Një dhuratë me shumë rëndësi për fundvitin 2021 për kulturën shqiptare

Kultura

Një dhuratë me shumë rëndësi për fundvitin 2021 për kulturën shqiptare

Nga: Abas Fejzullahi Më: 29 dhjetor 2021 Në ora: 14:21
Librat e Agim Paçarizi

Në mbrëmjen e 28 Dimrorit (Dhjetorit) të viti 2021, përmes postës elektronike më erdhi lajmi se doli nga shtypi libri Monografik i autorit Agim Paçarizi “ SHKOLLA SHQIPE NË GJENEVË “.

Librin Monografik të Agim Paçarizit “SHKOLLA SHQIPE NË GJENEVË “ e kam lexuar me shumë vëmendje gjatë vjeshtës së viti 2021, para se të përcjellet për t’u shtypur, tani më është një Dhuratë e çmuar e me shumë vlerë me rastin e 30 Vjetorit të SHKOLLËS SHQIPE TË MËSIMIT PLOTËSUES NË ZVICËR dhe për Këshillin Kantonal të LAPSH ”Naim Frashëri” të Gjenevës në veçanti, për mësimdhënëset-it, nxënëset-it, për prindër, bashkëpunëtorë e veprimtarë të Shkollës Shqipe, për shoqatat kulturo-artistike, institucionet përgjegjëse Zvicërane të arsimit në kantonin e Gjenevës, për institucionet e arsimit në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni dhe për misionet e tyre diplomatike të vendosura (akredituara) në Zvicër, për studiues dhe lexues të interesuar.

Agim PAÇARIZI u lind në Dragobil të Malishevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Prizren. Studioi histori në Fakultetin Filosofik të Universitetit të Prishtinës (1979). Në fillim punoi si profesor i historisë në Gjimnazin «Ramiz Sadiku» të Rahovecit si dhe në paralelet e ndara në Malishevë e Ratkoc. Si pjesëmarrës i demonstratave studentore të vitit 1981 arrestohet dhe dërgohet në burgun e Lipjanit bashkë me shumë profesorë të tjerë. Njëkohësisht pushteti i atëhershëm ia ndaloi punën në arsim dhe atë prej vitit 1981 deri në vitin 1990. Në vitin 1990 rifilloi punën si profesor në Shkollën e Mesme Profesionale «Lasgush Poradeci» në Kijevë, e cila zgjati deri në fund të vitit 1993, kurse, më pas, nga janari i vitit 1994 vazhdoi në Gjimnazin «Abdyl Frashëri» të Malishevës. Duke qenë vazhdimisht në sy të autoriteteve lidhur me veprimtarinë e tij kundër diskriminimit, që tashmë gjithnjë e më hapur po ushtrohej ndaj shqiptarëve, në prill të vitit 1994 përjetoi një bastisje brutale në shtëpi dhe arrestim. Së këndjemi, duke parë se puna e veprimtaria e tij në Kosovë praktikisht po bëhej e pamundur, u detyrua të emigrojë në Zvicër (1994) e ku menjëherë u integrua në veprimtaritë e ndryshme politike, kulturore e arsimore të bashkatdhetarëve, veçmas në fushën e zhvillimit të Shkollës Shqipe (prej mësuesit të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare për fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë të Gjenevës e deri te kryetari i LAPSH-së për Gjenevë). Është i martuar e baba i pesë fëmijëve. Ky është libri i tij i parë.

Agim Paçarizi në librin monografik ”SHKOLLA SHQIPE NË GJENEVË”, me një përgjegjësi morale dhe profesionale, ka bërë një punë të mrekullueshme në mbarështim gjithëpërfshirës të një pune 30 vjeçare me të dhëna e dëshmi, lidhur me rrjedhatë e punës në kohë dhe hapësit të Shkollës shqipe në Gjenevë. Është bazuar në gjurmimin, hulumtimin, grumbullimi, përpunimin, studimin e materialeve me të dhëna e dëshmi por edhe të shoqëruara edhe me fotogravi.

Për të dëshmuar për gjithë ate që ka hulumtuar në kohë dhe hapësirë me përgjegjësi ndjek parimin e gjithëpërfshirjes, me lëndën e grumbulluar e të përpunuar me kujdesë, tue i ofruar lexuesit të vërtetën rreth punës së bërë brenda 30 vitesh, në bazë të dokumentacionit të mbledhur me kujdesë që i mbarshtron në librin e tij Monografik, të posadalur nga shtypi për lexuesit.

Libri do t’iu shërbejë të gjithë të interesuarve për rrugëtimin e LAPSH-së ”Naim Frashëri” në kantonin e Gjenevës ku shumë nga veprimtaritë e organizuara me nismën dhe drejtimin e Agimit dhe në bashkëpunim me mësuese, prindër e veprimtarë të tjerë të shumtë janë bërë ushqim kulturor e arsimor për të gjitha moshat e shqiptarëve të Gjenevës. E gjithë kjo fiton në vlerë kur dihet se çdo gjë ka ndodhur në baza vullnetare e pa pagesë, siç ka ndodhur e është duke ndodhur edhe në shumë kantone të tjera në Zvicër.

Gjatë leximit të monografisë me plotë të dhëna e dëshmi gjeta mjaft të dhëna për bashkëpunimin tonë të ndërsjellë (ai si përgjegjës kryesor i LAPSH” Naim Frashëri” në kantonin e Gjenevës e unë në kantonin e Soloturnit; fillimisht si mësimdhënës dhe përgjegjës e në ndërkohë, më pas, edhe si sekretar i LAPSH ”Naim Frashëri” për Zvicër /prej vitit 2010 deri në qershor të vitit 2018/), të cilat edhe më tej e pasqyrojnë profilin e tij prej njeriu të përgjegjshëm në komunikime e bashkëpunime profesionale e organizative në të gjitha fushat e me të gjitha subjektet.

Ky libër duhet lexuar me syrin në mendje, sepse është e njohur që ata që lexojnë me mendjen në sy e shohin vetëm pamjen e jashtme, kurse ata që lexojnë me syrin në mendje e shohin realitetin. Falënderim e mirënjohje Agimit për këtë dhuratë të çmuar për punën dhe përpjekjet në vazhdimësi të LAPSH-së “Naim Frashëri” në Gjenevë

Image
Me Ueli Leumberger gjatë bisedës rreth LAPSH-së në Gjenevë (17 tetor 2020)

Agim Paçarizi ka qenë përgjegjës për shumë vite me rradhë i LAPSH-së “Naim Frashëri” në Gjenevë, që lidhi e krijoj miqësi, zgjeroi e jetësoi bashkëpunimin dhe veprimin me LAPSH ”Naim Frashëri” në Zvicër, me bashkatdhetarë e me institucionet shtetërore në Gjenevë, me kolege dhe kolegë në kantonet tjera të Zvicrës, me institucione të atdheut, për qëllimin madhor, ruajtjen e gjuhës dhe kulturës kombëtare përmes Shkollës Shqipe.

Faleminderit Agim Paçarizi.

Shëndet e suksese të reja!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat