vendlindjen, për fëmijërinë, për të munguarën, tek e fundit kujtimet janë thesar për letërsinë. Siç kanë qenë dhe për të mërguarit e dikurshëm, rilindasit e mëdhenj, vetëm se këta, në dallim nga të sotshmit, e kanë patur shumë më të zjarrtë nervin patriotik. Ky ka patur, pastaj, dhe hisen e vetë për kryeveprat e krijuara. Kur kjo, për shkak të globalizmit, mjeteve të komunikimit, të atdheut që mbartet me vete, nuk ndodh me të mërguarit e rinj. Me shkrimtarët në diasporë, që shkruajnë për të bërë letërsi, dhe jo që letërsinë ta vënë në shërbim të kombit. Ndonëse njëfarë shërbimi ndodh.

HEJZA: Gërshetimi i kulturës hispanike me kulturën e indigjenëve përgjatë kolonializimit të ‘’kontinentit të ri’’ (Amerikës), solli deri te ‘’lindja madhe’’ e Letërsisë Hispanoamerikane, e cila i dhuroi kryevepra të paarritshme botës letrare, nxorri një plejadë shkrimtarësh mbase të papërsëritshëm ndonjëherë. Mund të vërehet ndonjë element i tillë gërshetues te krijimtaria letrare e krijuesve tanë në diasporë?

THANAS MEDI: Emigrantët shqiptarë, mes tyre dhe shkrimtarët, nuk kanë asgjë prej kolonizatori në vendet ku nisin një jetë të re. Përkundrazi, ata “kolonializohen”, pushtohen e ndëshkohen deri në asimilim të plotë nga vendasit. Prej mënyrës së jetesës, botëkuptimit apo kulturës së tyre. Rrallë ndodh që t’i kushtohet vëmendje dhe kulturës së të huajve, premisat më të mëdha janë kur dhe numri i tyre kap shifra të konsiderueshme, megjithatë, prapë se prapë do ngelet në periferi të përkujdesjes. Për të mos thënë.. në kufijtë e injorimit. Pasi vendasit nuk kanë asgjë të përbashkët me indigjenët e dikurshëm të Amerikës, pushtuar a zhdukur nga kolonizatorët evropian. Diçka mund të ndodhte, njëfarë gërshetimi, marrje-dhënie të sferës kulturore me vendasit, nëse diaspora do funksiononte si një e vetme, do qe e vendosur në një vend të vetëm, gjë që është jashtë çdo mundësie. Ashtu siç është dhe ndikimi i shkrimit shqip, letrsisë shqiptare në diasporë. Për më tepër, kur shkrimtarë të vërtetë ka pak dhe në përgjithësi shkruhet shqip. Botohet në Shqipëri. Dhe një sukses festohet atje, s’gjen jehonë në vendin e huaj. Me kalimin e kohës, ndërrimin e brezave, do mund të shfaqen dhe të suksesshmit, ata që do t’i imponohen kulturës a letërsisë së vendit ku rrijnë, veç ata do jenë tani ca njerëz të tjerë. Me tjetër ndërgjegje. Do jenë më shumë grekë, italian, anglez, francez apo gjerman dhe më pak shqiptarë..

HEJZA: Është më me vlerë ndjekja e traditës për të sjellë ‘’krijime unikale’’, apo të bëjmë përpjekje që letërsinë tonë ta sjellim në gjuhën e popujve me të cilët bashkëjeton diaspora jonë? Sa stimulohet përkthimi, a kemi përkthyes të mirëfilltë në diasporë? Bibliotekat si dhe libraritë tona, gjithandej viseve etnike, po ‘’gogësijnë’’ nga veprat e përkthyera nga letërsia botërore. Apo ndoshta ndani mendimin se çështja e përkthimeve të veprave tona nga shqipja në gjuhë të ndryshme, është problem që duhet ta zgjidhin eskluzivisht institucionet tona qeveritare dhe nacionale!

THANAS MEDI: Letërsia nuk bëhet me direktiva, as me angazhime konkrete, përqafime të kësaj apo asaj rryme e metode letrare, përqasje me këtë ose atë gjuhë; ajo bëhet me punë, vullnet e talent individësh të caktuar. Vetë shkrimtari, kur ulet të shkruaj, nuk thotë “unë po ndjek traditën”, apo “po zgjedh të jem modernist”, thjeshtë ai nxjerr në dritë atë që ka akumuluar e ruajtur prej vitesh në ndërgjegjen e tij krijuese. Lë në letër gjurmën e vetvetes. E cila mund të ketë shkëndijime kulturash, rrymash, metodash, mentalitetesh, botësh të ndryshme; por nuk pushon kurrë së qeni vetvetja. Krijimi i mirë, dhe në mos qentë unikal, mban mbi të gjitha vul personaliteti. Përkthimi, në diasporë e kudo qoftë, stimulohet nga vetë shkrimtari. Pasi ai është më i interesuar për veprën e vetë, ai dëshiron të përkthehet në gjuhë tjetër, të përballet me lexuesin e huaj, të ndjejë kënaqësinë e përhapjes së emrit të tij, gjë që e quaj krejtësisht normale. Përkthyes të mirëfilltë nga gjuhë e huaj në shqip, ka shumë; ndërsa në të kundërt, nga shqip në gjuhë të huaj, ka jashtëzakonisht pak. Ndaj ndodh ai bollëk letërsie të huaj. Ndërkaq, problemi i përkthimit të letërsisë e veprave tona në gjuhë të huaj, nuk mund të zgjidhet nga institucionet shtetërore. Dhe letërsia duhet t’u nënështrohet ligjeve të ekonomisë së tregut. Në vend të shtetit, nevojitet agjenti letrar, si kudo në botën e zhvilluar.

HEJZA: Cili është raporti i atdheut me krijuesit shqiptarë të diasporës? Shtëpitë tona botuese që i kemi me bollëk, dijnë gjë për këta shkrimtarë, apo nisin e i njohin sapo ndonjëri prej tyre të shpreh gatishmërinë për vetëfinancim të veprave të veta? A mendoni se vetëfinancimi i botimeve është një ‘’korrupsion kulturor’,’ i cili duhet të ndiqet edhe me mbyllje të shtëpisë botuese nga organet respektive shtetërore?

THANAS MEDI: Nuk e di si e shohin të tjerët raportin e shkrimtarit me atdheun, por për vete di të them se ai fillon më së pari me vendlindjen. Kur thuhet, “emigranti e merr atdheun me vete”, dihet se ai ka marrë fshatin apo qytetin ku ka lindur, pragun e shtëpisë së tij, rrugën ku u zvarrit për herë të parë e u ngrit në këmbë, njerëzit më të afërt, miqtë, shokët, të njohurit që ka hasur në jetë, kujtimet, ëndrrat që ka thurrur atje apo dashuritë që ka lënë përgjysëm. Në njëfarë forme, ky është “atdheu i vogël”, por që ruan në vetvete përmasat e “atdheut të madh”. Krijuesit në këtë pikë, ndryshe nga emigrantët në përgjithësi, vetëm se kanë mundësinë ta përjetësojnë atë në letër. Ndërsa, për ç’u përket shtëpive botuese, besoj se i pakët është interesi për shkrimtarin e diasporës. Nëse ky shquhet pak a shumë në vendin e huaj, apo fiton ndonjë çmim serioz në vendi e tij, atëherë ekzistojnë dhe premisat për tërhejqje të vëmendjes. Mosinteresimi vjen nga mënyra e funksionimit të tyre, ato janë si ca ndërmarje që dalin gjithmonë me fitim, përderisa shpenzimet për librin i paguan autori. Në këtë mes, shkrimtarët e diasporës duhet të jenë më të privilegjuar, pasi dhe pagesa është më e sigurtë.. Kështu, shumica dërrmuese e atyre që e mbajnë veten për shtëpi botuese, nuk janë tjetër veçse shtypshkronja. Dhe, si të tilla, ato patjetër që do t’i mbyllin sytë para vlerave të dyshimta, bëhen promotore të lulëzimit të mediokritetit, të bumit të librave e shkrimtarëve e pak u duhet se po asfiksohen prurjet e vërteta, letërsia e mirfilltë. Zhvleftësohet libri dhe emri “shkrimtar”. Pa dyshim që kemi të bëjmë me një korrupsion të pastër kulturor, veçse ky vjen më i fundit, kur vendi noton në korrupsion..

HEJZA: A e ka thënë fjalën e vetë kritika letrare për krijimtarinë që po zhvillohet në diasporë? Apo, janë dy vlera që ecin paralelisht dhe assesi të takohen diku sy më sy?

THANAS MEDI: Në Shqipëri nuk ka akoma një kritikë të afirmuar letrare, nuk ka qoftë dhe një grusht specialistësh të shkrimit, të cilët do t’i kishin bërë nder emrit të tyre dhe pikërisht për këtë do qenë të besueshëm nga të gjithë. Por ka persona të veçantë, krijues, studiues, profesorë që shkruajnë për këtë apo atë shkrimtar. Këtë apo atë libër. Tek e fundit, dhe kjo është kritikë. Dhe një mbresë apo shënim lexuesi pas leximit të librit, është kritikë, me kushtin që autori ta meritojë këtë e mos i krihet bishti. Për vete ndihem jo pak i shpërblyer, për më tepër duke qenë dhe në mërgim. Dhe do doja t’i falenderoja dhe njëherë gjithë ata që kthyen sytë e janë shprehur për krijimtarinë time.

HEJZA: Antologjitë e më hershme të poezisë, por dhe të tregimit shqiptar, nuk janë llogaritur si të “kompletuara” pa përfshirjen e autorëve shqiptarë të diasporës. Sa vend zënë sot krijuesit nga diaspora nëpër antologjitë e tilla bashkëkohore? Apo nuk njihen fare nga hartuesit e antologjive, aq më pak nëse nuk paguajnë për përfshirjen?

THANAS MEDI: Autorët e diasporës nuk besoj se kanë ndonjë pengesë për t’u përfshirë në këtë apo atë antologji, mjafton të jenë të spikatur si shkrimtar të mirë. Nga ana tjetër, luan shumë rol niveli dhe serioziteti i hartuesve, pasi shumë herë zotërojnë subjektiviznat, njohjet, hatëret, preferencat, miqësitë apo marrja nën sqetull e këtij apo atij autori. Nuk jam interesuar të di sa vend zënë krijuesit e diasporës në këto antologji, veç di se ata i kanë të gjitha mundësitë për ta bërë të njohur krijimin e tyre. Si brenda, si jashtë Shqipërisë.

HEJZA: Jeta letrare e shqiptarëve sot është më e pasur se dikur, apo më e varfër?

THANAS MEDI: Anoj nga varfëria, megjithëse mundësitë janë për të qenë më e pasur. Ose nga të qenit e përciptë, e sipërfaqshme, bazuar në publikime feizbuku a mjetesh të tjera informacioni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat