Me çka dëshmohet lashtësia!

Kultura

Me çka dëshmohet lashtësia!

Nga: Hejza Art Më: 22 dhjetor 2021 Në ora: 13:49
Foto ilustrim

Kulturologia Barbara Kirshenblatt-Gimblett, në veprën e vet “Teorizim për trashëgiminë”, thekson se trashëgimia kulturore përfaqëson një burim nga e kaluara, që është "i vjetër", por që merr një "jetë të dytë" (që do të thotë se do të ketë funksion të ri si "trashëgimi") dhe i atribuohet vlerë e posaçme nga shoqëria (“e çmuar", “e rrallë”, “në zhdukje")! Le të supozojmë se autorja me këtë definicion ka parasysh kullën shqiptare, e cila dikur ka pasur funksion banimi, ndërsa sot, si e vjetër dhe “e pabanueshme”, merr funksionin e një eksponati kulturor që duhet të jetë e qasshme nga vizitorë e turistë anekënd botës!

Shqiptarët, gjithandej viseve etnike, deri para tri dekadave, kryesisht kanë jetuar në zonat rurale, pra në qendrat urbane ka jetuar një përqindje relativisht e vogël. Madje, për shkak të politikave diskriminuese, edhe ato vise të qendrave urbane të banuara me shqiptare kanë qenë forma të getove. Si në zonat rurale ashtu edhe në ato “geto shqiptare” nëpër qendra urbane, shqiptarët kanë çuar një jetë përplot mjerim, trishtim, varfëri.

Gjatë viteve tetëdhjeta e, kryesisht pas viteve nëntëdhjeta, shqiptarët jashtë kufijve të shtetit amë, krijuan mundësinë e ndryshimit të mënyrës së të jetuarit. Këtu diku mund të kërkohet ai moment i prishjes së raporteve të shqiptarëve ndaj “të vjetrës”! Meqë “e vjetra” u asoconte në mjerim, varfëri e trishtim, çdo kasolle të vjetër, çdo shtëpi të baballarëve, gjyshërve e stërgjyshërve, çdo kullë, çdo gardh, e prishën duke ndërtuar objekte, godina, shtëpi të reja. Nuk restauruan asgjë nga “e vjetra”, nuk konservuan, gjithçka “e vjetër”, me të gjitha kujtimet e trishta brenda saj, duhet të shkatërrohet e të ndërtohet nga e para!

Sot, vendbanimet shqiptare mund të jenë të vjetra me shekuj, por me pamje nga më modernet. Edhe pse me infrastrukturë, vende vende edhe primitive, vendbanimet shqiptare, fshatrat, mëhallët-fiset, katundet, lagjet janë krejtësisht të reja: me shtëpi e oborre luksoze, me avlli e rrethoja me kangjella, me drita neoni e me llamba led, me panele e ngrohje solare. Thjesht, katundet shqiptare (sidomos ato në viset shqiptare të Maqedonisë së Veriut) sot duken “Amerikë”! Asnjë vendbanim i ri nuk u ngrit pranë “vendbanimeve të lashta”, të meremetuara e të konservuara që të ngeleshin si kujtim, si pronë, si pasuri nga të parët, të cilat sot do të quheshin si “fshatra etnko-turistik”, që do të vizitoheshin e do të mrekulloheshin me tërë atë trashëgimi kulturore shqiptare.

Pas luftërave të mëparshme e deri te kjo e fundit në Kosovë, vazhdimisht shqiptarët janë përpjekur që t’i ngrisin shtëpitë-kulla, të cilat gjithnjë të parat kanë qenë objekt djegie e shkatërrimi nga okupatori serb. Sepse, kullat kanë pasur edhe hijen dhe peshën e institucioneve kulturore nacionale, përveç që kanë pasur domethënien e “shtëpisë së madhe” të fisit të fortë, trim e të pathyeshëm. Fatkeqësisht, sot kullat e reja po e humbin atë peshën kulturore, sepse më tepër po ngritën si objekte-përmendore të pamposhtshmërisë duke marrë kuptimin e “min-garnizoneve ushtarake”! Zona e Malësisë, sidomos Thethi, është shndërruar në simbol që shpjegon peshën dhe rëndësinë e “të vjetrës”, e trashëgimisë natyrore, por edhe kulturo-etnike në funksion të “turizmit malor”.

Sistemin mbrojtjes të trashëgimisë në Kosovë e garanton “Ligji për zona të veçanta të mbrojtura”, i cili "siguron mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, objekteve të tjera fetare, si dhe objekteve historike dhe kulturore me rëndësi të veçantë për komunitetin serb të Kosovës, si dhe komunitetet tjera në Kosovë”!

Në Maqedoni, në vendbanimet shqiptare nuk kemi asgjë (përveç trashëgimisë etnologjike, fetare e natyrore) për t’u përfshirë në sistemin mbrojtës të trashëgimisë, siç nuk kemi as në viset e tjera etnike, përtej kufirit të shtetit amë, me përjashtim të Ulqinit ku kemi “Kalanë e Ulqinit”! Kurse Shqipërinë (por edhe disa zona të Kosovë) në çdo pëllëmbë e kemi me relikte e objekte të trashëgimisë kulturore, nën dhe e mbi dhe, madje edhe nën mbrojtjen e UNESKO-s! Shqiptarët, sidomos ata të Maqedonisë së Veriut, janë të lumtur (!) që e kanë flakur “të vjetrën”, atë strehë të varfërisë, trishtimit, mjerimi... Një angazhim etnik në realizim të planeve, projekteve, politikave antikombëtare! Pa gjurmë të “së vjetrës”, si të dëshmohet lashtësia! /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat