Krijues e shkrimtarë nga Mali i Zi dhe Shqipëria bëhen bashkë në një takim letrar

Kultura

Krijues e shkrimtarë nga Mali i Zi dhe Shqipëria bëhen bashkë në një takim letrar

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 22 mars 2022 Në ora: 15:16
Gjekë Gjonaj

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Poezisë e cila të përkujton  rolin e poezisë dhe fuqinë e saj në mbijetesën e gjuhëve,    në Anë të Malit, Ulqin u mbajtën  dy takime letrare të cilat u organizuan  nga  Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “ Art Club”  në bashkëpunim me ,,Shtëpinë e Trashëgimisë”, gjegjësisht, Muzeun Etnografik në Draginë.  

Takimi i parë letrar u zhvillua  në Shkollën Fillore “Bedri Elezaga në Katërkollë, ku  ishin të pranishëm  poetët, Ali Gjeçbritaj dhe Dimitrov Popoviq. Ata në praninë e nxënësve dhe mësimdhënësve mbajtën një orë letrare dhe recituan vargje nga opusi i tyre krijues. Më pastaj recituan vargjet e tyre  edhe nxënësit e kësaj shkollë. Meqë Dita Botërore e Poezisë përkon me Ditën Botërore  të Sindriomit Daun (Down) të  gjithë së bashku, mësimdhënësit, nxënësit dhe poetët përcollën edhe një mesazh  për personat  e prekur me  këtë sindrom.   

Aktiviteti i dytë u mbajt  në Muzeun Etnografik, të pronarit  Hajredin Kovaçi  në Draginë, duke ndërthurur artin  poetik  me trashëgiminë kulturore. Në këtë takim letrar,  i cili kishte si temë edhe përkthimin e poezisë, morën pjesë poetë, prozatorë, përkthyes e studiues nga Mali i Zi dhe Shqipëria, Viktor Gjikolaj , Hekurana Koka, Salvator Gjeçaj, Ernest Marku, Zija Vukaj, Mimoza Rexhvelaj, Dimitrov Popoviq, Ali Gjeçbritaj dhe Hajredin Kovaçi.  

Pas dy viteve pauzë, për shkak të pandemisë me Covid 19, ishte kjo hera e tretë që u shënua Dita Botërore e Poezisë në Ulqin. Ky aktivitet letrar  u mbështet  nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të  Pakicave i  Malit  të  Zi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat