Ndarja e “kekut” dhe online-dashuriçkat e kuazikrijuesve!

Kultura

Ndarja e “kekut” dhe online-dashuriçkat e kuazikrijuesve!

Më: 25 shkurt 2022 Në ora: 12:25
Ilustrim

“Funksionarët provincialë” (në kuptimin e komisioneve partiakë) shpesh herë dinë të demonstrojnë “politika” të cilat më tepër janë shërim i komplekseve të tyre se sa ndonjë vendim partiak! Këta provincialistë partiakë, të mbushur përplot me smirë, me inat, me xhelozi të sëmura, me diletantizëm, me karrierizëm të dobët, me servilizëm e të xhindosur, mundohen ose ta imitojnë liderin, ose t’ia mveshin liderit “urdhrin” për kacafytje me intelektualë! Pra, meqë lideri nuk paska dëshirë që t’i djegë duart me intelektualët e kombit, po i lëshuaka këta “masha” që t’ua nëpërkëmbin dinjitetin intelektualëve dhe, të kërkojnë prej tyre heshtje totale, ndryshe, do të pasojë “varrimi” i tyre nga lideri partiak! Lideri në rolin e “varrtarit”?!

Kur “funksionarët provincialë” shpirtin e tyre të zi e interpretojnë si “qëndrim lideri”, pasojat mund të jenë shumë të rënda në aspekt kombëtar! Sepse, pa kurrfarë arsye mund të fryhet një zënkë, madje deri në linçm, ose të liderit, ose të intelektualit! Intriga e këtyre “komisionarëve” mund të jetë me pasoja të paparashikueshme: ose mund të bie përkrahja e liderit, ose mund të “varrosen” intelektualët me qëllim që “minjtë të bëjnë dasmë”!

Qëllimet e tyre prej skuthi janë shumë të dëmshme! Janë keqpërdorues më flagrant të besimit të dhënë! Ata angazhohen nëpër aktivitete partiake jo për t’i sjellë dobi partisë, por, thjesht, për t’i zbutur frustrimet si pasojë e mosrealizimit të personalitetit të tyre përgjatë gjithë jetës që kanë kaluar. Ata synojnë hakmarrjen, synojnë shantazhin, synojnë zhvatjen, synojnë përqindjen prej projekteve të ndara intelektualëve të profileve të ndryshëm, synojnë nënçmimin e tyre, synojnë demonstrimin e fuqisë së liderit partiak, pa ia kërkuar askush këtë detyrë! Ata, thjesht, shtiren si “engjëj” që duhet ta paraqesin “pa vullnetin e tyre” anën e errët të shpirtit të liderit. Kjo shtirje u duhet, pasi që një ditë sërish do të zbresin në mesin e intelektualëve dhe, si intrigantë që janë, duhet të arsyetojnë qëndrimet e tyre nënçmuese karshi intelektualëve si shtresë me e çmueshme prej popullit!

Këta “funksionarë provincialë” dhe aspak të përfillshëm në jetën politike, shkojnë dhe “fërkohen” sidomos me ata intelektualë të cilët janë neutralë, të cilët gëzojnë edhe një respekt të konsiderueshëm nga strukturat e ndryshme partiake. E ngacmojnë dhe e përçmojnë këtë elitë intelektualësh në emër të partisë apo, për më keq, në emër të liderit partiak, sepse misioni i tyre është që mundësisht të shkaktojnë konflikt e urrejtje parti-intelektualë apo, anasjelltas! Po pse tërë kjo intrigë? Sepse “komisionarët” duhet që t’i eliminojnë nga “copat e kekut” të gjithë ata që e meritojnë, me qëllim që ta ndajnë “kekun” me ata që i mbajnë në lojë: online-dashuriçkat, lidhjet e digjitalizuara, për t’i kamufluar qëllimet arriviste, për t’u shndërruar në “mburojë” të kuazikrijuesëve dhe, mbi të gjitha, mundësisht, për ta dëmtuar partinë e cila këta “komisionarë” i llogaritë si të padenjë për t’u ngjitur nëpër struktura partiake!

“Funksionarët provincialë” nuk i përtojnë përgjigjes ndaj reagimeve intelektuale, duke kërkuar nga intelektualët që ta mbyllin gojën e mos të reagojnë, sepse “margjinalizimi” i intelektualëve të mirëfilltë është shumë i dinjitetshëm në krahasim me qëndrimet partiake ndaj intelektualëve të dyshimtë për “syrin partiak”! Përpjekje kjo djallëzore e “komisonarëve” për t’u shpërfaqur si të vetmit “intelektualë popullorë”, sepse të tjerët, që të gjithë e mbyllin gojën dhe heshtin! Vetëm këta “komisionarë” bëjnë kulturë, madje edhe kulturë letrare, teatrore, muzikore, seksuale! Në përgjithësi, në emër të partisë kultura e tyre është seksiste, kulturë kjo që del përtej të gjitha kufijve të angazhimeve politike të çdo partie me identitet kombëtar! Pa dyshim, fundi i këtyre “funksionarëve provincialë” është as te Hata e as te Fata, por... /HEJZA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat