Ansambli Shtetëror Shqiptar shënoi Ditën e Mësuesit në Bujanoc

Kultura

Ansambli Shtetëror Shqiptar shënoi Ditën e Mësuesit në Bujanoc

Nga: Burhan Lamallari Më: 8 mars 2022 Në ora: 17:56
Ansambli Shtetëror Shqiptar shënoi Ditën e Mësuesit në Bujanoc

Mikëpritje e ovacione pafund ka patur mbrëmë për artistët e Ansamblit Nacional të këngëve e valleve popullore shqiptare të cilët për herë të parë përformuan në Bujanoc duke shënuar kështu 135 vjetorin e shkollës së parë shqipe!

Ky eveniment ishte i veçantë për arsyen se Ansambli Nacional pas shumë sukseseve shënon për herë të parë 7 marsin dhe përzgjedhja e programit ishte bërë në mënyrë të tillë që çdonjëri ta ndjente peshën e fjalës, këngës, traditës që kanë ruajtur arsimin shqip. Zakon burri e ka pas, Keq hyseni e Brahim Keta ishin këngë që krijuan emocione të veçanta derisa ishte shtruar sofra shqiptare që simbolizonte traditën e nderin tonë e në të cilin ishte ulur kryetari i Bujanocit, deputetë, drejtor shkollash e përfaqësues diplomatik. Vallja e paqes, Karadakut dhe “Malësorja” krijuan ovacione të jashtëzakonshme ndërkohë që me pokaq entuziazëm u pritën këngët lirike “Shkurta e vogël” , O bilbil flatrat plot vesë” apo “Dasma e malësorit”.

Nuk munguan këngët e nizamëve si “Vinë vaporat” që sjellë plagën e vjetër shqiptare por dhe këngët epike si Zëri i atdheut, Fjalët e qiririt, Kosova dhe Xhamadani. Interpretët, vallëtarët, instrumentistët ishin në elementin e tyre më të mirë për një spektakël që do mbahet mend gjatë kohë nga publiku i Bujanocit. Mikëpritje e bujari ndjehej nga secili i cili kishte pas mall për këngën e pastër shqipe. Drejtori Shkodran Tolaj në shenjë bashkëpunimi ndau dy mirënjohje një për kryetarin e Bujanocit z.Nagip Arifi dhe një post - mortum për z.Jonuz Musliu një veprimtar i jashtëzakonshëm dhe atdhetar i madh.

Ai u shpreh se ansambli Nacional shqiptar sonte ka “fituar” dhe një qytet. Nga Manastiri në Kumanovë e tashmë nga Kumanova në Bujanoc dëshmon se atdheu nuk duhet vetëm në vargje e këngë por idealet duhet ti shëndërrojmë në realitet dhe vepra të jetësuara. Pra ky udhëtim është ndër më të veçantit për ansamblin shtetëror që dita ditës po zgjëron gjeografinë e prezantimit të suksesshëm tha drejtori Tolaj. Ky koncert u prezantua nga i njohuri Avni Qahili dhe do të transmetohet nga Televizioni i Maqedonisë, programi shqip dhe mediat lokale të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat