Ai e donte vdekjen...

Kultura

Ai e donte vdekjen...

Nga: Tahir Bezhani Më: 15 mars 2022 Në ora: 08:33
Tahir Bezhani

Vapa e korrikut të atij viti të pasluftës, që në orët e hershme të mëngjesit, të jepte të kuptoje se ditët e nxehta do zgjasnin gjatë, ndoshta deri në shtator. Flladi i mëngjesit lëvizte ngadalë fletët e plepit të gjatë, i cili u rrinte mbi kokë atyre pak shtëpiave të mbetura në këmbë pas zjarrit të luftës. Ato ngjanin në kolibe të mbetura zvarrë. Çdo gjë për rreth tyre kishte pamjen e shkretirës, erën e shkrumbit dhe peshën e dhimbjeve të rënda, shkaktuar nga një armik barbar. Nuk kishin kaluar ende dymbëdhjetë muaj pas mbarimit të asaj lufte të mallkuar.

Njerëzit e kthyer nga shpellat e maleve, por edhe nga eksodi në trojet e tyre, ende merreshin me pastrimin e mbeturinave, që kishte lënë zjarri i luftës. Disa kishin filluar ndërtimin e shtëpive të tyre, ndërsa një pjesë tjetër, ende jetonte nën tenda, dhuratë nga bashkësia ndërkombëtare.

Pasojat që kishte lënë ajo luftë gjakatare mes njerëzve ishin të mëdha. Çrregullimet psikologjike ishin të dukshme. Ata nuk e njihnin njëri tjetrin edhe kur takoheshin përballë. Lufta shkatërrimtare jo vetëm se kishte lënë gjurmë të thella në aspektin ekonomik, por kishte tjetërsuar njerëzit edhe në formën e pamjes fizike. Jeta nëpër male, luginave, buzë prrockave, për ta shpëtuar kokën, i kishte lodhur deri në sfilitje. Shpesh e pyesnin njëri tjetrin se “a je ti filani, a po më bëjnë sytë?....” dhe u shkonin lotët gjatë përqafimeve. Efektet e luftës dukeshin në çdo formë të jetës. Pak kënd mund të takoje ato ditë pa lot e shkrumb në zemër. Nuk kishte familje që nuk ishte e mbushur me dhimbje deri në gropë të fytit.Secila familje kishte të vrarë, të zhdukur, të djegur e kallur ishin të gjithë...

Nga këto rrethana jete, kishin kaluar dymbëdhjetë muaj që nuk ishin takuar mes veti Memli Kodra e Behar Shpati ,dy miq të vjetër, dashamirë të fjalës së shkruar, të cilët atëbotë kishin botuar nga dy-tre libra me poezi.Tani çdo ditë Memli Kodrën e “rrihte” malli se ku mund të jetë Behar Shpati, a do kishte shpëtuar kokën nga lufta, apo mund të ketë ikur dika larg, në mërgim, për të mos u kthyer kurrë ...

Shpesh nga malli për mikun e studimeve, i përsëriste disa vargje të poezive të Beharit, të cilat i patën dhënë emër e nam në qytetin e tij e jo vetëm. Cilësohej si një prej poetëve më të mprehtë, i ndjeshëm e revolucionar me vargje të stilit migjenian.

Memli Kodrës i kishte lindur ideja që gjithsesi të gjurmonte vendndodhjen e mikut të tij, Beharit, dhe sa më parë të jetë e mundur ta takonte. Kishte pyetur disa njerëz nëpër lagjen e qytetit: “ a dini diç për Behar Shpatin, ku mund të jetë, ku mund ta gjej, ku banon?...” Kishte marrë disa përgjigje përafruese, por jo edhe të sakta. Disa i thoshin,” mos na shih për të madhe, na u ka fshirë truri, nuk mbaj mend as gjysmën e njerëzve të lagjes”, disa i kishin thënë se “ më duket punon atje....teee....” .por emrin nuk ia dinin atij vendpunimi. Memli Kodra kishte bërë disa bredhje rrugëve të lagjes së qytetit, për ta zbuluar vendbanimin ose vendpunimin e mikut, Behar Shpatit . Ditën e tretë, me gjasë, kishte nxjerrë nga bisedat me një qytetar, se Behar Shpati, kishte filluar punën me një agjenci turistike, te Plepat e gjatë, në periferi të qytetit.

Dita kishte ikur padiktueshëm, ndërsa lodhja kishte kapluar gjitha gjymtyrët e trupit të Memli Kodrës. Këmbët iu kishin ënjtur duke ecur, djersët i piknin nga vapa, ishte qullur i tëri. Sapo mbërrini në shtëpi kërkesa e parë ndaj bashkëshortes ishte uji.

” Dua uji se u kalla!”- i kishte thënë Ermirës. Pastaj një kafe dhe pushim këtë pasdite.

Do hash drekë tani apo pas pushimit, i foli Ermira. -Pastaj, pastaj drekoj, jam i lodhur. Dua qetësi! – foli Memli.

Pas pushimit të drekës, ndjeu se iu kishte shkrirë tërë trupi nga lodhja. E kishin dëgjuar familjarët të fliste në ankth me njerëzit e lagjes , “a e dini?...” Pastaj ishte zgjuar i kthjellët nga ajo lodhje e rëndë, ngarendëse nëpër lagjen e qytetit. Por, foli me vete, tani e di ku punon Behar Shpati, do e vizitoj nesër në mëngjes. Do çmallemi pas dy vitesh shumë të gjata.Gjatë natës, kur nuk e zinte gjumi, përfytyronte mikun e tij, Behar Shpatin, duke menduar se si do ia kishte kaluar kohën e luftës, ku ishte strehuar gjatë gjithë asaj katrahure, asaj flake përvëluese, me “kokën në thes”, siç thotë populli .

Ishte ditë e hënë. Mëngjes i hershëm. Dielli tregonte se do përvëlonte edhe këtë ditë. Memli shikoi relievin alpin, por nuk vërejti asnjë ndryshim, asnjë re a mjegull nuk sillej rreth atyre majave, që do të tregonte për thyerjen e asaj vape, ndryshim moti.

Në orët e para të mëngjesit Memli Kodra u gjend te disa agjenci në dalje të qytetit, mes plepave të gjatë. Atje ku i kishte preferuar bashkëvendësi i lagjes së qytetit. Nuk trokiti te asnjëra, shikonte përmes xhamave se a mos po e shikonte mikun e tij, Behar Shpatin, pa i pyetur të tjerët. U inatos fort kur nuk e vërejti në asnjërën nga pesë lokalet e agjencive në atë rreth.

-Kë kërkoni, iu drejtua një punëtor që pastronte xhamat e një lokali.

- Kërkoj Behar Shpatin u përgjigj i mllefosur Memli.

-Ja, ajo e pesta, nën atë plepin e gjatë, aty e gjen Beharin, i foli pastruesi i xhamave. -Faleminderit i nderuar!-ia ktheu Memli.

Pasi trokiti në derë, pa marrë përgjigje, Memli Kodra u fut brenda, në zyrën e mikut, Behar Shpati. E gjeti të kërrusur mbi një tavolinë pune, në dorë kishte një fletë të bardhë, një stilolaps të kuq i cili dridhej mes atyre gishtave ngjyrë kafeje nga nikotina e duhanit, syzat e varur poshtë syve, ia kishin zënë pamjen e fytyrës, ndërsa fiziku i tij, nuk i ngjante atij mikut të dy viteve më parë. E pabesueshme se çfarë bënë koha, foli me vete Memli dhe e thirri me zë të ngritur:

Po ku je o Behar Shpati?!

A je mirë o miku im i dashur?!

Përqafimet ishin të ngrohta, të gjata, të përmallshme dhe të përlotshme...

Pas asaj ngrohtësie shpirtërore, u gjenden të ulur pranë një tavoline të vogël, në dy karrige në të cilat vëreheshin gjurmët nga zjarri i luftës. Nga gëzimi që ndiente, Behar Kodra i foli Fluturës ,bashkëpunëtores “na i sjellë dy kafe dhe nga një raki rrushi!.”

– E kam mik të dashur dhe do bëjmë pakës llafe, foli Behari, sikur donte t’i thoshte Fluturës që të kujdesej për mirëvajtjen e punëve në agjenci...

Të tretur në kujtimet e tyre, evokimet e të kaluarës studentore, duke mos harruar edhe flakën e luftës, kishin harruar të shikonin orën. Dita kishte rrëshqitur padiktueshëm.Për momentin ndalen çdo bisedë. Vetëm shikonin përmallshëm njëri tjetrin, me parandjenjën se a do takoheshin përsëri...

Shikimet endeshin rrudhave të fytyrës, atyre hullive që tregonin vuajtje, flokëve të zbardhura me aq shpejtësi kohe nga dhuna dhe peripecitë e luftës. Fliste edhe ajo heshtje mes tyre. Një heshtje nostalgjike .Heshtjen e ngujuar mes shpirtit, zemrës e mendjes e theu Behari.

- Memli, ti nuk e di, nuk jemi takuar moti, gati dy vite. Dua të njoftoj por jo të shqetësoj, vazhdoi Behari.Unë vuaj nga kanceri. Kanë konstatuar mjekët në Tiranë. Pas të gjitha ekzaminimeve të bëra, me kanë komunikuar se jeta ime është në përfundim. Ti mbahu burrë ,qëndro, ndërsa unë jam pajtuar me realitetin e hidhur. Të gjithë njerëzit jemi të dënuar “me vdekje”.Herët a vonë, atje do shkojmë. Pajtohu edhe ti, se nuk do më kesh më, miku im i dashur!...

Memlit i ndryshoi fytyra. Dukej se i lëvizte gjaku me shpejtësi marramendëse. Herë skuqej e herë-herë zbehej fytyra e tij. Kishte mbetur i ngrirë në karrige me ato njolla djegie zjarri të asaj lufte të mallkuar....

-Jo, jo, jo, Behar! Nuk pajtohem, nuk dua të jetë ashtu! Mjekët nuk ia qëllojnë gjithmonë. Ti vazhdo të shërohesh nëse ke probleme, jo të dorëzohesh. Ti nuk iu dorëzove armikut atherë. Qëndro, bëhu shkëmb!

- Ka arritur fundi miku im, Memli. Çdo gjë provova, më në fund u pajtova. Shpejt do iki, por shumë u gëzova që të takova.

- Behar, as unë nuk jam mirë. Kam pësuar infarkt dhe nesër kam vizitë në Shkup. Megjithatë, nuk dorëzohem jo!... Kur të kthehem ,dua të pimë kafenë e radhës, kuptove!...

- Po Memli, kuptova! Kur do kthehesh nga Shkupi?

- Nesër pas dite, ndoshta vonë. Rrugë e gjatë, do kujdes ngasja e makinës.

- Takohemi pasnesër, dëshiroj të di për gjendjen tënde shëndetësore, miku im, Memli. Do pimë edhe kafetë e dëshiruara me kënaqësinë e miqësisë sonë të kahershme.Me përqafime e me lotime u ndanë, Memli Kodra e Behar Shpati, me dëshirën e ritakimit të serishëm .

Të pasnesërmen, në shtyllën e lajmërimeve mortore, Memli në befasi vërejti foton e mikut, Behar Shpati, ku shkruante: “Varrimi sot në ora 16 -të, në varrezat e reja të qytetit”.

Përkundër dhimbjes që ndjeu dhe lotëve që i shkonin zvarrë mollëzave të faqeve në atë mot të nxehtë, kujtoi stoicizmin e paepur të mikut të jetës, i fortë si shkëmbi. Ai nuk iu friksua vdekjes. E pranoi atë si diçka të pashmangshme, të natyrshme....Portreti i tij qëndron i varur në bebëzat e syve të mi, si kujtim i përjetshme, tha në fund Memli Kodra, dhe fshiu lotët e tharë mollëzave të zbehura nga dhimbja.

Sytë përmallshëm e kërkojnë akoma rrugëve të qytetit, kudo....

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat