Letërsia e brezit të ri lexohet pak dhe paragjykohet shumë

Kultura

Letërsia e brezit të ri lexohet pak dhe paragjykohet shumë

Më: 2 nëntor 2021 Në ora: 11:02
Ndue Ukaj

Ndue Ukaj (1977) është shkrimtar, kritik letrar dhe publicist. Poezitë e tij janë përkthyer në anglisht, spanjisht, italisht, rumanisht, finlandisht, kinezisht, suedisht, turqisht dhe janë botuar në revista dhe antologji të poezisë. Është autor i librave: “Diskursi biblik në letërsinë shqipe”, studim, AIKD, 2004, “Ujëvarat e metaforave”, poezi, M&B, 2008, “Godo nuk vjen”, poezi; Lulupress, 2010, “Arka e shpëtimit” poezi, 2012, Drita, “Gjithmonë diçka mungon”, poezi; OM, 2017, “Krijimi i dashurisë”, (2017), përmbledhje e përzgjedhur poetike dhe botuar nga Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit; 2017. "Ismail Kadare: Kryqëzime letrare dhe kulturore", ese, Onufri, 2019, "Mbretëria e ëndrrave", tregime, Onufri, 2021. Libri me poezi “Godo nuk vjen” u laureua me Çmimin Kombëtar ”Azem Shkreli” për librin më të mirë me poezi të botuar në vitin 2010, kurse në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë, “Ditët e Naimit”, u laureua me çmimin për poezinë më të mirë. Kurse Revista Best of MadSwirl e ka veçuar në një antologji me 52 poetë, 12 prozatorë që shkruajnë dhe katër artistë, veprat e të cilëve u prezantuan gjatë gjithë vitit 2017 në MadSwirl.com dhe pastaj u botuan në një libër. Ka fituar edhe çmime tjera. Ukaj është anëtar i PEN-it në Suedi.

HEJZA: A mjafton fakti se sot, meqë kemi shumë shkrimtarë që “po shkruajnë”, mund të konstatojmë se po bëjmë letërsi?

UKAJ: Jo, s’mendoj se kemi shumë shkrimtarë. Në përkim me atë që ka thënë Borgesi - si lexues që lexoj atë që më pëlqen dhe që shkruaj atë që mundem -besoj fort se po bëjmë letërsi të mirë dhe vepra shumë të vlefshëm, ashtu siç ka letërsia jonë shkrimtarë minorë dhe vepra të tilla. Por, ne duhet ta duam letërsinë tonë dhe t’i lexojmë shkrimtarët tanë që të mund pastaj të krijojmë një mendim më të qartë e më të pjekur. Kam një përshtypje se letërsia e brezit të ri lexohet pak dhe paragjykohet shumë. Kjo mund të jetë rrjedhojë e një energji negative që apriori paragjykon. E kjo s’mund të jetë e shëndetshme dhe as etike.

Dhe po ta lexojmë krijimtarinë e dekadave të fundit, pra të breznisë së re të letrarëve shqiptarë, do të gjenim në gjirin e letërsisë shqipe shkrimtarë fantastikë. Me siguri, ka edhe të tjerë që e shfrytëzojnë pluralitetin e mendimeve dhe mundësitë e reja e shkruajnë letërsi minore. Ky fenomeni s’është vetëm i yni, është i njohur universalisht dhe s’ka mundë t’i shpëtojë asnjë letërsi, e me gjasë s’do të mundë t’i shpëtojë as në të ardhmen. Fundja, vetëm duke pasur këtë lloj pluraliteti dhe këto mundësi diferencimi, ne vërtet mund ta kuptojmë çfarë është vlerë e naltë estetike në krahasim me një vlerë më të ultë. Dhe ballafaqimi i këtyre dy kategorive s’e dëmton letërsinë, përkundrazi e ndihmon. Të besosh se të gjithë ata që shkruajnë do të bëhen shkrimtarë të mëdhenj, është iluzion dhe për këtë ka prova pa fund në historinë e artit letrar.

Por, kur jemi te mjedisi ynë letrar, ne duhet të ndihemi mirë, meqë e kemi lënë prapa periudhën e rëndë të censurës dhe të kontrollit të fuqisë së pushtetit mbi artin, si dhe tendencat e neveritshme të determinimit nga lart të asaj çfarë duhet të lexohet e çfarë jo. Hierarkia letrare s’mund të certifikohet nga asnjë institucion sado e rëndësishëm të jetë ajo, as nga kritika letrare, por nga lexuesit dhe koha që ia japin përjetësinë.

Sot jetojmë në një pluralitet mendimesh, metodash, qasjesh dhe natyrisht se ekzistojnë mundësi të ndryshme botimi. Dhe në këto rrethana është e pamundur të mos dalin në skenë dhe autorë pa talent të mjaftueshme që shkruajnë letërsi minore, por kjo kurrë s’mund t’ia zë hapësirën e vërtetë letërsisë madhështore. Në këtë drejtim, ne kemi shembuj të njohur e të freskët, të cilët tregojnë sesi pushteti absolut tentoi të fabrikojë letërsi të uzinave dhe qiti në harresë shumë shkrimtarë fisnikë e me sqimë. Por, me kohë, kur ra pushteti absolut, ata u kthyen dhe vetvetiu zunë vendin që u takon në hierarkinë e letërsisë shqipe. Sepse i kërkoi lexuesi i çliruar nga deduksionet e hidhëta ideologjike, dhe në realitetin e ri, ai s’ngopet së lexuari Fishtën, Koliqin, Konicën, Camajn, Kutelin, Harapin, Prendushin e plot të tjerë.

Është e vërtetë se letërsia shqipe përgjatë dekadave të fundit ka përjetuar një tranzicioni të mundimshëm - që po vazhdon - dhe gjatë këtyre viteve të mundimshme e përplot çaraveshje identitare është krijuar një trend jo i shëndetshëm, ndonjëherë me tendence neveritëse për të kontestuar dhe mohuar gjithçka autentike. Kjo dukuri duket se e ka lënduar mjedisin tonë letrar, sepse ka krijuar grupime dashakëqij e armiqësore. Dhe si pasojë e këtij trendi negativ, ka ndodhë shpeshherë të flitet me dashakeqësi për letërsinë tonë dhe shkrimtarin shqiptar.

Në funksion të kësaj, dua t’ia përcjell lexuesit tuaj një fragment që shkrova këto ditë në shtypin letrar në Tiranë: “Në historinë e letërsisë së vjetër hebraike s’kishte kurrë ndonjë dallim themelor midis poetit dhe profetit. Poezia jonë e lashtë shpesh bëhej ligj dhe një mënyrë jetë” - shkruan nobelisti i letërsisë, Isaac Bashevis Singer. E letërsia jonë kombëtare duket shëmbëllim këtij misioni, meqë shkrimtarët shqiptarë, që nga Gjon Buzuku e deri te ata të kohës sonë, kanë kryer funksione më shumë se letrare në historinë e kulturës dhe të identitetit shqiptar, sepse idetë e tyre letrare u kthyen në filozofi, platformë politike dhe vetëdije kombëtare, kurse vetë ata u bënë prijës e udhëheqës të ngjarjeve madhore, dhe kështu, duke bërë letërsinë mediumin kryesor në formimin e identitetit dhe përcaktimin e rrjedhave kombëtare.

HEJZA: Pse sot nuk kemi gjenerata krijuesish si dikur, që në viset etnike jashtë atdheut, po shënonin “epoka letrare”: gjenerata e Pasluftës së Dytë Botërore, gjenerata e viteve 70-80-90! Ku qëndron problemi: te shkëputja e kontaktit krijues-lexues, te “heshtja krijuese” si pasojë e shkëputjes kohore, e cila kërkon një hedhje të hapit gjigant në krijimtarinë letrare, apo si pasojë e “vdekjes” së kritikës letrare?

UKAJ: Secila epokë i ka shkrimtarët e vet të spikatur që krijojnë hartën shpirtërore të një kombi e të një gjuhe dhe bëhen zëdhënës të dinjitetshëm e përfaqësues të asaj periudhe. Me siguri, edhe koha jonë i ka të tillët, të dallueshëm në tematikë e stilistikë. Disa gjenerata, për të cilat ju flisni, janë ende aktive dhe në kuptimin e krijimit letrar, janë shkrimtarë edhe të kohës sonë. Kurse sa i përket rolit të kritikës letrare, s’besoj se ajo ndonjëherë ka qenë faktor për të krijuar ndonjë brez shkrimtarësh e vepra të mëdha, përkundrazi, janë shkrimtarët e mëdhenj ata që krijojnë mendim letrar, e veprat që lënë pas, bëhen material për veprimtarinë kritike.

Unë besoj fort se letërsia e stome ka emra të spikatur që përbejnë një brezni fantastike, që shkruajnë bukur e me ndjesi të forta estetike dhe kulturore. Por, mbase, duhet të kalojë një kohë që të mund ta kuptojmë atë më drejtë, të ngopemi njëherë me idenë e mohimit dhe të ngarendjes pas trendëve që determinojnë guidat e ndryshme të kohës. Jam i vetëdijshëm se këtij tundimi është zor t’i shpëtojmë, por nëse vërtet një moment çlirohemi nga paragjykimet dhe e bëjmë një listë emrash të autorëve që krijojnë sot, në hapësirat shqiptare dhe diasporë, përpara nesh na ravijëzohet një simfoni madhështore shkrimtarësh të shpërndarë nëpër meridianë të ndryshme të botës që shkruajnë për mrekulli. E, ajo çka na duhet është që t’i njohim më shumë, t’i lexojmë më shumë dhe veprat e tyre të shpërndahen sa më tepër. Unë kënaqem më të mirët dhe gëzohem sa herë shtohet një i tillë në qiellin tonë.

HEJZA: A mund të ketë kritikë bashkëkohore letrare në kohën kur po na ngulfat amatorizmi dhe diletantizmi në bërjen e “letërsisë”?

UKJA: Ekziston një tendencë e vazhdueshme - jo vetëm te ne - që shkrimtarët të vihen përpara përgjegjësisë për veprat që shkruajnë. Opinioni letrar, kritikët, pyesim vazhdimisht për përgjegjësinë që kanë ata në raport me veprën e tyre letrare, por rrallë na shkon mendja të pyesim për përgjegjësitë që kanë kritikët, studiuesit, katedrat dhe ata që bëjnë opinion letrar për përgjegjësinë e madhe që kanë ata në raport me punën e tyre.

Unë besoj se te ne ka kritikë letrare të mjaftueshëm, në mos ndonjëherë ka teprime. Prandaj, parapëlqej të flasim më shumë për lexues dhe të kemi më shumë lexues sesa kritikë; lexues që e duan letërsinë dhe që flasin me dashuri për të. Me siguri, një kritikë letrare që s’iu shërben doktrinave të ngushta, katedrave e interesave klanore, do të mund të nxiste leximin dhe kjo është detyrë mjaft fisnike. Mbaj mend ta kam lexuar diku një si thirrje që thoshte se kishte ardhur koha që Shekspiri t’iu kthej lexueseve dhe të largohej nga katedrat. Unë besoj se janë lexuesit ata që e shkruajnë gjysmën e veprës letrare dhe ne duhet të punojmë sa më shumë që ta nderojmë lexuesin si institucion tejet me rëndësi në fushën e artit letrar.

HEJZA: A shihni ndonjë rol në profilizimin e krijuesve të mirëfilltë nëpër portale apo redaksi elektronike gjithëkombëtare që do të ishin nën përkujdesin institucional të shteteve tona shqiptare?

UKAJ: Mjerisht, shtetet tona bëjnë fare pak për promovimin e letërsisë shqipe. Kjo është për keqardhje dhe mbase njëra nga pengesat e mëdha që krijon vështirësi në afirmimin e madh të shkrimtarëve shqiptarë nëpër botë. Shtetet tjera, sidomos ato të kontinentit tonë, investojnë shuma të mëdha parash në letërsi dhe te autorët e tyre, pastaj kanë programe të shumta dhe e ndihmojnë veçmas përkthimin. Besoj fort se programet e veçanta për shkrimtarë e përkthyes, bursat letrare, mbështetja e botimeve jashtë, portalet në gjuhë të huaja, do të krijonin lidhje ndërkulturore dhe do t’i shërbenin njohjes sa më të gjerë të letërsisë shqipe dhe rrjedhimisht kombit tonë.

Prandaj, shtetet tona duhet të vetëdijesohen dhe të investojnë më shumë në libër, lexim dhe sidomos në veprimtarinë e përkthimit. Sepse, të mirat që do t’i përfitojmë nga këto investime, janë shumëfish më serioze e më afatgjate krahasuar me të gjitha investimet tjera që herë pas here bëhen për të përmirësuar imazhin e shteteve tona. Një shembull fantastik e kemi shkrimtarin tonë, Ismail Kadare, vepra e të cilit i ka sjellë nder, dinjitet e vlerësim të përbotshëm kombit tonë, një gjë që e kam përjetuar sa e sa herë nëpër botë.

HEJZA: Librin elektronik, bibliotekën elektronike, digjitalizimin e botimeve, e shihni si “vdekje të librit” apo si një proces të cilin, detyrimisht duhet ta pranojmë dhe të jemi në hap me kohën! A mund ta konceptojmë këtë proces të librit si fat i shkrimit të pergamenteve, të shkrimit nëpër lëvore drush, në rrasa guri, në lëkurë kafshës, në shpat mali, në shpella!

UKAJ: Jo, s’besoj se mund të flitet për vdekje të librit dhe as për një proces të transformimit të tij. Këto forma bashkëkohore, libri elektronik, biblioteka elektronike, digjitalizimi, mund të jenë zgjatim të librit fizik dhe asgjë më shumë, por kurrë s’mund ta zëvendësojnë përmasën e librit të shtypur, të cilin, kur e hapim, na mrekullon, gjë të cilën s’mund ta arrijë libri elektronik. Dhe për këtë duket sikur ka një pëlqim të përbotshëm. Pra, përkundër zhvillimeve të hovshme teknologjike, dua të besoj fort se libri klasik, do t’i rezistojë kohës sonë dhe do të përcillet te breznitë e ardhshme si një nga gjërat më të bukura që ka shpikë njeriu, ndoshta shpikja më e mirë e tij. E ndiej si detyrë që këtë mrekulli, librin, t’ua përcjellim breznive të ardhshme.

HEJZA: A po e vuan kritika jonë letrare mungesën e gazetave dhe revistave kulturo-letrare! Nga ana tjetër, janë të pakta edhe përpjekjet e kritikës sonë që të gjejë vend e strehë nëpër faqe profesionale, nëpër rrjete sociale të profilizuar ku mund të japin kontribut të pamohueshëm.

UKAJ: Mjedisi ynë letrar është modest në këtë drejtim po ta krahasojmë me kulturat tjera. Te ne mungojnë festivalet letrare, çmimet letrare për shkrimtarë dhe përkthyes. Megjithatë, duhet të përmendim disa revista mjaft përfaqësuese, siç është Jeta e Re në Kosovë, Hylli Dritës me një traditë të lavdishme në Shkodër, pastaj Shejzat-Pleiades. Po ashtu, kohëve të fundit, mjedisit tonë letrar i është shtuar javorja ExLibris, që tanimë është kthyer në një tribunë të vërtetë ku afirmohet letërsisë në përgjithësi e shkrimtari shqiptar në veçanti. Ka edhe revista tjera që botohet jashtë hapësirave shqiptare e që bëjnë punë të mrekullishme, si dhe disa portale që kujdesen të bëjnë punë më vlerë në fushën e letërsisë. Gjithsesi, këto nuk janë të mjaftueshme, por janë dritare përmes së cilave mund të ajroset përditë e më shumë mjedisi ynë letrar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat