Letërsia dhe leximi

Kultura

Letërsia dhe leximi

Më: 2 shkurt 2022 Në ora: 13:25
Ilustrim

Letërsia është “stok” i krijimtarisë së përgjithshme letrare, është art i fjalës qoftë kjo si informacion mbi zhvillimin dramatik të veprimit, qoftë si materie e rrëfimit epik. Në kuptimin artistik, letërsia, krijimtaria letrare, është përpjekje e mbinatyrshme për ta okupuar estetikisht botën. Krijimtaria letrare është një proces i pandalshëm, por edhe sistem jashtëzakonisht i ndërlikuar shenjash dhe fjalësh. Fjala, si njësi e gjuhës, është material i amshueshëm ndërtimor i letërsisë. Varësisht si do të jetë ky material, sa do të jetë i pasur në strukturën e vet përbërëse, aq më të fuqishme do ta kemi letërsinë. Krijimtaria letrare me fjalë-material të dobët, nga një tërmet më i vogël, nga një fenomen sporadik natyror, do të shndërrohet në gërmadhë. Ngelin vetëm ato krijime fjalëforta që u bëjnë ballë madje edhe fenomeneve apokaliptike, duke marrë me të drejtë statusin e “mrekullive natyrore”! Hegeli thoshte se fjala është material plastik që i përket shpirtit dhe vetëm shpirtit. Për fuqinë aktive të fjalës ekzistojnë shumë rrëfime antike. Orfeu përmes fjalëve që i këndonte, arrinte që t’i zbusë dhe t’i vë në gjumë edhe bishat më të egra mitike. Amfioni përmes fjalëve që i këndonte, arrinte që t’i lëvizë edhe drunjtë nga malet në fusha dhe anasjelltas: t’i lëvizte shkëmbinjtë dhe gurtë, madje t’i bënte që të paloseshin e të bëheshin mure gjigante përreth qyteteve.

Secila krijimtari artistike ka gjuhën e vet. Secili krijim flet në gjuhën e vet, porse të kuptuarit e këtyre gjuhëve varet ekskluzivisht nga kultura e leximit! Kur u shpik televizioni, thanë se mori fund teatri si dhe letërsia! Megjithatë, shumë shpejt u vërtetua se leximi është dhe do të mbetet fundamenti estetik e kulturor, çelës i vetëm që hap të kuptuarit edhe të llojeve të tjerë të komunikimi artistik. Pra, ana e fuqishme e leximi është se lexuesi-njeriu përmes këtij lloji të artit shndërrohet në stabilizator që i qetëson të gjitha elementet trazuese të jetës oqean.

Pa dyshim, leximi është i ndërlidhur edhe me karakterin nacional të gjuhës dhe kulturës. Sa më shumë që lexojmë aq më të fuqishëm e kemi këtë karakter dhe, anasjelltas, sa më pak që lexojmë, aq më të dobët do të jemi gjuhësisht dhe kulturalisht! Shenja komunikuese do të na bëhen ato karaktere gjuhësore që i dëgjojmë e që i receptojmë nga jashtë dhe, kjo, pa dyshim që do të ndikojë edhe në “disiplinimin kulturor”, duke na bërë përjetues i elementeve estetike të një gjuhe dhe të një kulture të huaj. Përtej kësaj të keqe, mund të na mbërthejë një e keqe edhe më e madhe: gjuha “na pasurohet” me elemente të huaja gjuhësore, me neologjizma, me barbarizma, me sllavizma që i përdorim me shumë lezet e krenari gjatë komunikimit. Ekzistojnë edhe prej atyre tipave që mendojnë se ky “diversitet shenjash e fjalës” në komunikim i bën edhe më të kulturuar e të civilizuar! Asimilimi do të ishte kulturalisht më i pranueshëm se sa devijimet gjuhësore si pasojë e mos leximit!

Pra, jo letërsia si krijim më vete, por leximi e arrin atë ndikim mbi gjuhën tonë të natyrshme, e zhvillon ndjeshmërinë për gjuhën, e pasuron dhe e aftëson për të krijuar dhe zhvilluar gjuhën. Prandaj, nëpër shkollat e shoqërive të civilizuara pothuajse asnjë lënde nuk i jepet rëndësi më shumë sa analizimit të tekstit të lexuar. Ora mësimore është interaktive. Të gjithë debatojnë mbi atë që kanë lexuar. Pra, prezenca e tyre në orë, rrjedhimisht edhe në shkollë, varet nga ajo se sa lexojnë! Te ne, nuk e kemi këtë problem, analiza na duket si “lëndë mjekësore”, prandaj dhe nuk lexojmë. Prandaj dhe, që nga deputetë, ministra, studentë, gazetarë e opinionistë, por dhe qytetarë të rëndomtë, kur i dëgjojmë tek flasin para kamerave, na e shpifin, në bëjnë të pikëllohemi për fatin e gjuhës sonë, për gjendje momentale kulturore që e kemi. Prandaj dhe, edhe krijuesit bashkëkohorë i kemi varfanjakë të skajshëm në gjuhë. Të gjithë ne (ne që merremi me shkrime) e madhërojmë Kadarenë, veç të tjerash, edhe për fuqinë e tij krijuese dhe përdoruese të fjalëve të reja shqipe. Mund të bëhet një fjalor solid i fjalëve të reja shqipe që i ka përdorur Kadare në krijimtarinë e vet! Por, ky fenomen nuk është e drejtë absolute e këtij shkrimtari me përmasa botërore. Kadare nuk e ka përvetësuar dhe me asgjë nuk ua ka ndaluar edhe të tjerëve ta gjejnë, të zbulojnë dhe ta pasurojnë me fjalë burimore gjuhën tonë shqipe. Të gjitha janë nëpër letra e nëpër epe. Vetëm duhet të lexojmë dhe t’i gjejmë. Në të kundërtën do t’i përdorim për komunikim ato që i dëgjojmë përditë. Na është bërë fjalori i neologjizmave, sllavizmave, barbarizmave e fjalëve të huaja që po i përdorim më voluminoz se sa fjalori i fjalëve të gjuhës shqipe. Jemi në prag të një mjerimi gjuhësor e kulturor. Vetëm leximi na shpëton. Në anën e leximit kemi fondin gjigant të vlerave kulturo-artistike të krijuara që nga Gilgameshi, Homeri, Dante, Buzuku, Shekspiri, Dostojevski, Xhojs, Kafka, Pamuki, Kadare e deri te më i miri krijues i kohës që akoma nuk e njohim (sepse nuk e kemi lexuar)! /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat