Pse nuk kemi biblioteka për fëmijë!

Kultura

Pse nuk kemi biblioteka për fëmijë!

Nga: Hejza Art Më: 1 dhjetor 2021 Në ora: 12:00
Foto ilustrim

Dy-tri javë më parë në Maqedoninë e Veriut si dhe në Kosovë janë zhvilluar zgjedhjet vendore, ndërsa shqiptarët janë ngopur deri në grykë me premtime. Një prej premtimeve që nuk ka qenë më parë në “rend të ditës” ishte “do të ndërtojmë disa çerdhe”, apo “kopshte”, ndërsa nga Tirana na vijnë haberet se janë hapur me dhjetëra kopshte të reja! Kopshte të reja me koncepte të vjetra! Kopshte të mbushura me lodra për fëmijë të moshave të ndryshme.

“Prefektët” tanë kanë premtuar edhe kënde lojërash për fëmijë, kanë premtuar parqe, japin lloj-lloj premtimesh për fëmijë, por a keni dëgjuar ndonjëherë të premtojnë (të bëjnë jo se jo njëherë!) bibliotekë për fëmijë, qendër edukative dhe rekreacioni për fëmijë, ndonjë hapësirë të mbyllur për fëmijë, të cilët, edhe në kushte me shi e me borë, kanë nevojë të dalin nga ambienti i shtëpisë! Pra, përmes këtyre qendrave dhe kopshteve alternative nuk synohet që të mbyllen fëmijët (madje edhe të dhunohen!!!) derisa prindërit janë në punë, por, mbi të gjitha, socializohen, argëtohen, mësojnë për higjienën, pastërtinë e ambientit, sjelljen ndaj prindërve, ndaj të moshuarve, ndaj shokut, shoqes etj.

Ne shtetet perëndimore gjithandej funksionojnë bibliotekat për fëmijë, me libra të ilustruar, me libra zanorë! Prindërit zënë vend nëpër kënde të përshtatshme ndërsa fëmijët ecin vetë nëpër rafte dhe marrin atë libër që u pëlqen, vijnë te prindërit, ulen skaj tyre dhe dëgjojnë përrallën që u lexohet me zë të ulët. Ose, prindërit marrin librat e tyre të preferuar, ndërsa fëmijët i dëgjojnë përrallat nga librat zanorë! Të hapura çdo ditë të javës janë edhe kopshtet-qendrat rekreative-edukative për fëmijë të grup-moshave të ndryshme. Fëmijët zënë atë kënd, apo atë klasë, ku dëshirojnë të shprehin “talentin” e vet, apo ku u duket më interesant: në dhomën e lodrave, në dhomën e internetit, në dhomën e pikturimit, në dhomën e leximit! Edukatorët përkujdesen për t’ua bërë sa më interesante kohën që do ta kalojnë aty, kurse nënat këmbejnë në mes vete përvojat me fëmijët e tyre. Natyrisht, nuk mund t’i shpëtojnë në fund, valles së përbashkët si dhe këndimit së bashku, me qëllim që fëmijët, jo vetëm të socializohen, por edhe të mësohen me prindërit e socializuar. Derisa prindërit flasin për problemet që mund t’i kenë me fëmijët e tyre, edukatorët zhvillojnë tema javore! Fëmijët kanë mundësinë të zgjedhin “profesionin” e tyre: dikush preferon të bëhet mjek, dikush mekanik, dikush piktor, dikush muzikant etj.

Kështu zhvillohet imagjinata te fëmijët! Ekzistojnë edhe palestra për fëmijë, që nga ata që sapo kanë nisur të ecin e deri te parashkollorët, me mjete përkatëse për zhvillim psiko-fizik. Biçikleta të vogla, makina lodër, vrapime, lojëra me top etj. Pra, aspak nuk sheh fëmijë në rrugë, fare pak sheh fëmijë në parqe, natyrën e përdorin vetëm për shëtitje dhe shplodhje të fëmijëve në ajër të pastër. Natyrisht, në mbrëmje fëmijët insistojnë për përralla që do t’ua përfshijë tërë aktivitetin ditor që e kanë kaluar. Kështu rriten gjeneratat e ardhshme në Perëndim. Po si rriten fëmijët shqiptar? Pak nëpër kopshte të parformuara e më shumë në kushte shtëpie me dado, që aty janë sa për t’u mos u ndjerë fëmijët vetëm! Nëpër shumë vende rrugën e kanë të vetmin “ent rekreativ”! Sa për librin të mos flasim! Sapo iku Panairi vjetor i Tiranës. Botimet për fëmijë, librat e ilustruar u shitën më së paku! Prindërit u ankuan se janë një çik të shtrenjta, ndërsa palestrat me seanca të kushtueshme për ruajtjen e linjave të trupit janë përplot me mama! /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat